Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë vjet burgim të akuzuarin për krime lufte në Prishtinë gjatë vitit 1999, Nenad Arsiq.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Arsiq është shpallur këtë të enjte nga gjykatësja e Departamentit Special, Albina Shabani-Rama, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Arsiq po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se në bashkëkryerje me personat tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, kanë marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, ashtu që kanë shkuar në pronën e familjes Shala në lagjen “Emshir” në Prishtinë, ku fillimisht kishin larguar të gjithë personat që kishin ikur nga zonat e konfliktit dhe ishin strehuar tek familja Shala.
Sipas këtij aktgjykimi, në dënimin me burgim të shqiptuar ndaj Arsiq do të llogaritet edhe koha që ai e ka kaluar në paraburgim nga data 22 tetor 2019 e tutje.
I akuzuari Arsiq është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 500 euro dhe 50 euro të tjera për kompensimin e viktimave të krimit.