in

Cilët janë prokurorët që po hetojnë ish-pjesëtarët e UÇK-së

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit si dhe Salih Mustafës. Këta akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Hetimet ndaj këtyre ish-pjesëtarëve të UÇK-së, i ka kryer një grup prokurorësh me karrierë të gjatë në hetime penale, sidomos krime të luftës, krime kundër njerëzimit, si dhe veprave të tjera penale që lidhen me korrupsionin dhe trafikimin me njerëz.

Disa prej prokurorëve që janë paraqitur deri më tani në gjykatore kanë punuar më parë në Kosovë. Disa prej tyre kanë hetuar ish-pjesëtarë të UÇK-së për afera korruptive, si dhe vrasje.

Por, cilët janë këta prokurorë?

Jack Smith

Prokuror i Specializuar

Jack Smith u emërua në postin e Prokurorit të Specializuar në shtator të vitit 2018.

Smith ka një karrierë të gjatë në hetimin e krimeve të profilit të lartë politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga viti 2008 deri më 2010, Smith ishte koordinator për hetime në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Në këtë pozitë, ai mbikëqyri hetime delikate të zyrtarëve të qeverive të ndryshme dhe të milicisë, për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Nga 2010-2015 drejtoi seksionin për integritet publik në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, ku mbikëqyri procedimin e çështjeve të ndërlikuara për korrupsion publik anembanë Shteteve të Bashkuara.

Prej 2015 deri 2017 veproi si ndihmësprokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për rajonin e mesëm në Tenësi.

Derisa punonte në Uashington, Smith mbikëqyri çështjet e korrupsionit kundër ish-guvernatorit të Virxhinias, Bob McDonnell, ish-anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Rick Renzi, dhe kryetarit të Asamblesë së Nju Jorkut, Sheldon Silver.

Alex Whiting

Zëvendës i Prokurorit të Specializuar

Whiting është shef i hetimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ka një përvojë të gjatë në fushën e ndjekjeve penale duke përfshirë periudhën e punës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Tribunalin Penal Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë.

Whiting ka hetuar edhe më herët ish-pjesëtarët e UÇK-së. Këtë e ka bërë nga viti 2002 deri më 2007 ku ishte prokuror kryesor në rastin gjyqësor ndaj Fatmir Limajt, Isak Musliut, dhe Haradin Balajt.

Po ashtu, në kuadër të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Whiting, ishte prokuror kryesor edhe në rastin ndaj ish-liderit të serbëve të Kroacisë, Milan Martiq dhe Dragomir Milosheviqit, i dënuar me 35 vjet për bombardimin e Sarajevës.

Në SHBA, Whiting ka mbajtur pozita të rëndësishme ku kryesisht ka hetuar çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Alan Tieger

Prokuror kryesor në rastin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi.

Alan Tieger është Prokuror i lartë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me shtetësi amerikane dhe përvojë të gjerë si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë.

Tieger është marrë me hetimin e krimeve në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Ka qenë prokuror kryesor në raste shumë të rëndësishme në proceset gjyqësore ndaj gjeneralit kroat, Ante Gotovina, liderit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiqit, Momçilo Krajishnikut, Darko Mërgjas dhe Biljana Pllavshiqit.

Po ashtu, Tieger ka qenë i përfshirë në gjykimin e rastit të Dushko Tadiqit si dhe në çështjen gjyqësore të Ratko Mladiqit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm. (REL)

Lini një Përgjigje

Ugur Sahin i bindur se nga mesi i vitit të ardhshëm mundet pandemia

Varreza e krishterë ilire -arbërore e Carrallukës së Istogut