in

Futja e trupave austro-hungareze në Shkodër (5)

Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik/

ribotim

Kontinenti i moçëm ziente. Tym e flakë nga të gjitha anët. Britmat e viktimave ta shponin timpanin e veshëve. Nuk e bënte lufta të rrëmujshme botën e vjetër, luftërat ndizeshin e shuheshin prej se u ngjiz njeriu, por luftë e tillë me shtrirje në disa kontinente, nuk u regjistrua në asnjë kronikë nga Straboni e këndej. Aleancat ngjanin të çoroditura: të krishterët çapëlenin të krishterët, me emrin e Krishtit në buzë jepnin shpirt; myslimanët hidheshin me tërbim kundër myslimanëve,  “allahu- ekber” u shuhej në gurmaz, përderisa vdisnin pa e kuptuar nga plumbat e kujt ranë. Sigurisht as budistët nuk shkëlqenin nga lumturia. Lajmet nga ku bren miza hekur vinin të turbullta. Çmenduria njerëzore ishte e pashembullt. Dhe s’kishte mekanizëm që mund ta frenonte këtë rrokopujë. 

Shqipëria, pjesë e shkëputur e Evropës për kohë të gjatë, megjithëse ende e përgjumur, nuk u kursye nga çmenduria njerëzore. Xanxat e mbërthyen shumë para se të shpërthente Lufta e Madhe. Dhimbjet e rilindjes ishin të mprehta e të përgjakshme. Lufta e çapëlente gjithë kohën. Një herë u gjakos duke e luftuar turkun, që s’i shqitej, herën tjetër u la në gjak kundër armikut të vjetër: serbit e malazezit. Pastaj se nga ia behte ushtria e bullgarit kokëmadh, lakmitar e të vrazhdë, ndërsa skilja e vjetër greke rrinte në pusi, duke pritur orën e ligë të shqiptarëve. 

Asnjëherë nuk qëlluan më të çorientuar shqiptarët. Nipat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nuk arrinin të bënin aleancë me askënd, mu si mbreti i tyre, para katërqind e pesëdhjetë vjetësh. Të vetëm kundër të gjithëve. Ndonjëherë shkonin kundër rrjedhës së lumit, por jo rrallë lumi i rrëmbente me shkumëzim. 

Kështu vepruan gjithmonë. Gjasat dëshmonin se kështu do të vepronin edhe në të ardhmen. Në luftë shkonin e nga luftërat vinin, por nuk e merrnin vesh: i dhanë fund së keqes, apo nisnin luftëra të reja! Pas çdo rrëmuje mbanin në mend turbullt flakën e betejës kur bërtisnin sa u hante gurmazi: “urraaa!”, a “mule, mule!” 

Me t’u këndellur nga zjarrmia e luftës, e shihnin veten dikush me një shkop thane në dorë, në vend të patericës, tjetri me pushkën e gjatë a pa të, duke ecur zvarrë nëpër shkretëtirat arabe, djerrinat turke e gërxhet shqiptare. Shumë prej tyre nuk ngriheshin kurrë nga fushëbeteja. Shpesh nuk e dinin kundër kujt luftonin, as pse e bënin këtë luftë!  

Shqipërisë po ia operonin trupin, mu si gjigantit të fjetur. Pastaj, vendet e gjymtyrëve të shkëputura ia qepnin trash. Kështu, plagët i kullonin qelb, pa u mbyllur asnjëherë. Shqipëria nga një gjigant i fjetur po shndërrohej në një xhuxh të gjymtuar që do të hante veten. 

Kur u fashit Lufta Ballkanike, që nisi e përfundoi për të zhvatur territoret e shtetit të dobët shqiptar (që nuk e mbronte as kryeqytetin të cilin e ndërroi disa herë), plasi Lufta e Parë a Lufta e Madhe, sikurse e quanin. Kishte përmasa të frikshme kjo katrahurë. Ushtria e mundur serbe tërhiqej zvarrë nëpër territorin shqiptar me strajca mbi supe dhe me opinga të shqyera. Ushtarët e çartur vrisnin vendës e ua digjnin shtëpitë, thuajse ata ua kishin fajin pse ia mbathën nga shteti i tyre, të cilin ua lanë në dorë austriakëve. 

Ushtria austro-hungareze në ndjekje të ushtrisë së parë futej triumfalisht në Shqipëri pa shkrepur asnjë plumb. Të gjithë prisnin zhvillimin e ngjarjeve. Parashikimet ishin  të zymta, secili mprehte veshët për të dëgjuar i pari krismat. 

