Të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor për dallavere në tender ndaj dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të prokurimit në këtë ministri, Besim Tahirit, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Propozimin për shtyrjen e kësaj seance e ka bërë prokurori Zejnullah Gashi me pretekstin se nuk ka njohuri për aktakuzën që e përfaqëson si dhe mungesës së dëshmitares Erza Arifi.
“Më vjen keq që jam në këtë situatë, meqenëse në këtë çështje penale prokurori i cili e ka ngritur këtë aktakuzë nuk përfaqëson akuzën sot, dhe meqë dëshmitarja Erza Arifi nuk është arritur që të sigurohet, kërkoj që kjo seancë të shtyhet për shkak se nuk kam njohuri për këtë lëndë dhe seanca si e tillë të shtyhet pasi që të sigurohen edhe palët tjera”, tha prokurori Zejnullah Gashi.
Duke reaguar përkitazi me këtë propozim të prokurorit, mbrojtësi i të akuzuarit Bekteshi, avokati Betim Shala tha se prokuroria është institucion dhe duhet që çdo herë të jenë të përgatitur për seanca gjyqësore.
“Prokuroria është institucion dhe ata duhet të jenë të përgatitur çdo herë për seanca gjyqësore, ai deklaroj se nuk është i gatshëm për shkak se nuk e njeh lëndën e në anën tjetër po propozon që të dëgjohet dëshmitari, mirëpo i mbetet trupit gjykues që të vendos”, tha avokati Shala.
Ky qëndrim i avokatit Shala, u përkrah edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Tahiri, avokati Adem Vokshi.
Gjykatësja e rastit, Fatime Dërmaku, në fillim të seancës ka konstatuar edhe mungesën e dëshmitares Erza Arifi në seancën e sotme.
Sipas gjykatëses, për këtë dëshmitare gjykata kishte pranuar njoftimin zyrtar se nuk jeton në Kosovë, dhe se do të shqyrtojmë mundësinë që të sigurohet prezenca e saj përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.
Një ndër opsionet që dha gjykatësja Dërmaku ishte edhe dëgjimi i saj përmes platformave virtuale, në saje të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me shtetin e Gjermanisë.
“Nëse ju jeni dakord, dëshmitarja ka mundësi që të dëgjohet edhe përmes metodave virtuale, natyrisht ne do të kërkojmë ndihmë juridike ndërkombëtare, nëse ju jeni dakord, në pamundësi që të sigurohet prezenca e saj fizike, do të vlerësojmë edhe mundësinë që ta marrim dëshminë e saj përmes skypit apo zoomit, për shkak se nuk jam e interesuar që kjo çështje penale të stërzgjatet”, tha gjykatësja Dërmaku.
Ky propozim i dhënë nga gjykata nuk u kundërshtua as nga prokuroria e as nga mbrojtja.
Në rrethana të tilla, pas këshillimit me anëtarët e tjerë të trupit gjykues, gjykatësja Dërmaku ka aprovuar propozimin e prokurorit për shtyrje të kësaj seance.
Seanca e radhës do të mbahet më 8 mars nga ora 10:00.
Po ashtu, për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, gjykatësja Dërmaku njoftoi palët se shqyrtimi gjyqësor në këtë rast do të filloj rishtazi.
Ndryshe, Prokuroria pretendon se Xhelil Bekteshi, në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.
Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin, është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.
I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se sa ishte në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.
Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës reale 26.06.2016.
Sipas aktakuzës ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim të lartë 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik, i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.
Besim Tahiri, akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.
Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të shtrenjtë.
Ndërsa, aktakuza të akuzuarin Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, e ngarkon me veprën penale “falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Sipas aktakuzës, i akuzuari Sallahu edhe pse e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtet. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë. /BetimipërDrejtësi