in

Çmimi “Kadare” është çmimi më i rëndësishëm në letërsinë shqipe

Gani Mehmetaj është shkrimtar, gazetar, publicist, dramaturg dhe kineast. Sivjet mori çmimin “Kadare” 2021 për romanin “Zogjtë e qyqes”.  Gani Mehmetaj është autor i 26 veprave letrare, publicistike, dramave dhe shkrimeve teorike për kinematografinë.     

Sivjet morët çmimin “Kadare”, ju lutëm mund të na thoni më shumë për këtë çmim dhe çfarë do të thotë ai për juve? 

-Universiteti Evropianë në Tiranë (UET)  dhe Instituti “Pashko” tash shtatë vjet japin çmimin “Kadare”, për romanin më të mirë në dorëshkrim nga 30-50 dorëshkrime që konkurrojnë. Çmimi “Kadare” është më i rëndësishmi në letërsinë shqipe, ndërsa përfshinë krijimtarinë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Diasporë. Pra kudo ku flitet dhe shkruhet shqip. Duke i vlerësuar shkrimet letrare (romanin, tregimet) UET dhe Instituti “Pashko” bëjnë integrimin e letërsisë shqiptare, e bëjnë më të afërt për lexuesin shqiptar, e popullarizojnë dhe i japin mundësi më të mëdha shpërndarje. Pastaj UETPRESS e boton romanin që e mori çmimin, e shpërndanë, përkujdeset për popullarizimin dhe marketingun e romanit, organizon takime me lexues, që është lehtësim i madh për autorin.

Për mua çmimi “Kadare” është nder, sepse e mbanë emrin e njërit ndër shkrimtarët më të mëdhenj të planetit dhe shkrimtarit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave. Është mundësi e depërtimit të librit në Shqipëri e në Diasporë. Me botimet e mëparshme, në pjesën më të madhe isha i kufizuar vetëm në Kosovë, ndonjëherë në Diasporë e më rrallë në Shqipëri.

UET dhe Instituti “Pashko” i kanë thyer këto barriera. Para dy vjetësh këtë çmim e mori shkrimtari nga Prishtina, Musa Ramadani. Sivjet e mora unë, po ashtu nga Prishtina. Pra, nuk ka paragjykime as kufizime krahinash. Konkursi dhe çmimi cysin krijimtarinë, sepse kërkojnë dorëshkrime.

Misioni i këtij çmimi është i shenjtë, është përbashkues.  

      

Si konkurruat dhe a besonit që do të fitonit?

Konkurrimi ishte i rastësishëm. Nuk kam konkurruar më parë në asnjë konkurs letrarë. Pashë konkursin në portalet “Kult plus” dhe “Observer Kult”. Mu duk interesante, megjithëse edhe më parë dija për këtë çmim. Rastësisht e kisha një roman në dorëshkrim. Nuk e njihja asnjërin nga anëtarët e jurisë, nuk i kisha takuar kurrë. Kisha lexuar shkrimet e tyre, apo i kisha parë në paraqitjet publike në televizion. Por për një gjë isha i sigurt: po patën durim t’i lexonim 12 faqet e para të romanit tim “Zogjtë e qyqes” , ashtu si i kishin kërkuar, do t’u bija në sy. Disa nga anëtarët e jurisë i takova për herë të parë në ceremoninë e dhënies së çmimit “Kadare” në Tiranë, edhe kryetarin e jurisë Preç Zogajn aty e takova. Loer Kume, fitues i çmimit “Kadare” 2019 e takova edhe në Shkollën e Humaniteteve, që u mbajt në Llogara, ku ishim të ftuar të Universitetit Evropian, ndërsa bashkëbiseduam më nxënës të shkollave të mesme nga e gjithë Shqipëria. Shpresoj se do të bashkëbisedojmë në Prishtinë, Pejë, apo në Shkup e Kërçovë  edhe më nxënës të shkollave të mesme nga Kosova dhe nga Maqedonia. Bashkëbisedimet e tilla të afrojnë me lexuesin.

Çfarë të shtyri të shkruash një roman të tillë?

Ajo periudhë nuk është trajtuar fare ose tepër rrëshqitazi në letërsinë shqipe. Është koha më dramatike e shqiptarëve, që ngadalë po e mbulon errësira e harresës. Në kohën kur Evropa u çlirua nga nazizmi, ne po kalonin periudhë të tmerrshme të terrorit e të vrasjeve, kohën e Titos . Shkrimet politike vendëse e ndërkombëtare sikur kanë nis të amnistojnë një kohë kur shqiptarët në ish-Jugosllavi patën aq shumë peripeci. Brezi i ri nuk e di, brezi i vjetër duan ta shlyejnë nga kujtesa. Shtypi ndërkombëtar atëbotë nuk shkruante për këto gjëra, sepse donin ta joshnin Titon, ta paraqisnin diktator të moderuar, edhe pse ai kokën e kishte në Bashkimin Sovjetik, kurse ua shkelte syrin Evropës Perëndimore dhe SHBA-ve.     

Në anën tjetër përtej Drinit miqtë e mi nga Tirana, kineastë, shkrimtarë, aktorë sa herë shkoja ma përsërisnin deri në bezdi: Tito ishte i mirë, ai u dha shumë të drejta. Nuk dija si t’u thosha pa i fyer se Tito  “i mirë”, vrau 50.000 shqiptarë në Dardani, Maqedoni dhe Mal të Zi vetëm në periudhën 1945-1948, i shpërnguli përgjithmonë mbi 250 mijë të tjerë, pothuajse gjysmën e popullatës. Ka edhe shumë gjëra, që jam përpjekur t’i them përmes gojës së kolonit serb, por jo kaq troç. Koloni serb, Dragani nga shoku i tij Dukagjini i mëson këto gjëra dhe skandalizohet. Po patën durim miqtë e mi ta lexojnë romanin, nuk ma thotë mendja se do të ma përsërisin më se Tito ishte i mirë.  

D. P.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Ora News/ Mehmetaj flet rreth Çmimit Kadare 2021 dhe përplasjeve Qosja-Kadare

Presidenti Biden po shqyrton mundësinë e hakmarrjes, pas sulmit të hakerëve rus