Shkodra, qyteti më i madh shqiptar, ziente nga intrigat e legatave të huaja. Politika e madhe për tërë botën bëhej këtu. Intrigat përhapeshin në formë të rrathëve koncentrikë nëpër Gadishullin Ilirik, kalonin Adriatikun, vazhdonin tutje në Itali e në Evropën kontinentale, për t’u kthyer sërish nëpër ngushticën e Jonit, në Greqi, deri në Turqi. 

Shkodra qe cak i përplasjeve të interesave të perandorive të mëdha e shteteve të vockla ballkanike, të cilat me vogëlsinë e tyre tregoheshin mizore e të pangopshme ndaj më të dobëtit.  

Më dukej vetja i përhumbur në këtë gjithnajë të rrëmujshme. Isha sa një pikë uji në detin tonë që e zhubravisnin të gjithë, pa pyetur askënd dhe pa marrë leje nga askush. Mendoja fatkeqësitë që na pllakosën, vështroja përtej frëngjive të Kuvendit Françeskan, me mendimet e çaprashitura, të cilat nuk zinin vend mu si fluturat kur sillen të shqetësuara rreth dritës e kërcisnin si kokrra kripe. 

-Me dhimbsen njerëzit që lindnin e vdisnin pa e kuptuar misionin e vet dhe pa e shijuar jetën, – i thashë më zë të ulët atë Rrokut, si t’i flisja vetes. 

-Secili e ka riskun e vet, nuk mund të bësh asgjë kundër kësaj,- më kthehej ai, sikur donte të më ngushëllonte. Pastaj heshtnim, sepse nuk gjenim fjalë ngushëlluese. 

Ngashërimi më mbërthente, kur i shihja se si rropateshin njerëzit. Zgjoheshin me të aguar, bridhnin gjithë ditën poshtë e lart nëpër qytet, merrnin e jepnin, ndërsa në mbrëmje ktheheshin të dërmuar në shtëpitë me çati të ulëta e dritare të ngushta të errëta.

 Të tjerët rrinin me vesh në krah, në përgjim të krismave e të lëvizjeve të ushtrisë. Ndonjëri rrëmbente dyfekun e vjetër, merrte strajcën me ushqime dhe ia mësynte malit. Ata që silleshin nëpër qytet, kur i takoja në rrugë a në kishë, përpiqesha t’ua ngrija moralin, e megjithatë ata po i humbnin shpresat edhe në botën e përtejme, sepse nga kjo botë s’prisnin asgjë. Ndonjëherë, larg nga të tjerët, më mbërthente dëshpërimi. 

-Zoti është tepër larg e nuk na dëgjon. Asnjëherë nuk na ka dëgjuar, – ia thosha ndonjë blasfemi çapraze atë Rrokut. Me të mbaruam kolegjin në Romë, disa vjet më parë. 

-Nuk e dimë cila është vullnesa e Zotit, mos blasfemo, – më tha ai më përdëllim. 

Atë Rroku ishte më i përkorë, mbase në këtë mënyrë përpiqej të ngushëllonte veten, sepse më drejtohej  në një mënyrë sikur të fliste  me besimtarët, të cilët zakonisht e kërkonin mbështetjen tonë. Këto biseda ishin të rralla, mbylleshin ende pa u shpalosur mirë, sepse binin ndesh me përkushtimin tonë. Më vinte të qaja kur i shihja në këtë gjendje burrat e gratë. 

Ngjarjet zhvilloheshin në mënyrë dramatike, ato e shkelnin njëra-tjetrën, ashtu sikurse i binte sipër një ushtri tjetrës.   

Hyrja e trupave perandorake të Austro-Hungarisë nuk dukej e papritur. E papritur qe hyrja paqësore e një ushtrie në Shkodër. Ata nuk e bombarduan qytetin me artileri të rëndë, nuk e munduan me uri popullatën pas një rrethimi të gjatë, nuk kërkuan pengje as nuk dhanë ultimatume: u futën në qytet si të qe gjëja më e zakonshme në rruzullin tokësor, sikur këtë gjë ta kishin pritur të gjithë. Banorët mërziteshin nga ushtritë që futeshin e ia mbathnin duke lënë gjurmë me tymin e blozën, me të vrarë e të plagosur. 

Me t’u futur trupat e Franc Jozefit, legatat e shumta e përshpejtuan aktivitetin spiunor. Me vesh të mprehur ndiqnin çdo lëvizje të kundërshtarit: austriakët përgjonin rusët, rusët ndiqnin lëvizjet e francezëve, francezët kapsallitnin sytë në përgjim të gjermanëve e austriakëve, kurse turqit shihnin seri e pëshpëritnin të përgjumur “allah-allah!” Ata po humbnin çdo gjë në këtë qytet, pos shpresave të vakëta se një ditë do të ktheheshin triumfalisht, me zjarr e me hekur. Përderisa të tjerët po i forconin pozitat në Shkodër e në Shqipëri, nipërit e osmanëve po e shkëpusnin çdo lidhje më ish të pushtuarit, pos ndonjë hafije të paguar, që bridhte nëpër Shqipëri, me shpresën se prapë ndonjë grup rrënimtarë do të përvëlonte vendin dhe do të kërkonin babën.  

