in

E vërteta për grekët 'përtacë'

Kemi dëgjuar shumë se si grekët janë një ndër popujtë më përtacë të Evropës, sidomos gjatë viteve 2008 kur botën e kaploi kriza ekonomike. Ideja që grekëve nuk u pëlqen puna ka qenë e vështirë të lëkundet, edhe pse statistikat nuk e pohojnë të njejtën gjë. Heidi Fuller-Love shkruan mu për këtë temë në storjen e publikuar në gazetën “The Telegraph”

Fillimisht e kam dëgjuar etiketën ‘Greki dembel’ disa vjet më parë nga një shofer taksije. “Njëherë kisha një pasagjer gjerman i cili më tha, ‘Unë nuk kam nevojë të paguaj këtë udhëtim taksi sepse tashmë ju kemi nxjerrë nga kriza me taksat e mia’,”më tha ai gjatë udhëtimit tre-orësh nga Heraklion në Sitia.

E nisur në mes të krizës ekonomike të pafund të Greqisë, etiketimi ‘Grekët dembelë’ ishte një manipulim i hollë i karakteristikave kombëtare që synonte të provonte se pasojat e krizës globale që filluan në vitin 2008 ishin ‘bërë në Greqi’.

Në një postim për blogun e Evropës Sociale, Sandro Scocco, kryekonomist për think-tankun me qendër në Stokholm Arena Ide, tha se ideja u nis nga politikanët në mënyrë që të justifikonin “të qenët i ashpër me Grekët”. “Përdorimi i shpjegimeve të thjeshta dhe të gabuara për të veçuar ‘kokën e turkut’ nuk është mirë për të ardhmen, ose për BE,” shkroi ai.

Profesori i Harvardit Michael Herzfeld shkoi edhe më tej. “Qeveritë e huaja, bankat dhe institucionet monetare … do të preferonin një Greqi të përulur sesa një ekonomikisht të vetësigurt … prandaj [ata] preferojnë stereotipin negativ që prodhojnë këto karakterizime,” deklaroi ai në një letër të detajuar që eksploronte këtë çështje.

I ndezur nga politikanët dhe i nxitur nga karikaturat si Zorba i shkujdesur i Nikos Kazantsakis – një adhurues grash që kalon pjesën më të madhe të kohës duke pirë raki dhe duke vallëzuar sirtaki – sapo nisi ideja që Grekëve nuk u pëlqen puna ishte e vështirë të ndrydhej më, edhe pse statistikat tregonin një histori shumë të ndryshme.

Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), grekët punojnë orët më të gjata në Evropë dhe bëjnë më pak pushime sesa shumica e homologëve të tyre në BE. Por nocioni se ‘puna’ është e barabartë me ‘vuajtje’ – ose, ta themi më thjesht, ‘nëse po e shijon, nuk mund të jetë punë’ – është ngulitur thellë në psikikën e shumë vendeve veriore, kështu që vështirë se është befasuese që vizitorët nga BE shpesh kanë vështirësi për të kuptuar mentalitetin grek i cili thotë se puna nuk është e ndarë nga jeta, por është një pjesë integrale e saj.

Siç edhe një mik i imi bëri shaka kohët e fundit: “Problemi i vërtetë nuk është se grekët nuk punojnë – problemi është që ata e shijojnë aq shumë sa që ne nuk besojmë se po punojnë vërtet!”

Më vonë atë verë, ndërsa isha ulur duke pirë kafe elleniko të zezë në një kafenion me pamje nga porti i Stisë serenuar nga pulëbardhat, fjalët e mikut tim u konfirmuan nga një turist i zemëruar Holandez. “Pse dyqanet janë të mbyllura deri në orën 5 pasdite? Këta grekë janë shumë – gjithmonë flenë!” ai më thoshte tym nga zemërimi, sepse unë duke qenë një e huaj tjetër, do të bashkndjeja me të. Unë ia shpjegova se shumica e grekëve punojnë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 2 të pasdites dhe më pas – pas asaj dremitje shumë të nevojshme – ata fillojnë një ditë krejt të re pune, shpesh duke lëruar deri në orën 10 ose 11 të natës. “Ju e quani atë duke punuar?” ai ulëriti i indinjuar. “Ata janë gjithmonë në këmbë në hyrjet e dyqaneve duke biseduar – si mund të punojnë kur gjithmonë i kanë miqtë dhe fëmijët e tyre që enden brenda dhe jashtë?!”

Kur ia thashë këtë Kostës, pronarit të tavernës, ai më shikoi me mosbesim. “A është ai i çmendur? Unë punoj me orë të gjata – është e rëndësishme për mua që t’u lë një biznes të lulëzuar fëmijëve të mi, por familja ime punon me mua dhe klientët e mi janë miqtë e mi. Më pëlqen të fitoj para, por gjithashtu më pëlqen të shijoj jetën time, çfarë ka që nuk shkon me këtë?”

Disa mbrëmje më vonë bisedova me Stelios, i cili ka një kafene lart në pllajën e Lasithi, i cili më tregoi historinë e tij të jetës. Ashtu si shumë ujdhesar të tjerë, Stelios ishte një viktimë e varfërisë që pushtoi Greqinë përpara se turizmi të sillte para në vend në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë. I detyruar të gjente punë jashtë shtetit, ai u largua nga Kreta kur ishte 16 vjeç dhe udhëtoi nëpër botë për 20 vjet si marinar. Gjatë asaj kohe ai u martua me një vajzë vendase dhe kishte dy fëmijë, por gjatë 15 viteve ai mund të shihte familjen e tij vetëm dy herë në vit. “Ata ishin të rritur kur më në fund kisha mjaft para për t’u kthyer në shtëpi dhe për të blerë kafenenë time”, më tha ai.

E pyeta Stelios se çfarë mendonte për etiketën ‘Grekë përtacë’. Ai qeshi mjaft hidhur e më tha. “Kam punuar jashtë shtetit për vite me radhë pa parë familjen time ose fëmijët e mi, a tingëlloj si një njeri dembel? A doni të dini se çfarë mendoj?”

Ai i hapi krahët gjerë. “Këtu në Greqi kemi gjithçka që na nevojitet – kemi qiell blu, det të pastër dhe ushqim të shëndetshëm. Këta njerëz që na quajnë dembelë? Ata janë thjesht xhelozë.” The Telegraph

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Loading…

0

U zëvendësua flamuri i vjetër me të riun mbi Kuvendin e Kosovës

Von Cramon: Kosovarët duan një datë për liberalizimin e vizave