Shqipëria parakalohet edhe nga Maqedonia e Veriut në rrugën e integrimit evropian. Holanda, një prej vendeve skeptike për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë duket se ka marrë tashmë vendimin për t’i dhënë më shumë kohë qeverisë së Tiranës për të përmbushur kushtet e vëna duke e konsideruar të pamjaftueshëm progresin e bërë me reformat.
Në një dokument të siguruar nga lapsi.al është ministri i Jashtëm i Holandës Stef Blok që i ka paraqitur qeverisë së tij një përmbledhje të situatës së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për Maqedoninë e Veriut thuhet se mund të mbajë tryezën e parë ndër-qeveritare që shënon nisjen e negociatave ndërsa për Shqipërinë thuhet se ka ende për të bërë.
“Në mars, Këshilli Europian vendosi që për Shqipërinë të mbajë tryezën e parë ndër-qeveritare nëse do të ishin përmbushur kushtet e vendosura. Për qeverinë (shqiptare) është thelbësore që të ardhmen të bëjë më shumë progres në këto çështje dhe vetëm nëse kushtet e përcaktuara nga Këshilli Europian në mars janë plotësuar në mënyrë bindëse do të mbahet tryeza e parë ndërqeveritare me Shqipërinë” – thuhet në dokumentin e ministrit të jashtëm holandez të siguruar nga lapsi.al.
Ndër pikat që qeveria holandeze shikon pak përparim është reforma në drejtësi duke theksuar se ende nuk është bërë funksionale Gjykata Kushtetuese, citon lapsi.al. Holanda frenon edhe qëndrimet e Komisionit Europian.
“Qeveria (holandeze) mbështet analizën e Komisionit Europian se Shqipëria ka treguar përparim në fusha të ndryshme, por përfundimi i Komisionit se “pothuajse të gjitha kushtet janë përmbushur” është i parakohshëm” – thuhet në dokumentin e ministrit të jashtëm holandez.