Kur e shikoja këtë rrëmujë nga frëngjitë e Kuvendit Françeskan, më bëhej sikur një saç të madh na e vunë sipër e na piqnin, kurse ne herë kërcenim të përcëlluar si zorra në prush, herë lëviznim me ngathtësi sikur të kishim mbaruar. Askujt nuk i bëhej vonë për vuajtjet e popullatës. Të varfrit bëheshin edhe më të varfër, nëse kishte kufi të varfërisë, një grusht pasunarësh mbufateshin me tregti e spekulime. Nuk u bëhej vonë kush futej e kush ia mbathte, ata i mbushnin depot e fshehta me drithë, duke i shitur me çmime të larta, kur e mbërthente uria qytetin. 

Armata e refugjatëve nga Kosova e nga periferia e tokave shqiptare shtohej çdo ditë. Sikur nuk mjaftonte kjo rrëmujë e ky mal intrigash, në Pazarin e Vjetër të Shkodrës, në vend të mallrave të munguara, shiteshin stoli antike, gur të vjetër me mbishkrime mbi varrëzore në latinishte e ilirishte. Tregu i Shkodrës u bë tregu më i madh i antikave në Evropë. 

Në rrugicat e errëta u farkua një shpatë e shkurtër, për të cilën u hap fjala sikur ishte shpata e Skënderbeut. Zyrtarët e legatave të huaja u alarmuan jo për vërtetësinë e shpatës, por nga frika se rivali do t’ua rrëmbente para sysh. Prandaj, secili donte një ekzemplar, megjithëse dyshonin në origjinalitetin e shpatës së farkuar. Secili që e blinte, e merrte garancinë se kjo qe e vetmja në botë. 

Legata turke hapi fjalë: shpata që ekspozohej në Vjenë ishte e rreme. Po cila qe shpata e vërtetë? pyesnin diplomatët e skandalizuar. Thashethemnaja turke përmes hafijeve thoshte se të gjitha shpatat e armët e bukëshkalit i morën në kryeqytetin osman për t’i bërë skrap për gjyle topash.  

“S’mbeti asgjë nga ai”, pëshpëritnin rrugicave të ngushta të qytetit nostalgjikët e Baba Dovletit. Për herë të parë thoshin, me pëshpërimë, se edhe varrin e Gjergjit të arnautëve e bartën në kryeqytetin e tyre. Megjithatë, këto pëshpërima u morën me rezerva. Por blerësit e antikave, ranë pre e mashtruesve të rryer vendës. Shpata e farkuar ato ditë u shit sa çel e mbyll sytë si simitet e nxehta në furrë.  

Fshehtas vazhdonin hyrje-daljet nga dyert anësore të legatave. Korrierë a spiunë shkonin e vinin nëpër Shqipëri: blinin e rrëmbenin gjëra të çmuara, i fusnin brenda godinës së tyre, pastaj i nxirrnin me vulën e legatës. Rropullitë e Shqipërisë nxirreshin në ankand, ashtu sikurse nxirreshin gjymtyrët. Dikush shkëpuste një copë mëlçi, tjetri nxitonte të merrte copën e një veshke. Në këto zyra larg syve e veshëve të opinionit bëheshin marrëveshjet për shitjen e blerjen e territoreve, këmbeheshin e huazoheshin spiunë, skicoheshin plane për sulme e mbrojtje. 

Nëpër kuluaret diplomatike thuhej se turqit e shitën rrjetin e spiunëve në Gadishull, duke ua dorëzuar solemnisht serbëve, ashtu sikurse ua dorëzonin me solemnitet territoret. Dhe për kompensim morën garanci: Serbia do t’u dërgonte kontingjente të popullatës shqiptare sa herë t’u duhej turqve mish për top; Serbia merrte obligim të shpërngulte shqiptarë kur lypej popullatë e re për t’i plotësuar shkretëtirat e Anadollit. Shqiptarët e shpërngulur i vendosnin në mes të turqve e kurdëve.     

#

Nesër: Kuvendi i Françeskanëve dhe togeri Hans Valdhajm

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Albina dhe Familja Kelmendi surprizojnë publikun në Tel Aviv

Barcelona shpartallohet nga Real Madrid në "Camp Nou"