in

Dëshmia e Qazmi Vulës që e ndihmoi Haki Tahën

Cilët gjakovarë, pos Xhavit Nimanit ishin të zhlyer në ndjekjen dhe torturimin e familjes Taha? 

Shkruan: Gani Mehmetaj

Me të mbaruar punë Haki Taha, me gjakftohtësi të mahnitshme, e mbyll derën, – me shpalohet imazhi i rrëfimeve nga fëmijëria, ndërsa i drejtohet rojës: “Mos e shqetëso shokun Miladin se po bënë gjumë”, – dhe vazhdon shkallëve teposhtë.

Se kur u dha alarmi i vrasjes dhe kush e mori vesh i pari, askush nuk e di me saktësi, nuk e thotë as tregimtari popullor, i rrëfyer nga mijëra gojë. Disa thonë se roja priti sa priti, dikur deshi t’ia kujtonte shokut Miladin se, ishte bërë koha e drekës. Por me të hapur dyert sheh se Miladini ishte i larë në gjak dhe pa pikë shpirti. Këtu përfundon episodi për fundin e Miladin Popoviçit, njërit ndër figurat më të errëta serbo-malazeze që rëndon aq shumë mbi shqiptarët. Këtu vazhdon drama e Haki Tahës, heroit urban me kollare e kostume gri, pa mustaqe dhe i dobësuar nga tuberkulozi. Nga t’ia mësyj? Ku të fshihet? Ishin mëdyshjet hamletiane të trimit. Në Shqipëri do ta vrisnin, ashtu sikurse i vranë apo i kalben në burg shokët e grupit të Tahës pas vrasjes se Miladinit. Të shkonte të ndonjë i afërm, shok apo mik e dinte se vetëm do t’i merrte në qafë. Ai megjithatë vazhdoi i qetë xhadesë kryesore, i vetëm dhe pa mbështetjen e askujt.

Në pritë i dolën forcat jugosllave të sigurisë…

Rrëfimi i fëmijërisë thotë se ai niset drejt Prizrenit dhe kufirit shqiptar…

Dëshmitë thonë se ai nuk doli nga Prishtina. E vranë në rrugë. Kur e rrethuan ushtarë e milicë të shumtë, ndërsa me një revole s’mund të bënte gjë, nxjerrë flamurin nga kraharori, e mbështjell trupin me te dhe lëshon një zë të thekshëm: “Rrnoftë Shqipëri Etnike”, duke ia shkrepur vetës!

Shuhet jeta e tij, por merr dhenë bëma për trimërinë e tij.

Për ta shuar zjarrminë e euforisë për guximin e tij, krrokaste burizani i Enver Hoxhës nga Tirana që e mbronte kriminelin Miladin, kinse dashamirës të shqiptarëve dhe e njolloste trimin Taha. Por këto krrokama sa krijonin huti, shiheshin më mosbesim e pështirosje.

Rrëfimi që e kisha dëgjuar në fëmijëri, sikurse mijëra bashkëmoshatarë, ishte rrëfimi i njerëzve të nëpërkëmbur e të okupuar nga forcat serbo-malazeze. Është ky rrëfimi që ata e kanë ndjerë apo që e kanë dashur. Por nuk është edhe rrëfimi i atyre që Miladinin donin ta paraqisnin sikur i digjej zemra për shqiptarë! Një gënjeshtër cinike që fshihte brenda krimin dhe diktaturën, që hutonte njerëz dhe përpiqej të shlyente nga kujtesa mesazhin e Haki Tahës.

Legjenda urbane e krijuar menjëherë pas vdekjes së trimit urban, ishte e kundërta e legjendave me shumë shokë e më shumë beteja. Ishte një luftë vetmitare, mbase e njeriut më të dëshpëruar në vend. Ishte klithja e popullit të vetmuar, të braktisur e të terrorizuar që kërkonte lirinë. Legjenda thotë se, ndërsa kureshtarët e panë me frikë e të mrekulluar njëkohësisht, përderisa flamuri i përgjakur ia mbulonte trupin e shtrirë në kalldrëmin e një rrugice të Prishtinës, armiqtë që kishin shpresuar shumë ta zinin të gjallë e shihnin me sy të çakërritur.

Një javë para bëmës heroike ai u kishte premtuar shokëve se do ta ndëshkonte pabesinë dhe tradhtarin, pra e dinte detyrën që e priste, ndërsa armiku i tij me t’u ballafaquar me te, shpresonte se do ta hutonte me debate shterpe për premtimet që i anashkalonte, apo që ua kthente me arrogancë: “Ta q… Shqipërinë etnike!”, ashtu sikurse kishte thënë pas Konferencës së Mukjës. Thua t’i ketë thënë të njëjtën gjë edhe Haki Tahës si Enver Hoxhës? Apo nuk arriti ta nxirrte nga goja këtë pisllëk, sepse ia preu sharjen në grykë Haki Taha.

Heroizma e Tahes me ka ndjekur gjatë gjithë fëmijërisë dhe rinisë së hershme. Më vonë me ndiqte kureshtja: Kush ishte Haki Taha? Mjegulla vetëm sa e mistifikonte, sepse ne ishim të prirë që heshtjen publike ta kuptonin si mungesë guximi për ta bërë hero kombëtar, derisa u këndohej partizanëve me trimëritë e të cilëve në lagjen time shqyheshin gazit.

