in

Hoti: Kosova, në sprovë pas zhvillimeve me Specialen

Sot u mbajt mbledhja e Qeverisë së Kosovës pas ngjarjeve të bujshme e dramatike që ndodhën me konfirmimin e aktakuzave ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit. Kryeministri Avdullah Hoti tha që me zhvillimet e fundit me Gjykatës Speciale, vendi është vënë edhe njëherë në sprovë dhe u shpreh i bindur që puna e institucioneve të drejtësisë do të udhëhiqet vetëm nga profesionalizimi.

“Si shumë herë më parë, gjatë historisë sonë jemi përballur me sprova, kapërcimi i të cilave dëshmon pjekurinë tonë shtetërore. Zhvillimet e fundit si rezultat i konfirmimit të aktakuzave, ndaj një pjese të ish udhëheqësve të UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe presidenti Hashim Thaçi, ish kryetarët e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe Rexhep Selimi; të gjitha këto zhvillime e kanë vënë edhe njëherë shtetin në sprovë”.

 Kryeministri ka përshëndetur sjelljen e tyre të përgjegjshme dhe sipas tij, gatishmërinë që ata patën për të bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Përshëndes qëndrimin dhe kulturën e tyre institucionale, e cila dëshmon edhe njëherë se Republika e Kosovës i beson drejtësisë dhe bashkëpunon me të pa asnjë hezitim. Duke uruar që puna e institucioneve të drejtësisë të udhëhiqet vetëm nga profesionalizimi, ne besojmë që mbarimi i këtij procesi do të ridëshmojë se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e pastër”, është shprehur Hoti.

Ndryshe një ditë më parë, Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, Shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.

Lini një Përgjigje

Bastisen shtëpitë e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit

E premtja e zezë për shtetet evropiane