Imazhin për Haki Tahën e plotëson libri monumental: “Rrno vetëm për me tregue”, rrëfimi tronditës i At Zef Pllumit. Ka disa pasazhe interesante nga Qazim Vula, bashkëpunëtori i Haki Tahës në vrasjen e Miladin Popoviqit, po ashtu gjakovar, trim i pa tundur. At Zef Pllumi na e bartë gati pesëdhjetë vjet më vonë bëmën: “Gjatë nji mbledhje të këtij grupi u provue se përgjegjës i vetëm i fatkeqësisë kosovare ishte Miladin Popoviqi. Në ketë mbledhje u vendos që ai të vritej sa ma parë. Kur u desht të hidhej shorti se cili do të kryente ketë detyrë patriotike qe çue e kishte fol mësuesi… i cili kishte thanë: “Mos qiti short. Un e kam jetën të shkurtueme nga tuberkulozi dhe i kam ditët e caktueme. Për shpëtimin e Kosovës un i baj flije të gjitha ditët që me kanë mbet. Këtë detyrë ma leni mue se e kryej menjiherë , por due prej jush nji revole të sigurt që mos t’i shkrep kot asnji plumb”.

Qazmi Vula tregon se si e përcolli deri të Zyra e Miladinit Haki Tahen. “Si mësues që ishte bani nji kërkesë për t’u takue me Miladinin, i cili e priti në nji orë të vonë të mesditës”. Ai tregon se si shkuan së bashku, “e kur erdhi radha hini brenda mesuesi, un ndeja në korridor. Nuk vonoi e u ndie krisma e pistoletës”. Qazim Vula tregon se si polici hyni brenda më vrull, se si e pa Miladinin e rrëzuar , kurse mësuesi kishte hap dritaren e ishte hedh në rrugë, pastaj duke ikë më vrap, ai tregon se si mësuesin e vranë në rrugë.

Versioni i Vulës është i drejtpërdrejtë, tronditës, më i besueshmi që nxjerrë fakte të reja. Pra, Haki Taha e Miladini nuk kishin të njohur, ai nuk e takoi mikun e vjetër, por armikun e shqiptarëve, që i kishte vrarë gjatë luftës dhe pas luftës, ata nuk pinë se bashku, por Hakiu e kërkoi takimin, duke e pritur deri pas dite vonë. Haki Taha nuk ishte vetëm, por pati bashkëpunëtor, i cili priste në çdo rast për mundësinë e ndonjë të papriture, por edhe që të mos dështonte atentati. Ai u vra që atë ditë, ndërsa Qazim Vula u zu më vonë, u dërgua në burgun e Mitrovicës së Sremit nga ku iku në Shqipëri, pas peripecive njëmujore nëpër Serbi. Pritja që iu bë në Shqipëri, kur e kaloi kufirin, ndërsa shpresonte se shpëtoi, ishte dëshpëruese.

“Hë, klysh i Titos, i thanë, – paske bashkëpunue në vrasjen e mikut tonë ma të madh, që ishte më të vërtet internacionalist proletar” Dhe mori dënimin tjetër 25 vjet burg, pos torturave çnjerëzore.

Mozaiku për Haki Tahen plotësohet: pra ishte një grup nacionalistësh shqiptarë, e kundërta e komunistëve të zhlyer në krime. Grupi kishin marr vendim të vritej Miladini njëri ndër armiqët më mizor; vrasja nuk qe akt dëshpërimi, por mënyrë e organizuar për të dënuar kriminelët. Grupi u shpartallua. Mbase i fundit i këtij grupi, Qazim Vula, vdiq në Gjakovë pas çlirimit të Kosovës, duke e mbajtur dënimin për pjesëmarrje në vrasjen e Miladinit deri në fund.

Cilët gjakovarë, pos Xhavit Nimanit ishin të zhlyer në ndjekjen dhe torturimin e familjes Taha?  Xhevdet Hamza,  Xhavit Nimani, Fadil Hoxha dhe kreu tjetër i komunistëve të Gjakovës. 

Edhe pasi i lexova shumicën e shkrimeve për Haki Tahën, mistifikimi për këtë burrë të pazakonshëm dhe të jashtëzakonshëm njëkohësisht, më bëhet edhe më i madh. Shumë më vonë e mora vesh kush ishte ai, ku lindi, ke e pati shok e mik, çka lexonte dhe çka shkruante, por askush ende nuk ma qartësoi aktin e tij më të madh burrëror në shekullin XX: ndëshkimin e të pabesit dhe vetëvrasjen që të mos binte në duar të armikut që do ta zhburrëronin, duke e torturuar sikurse dinin vetëm ata.

Ai nuk pati tirq me gajtan e xhamadan vija-vija, as kobure të gjatë në brez, nuk kishte as mustaqe vesh e m’vesh, por ishte heroi urban i qyteteve tona provinciale e katundeve të varfra. Ai na frymëzonte në çdo situatë të vështirë.

Me te e mbajtëm gjallë shpirtin e qëndresës…

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Hi(s)ja e palëshuar e Diellit…

Vizita e Merkelit në Ballkan: një rajon me shumë kantierë ndërtimi