in

Çfarë do të ndodhte nëse Shqipëria do të bëhej Shteti Hebre?

Ideja u krijua nga një gazetar sionist britanik, Leo Elton, i cili udhëtoi në Shqipëri në 1935. – Shkrim i gazetës izraelite “Ha’haretz”

Nga Nir Hasson, Haaretz

Në vitin 1935, gazetari sionist britanik Leo Elton udhëtoi për në Shqipëri, me sa duket me nismën e tij, për të parë nëse do të ishte e mundur të krijohej një entitet kombëtar hebre atje. Duket se e vetmja gjurmë e mbijetuar e udhëtimit të tij është raporti i tij, 10 vjet më vonë, drejtuar presidentit të parë të Universitetit Hebraik, Judah Leib Magnes. Dokumenti qëndron në Arkivin Qendror për Historinë e Popullit Hebraik në kampusin e Universitetit Givat Ram në Jerusalem.

Udhëtimi i Elton u nxit nga persekutimi në rritje i hebrenjve gjermanë pas dy vitesh nën regjimin nazist dhe refuzimi i Britanisë për të rritur kuotat e emigracionit hebre në Palestinën e Mandatuar. Elton shkruan se së pari ai lexoi për këtë ide në gazetat britanike, që raportonin se qeveria shqiptare e kishte mirëpritur emigracionin hebre.

Kështu ai udhëtoi në vendin e vogël me 1 milion banorë, i cili ishte plotësisht i shkëputur nga Europa e industrializuar. Një ministër i Qeverisë i tha atij se “në Shqipëri intoleranca fetare është krejt e panjohur …. Muslimanët shqiptarë të sotëm nuk janë fanatikë”.

Ministri theksoi gjithashtu se, në kontrast me pjesën tjetër të Europës, Shqipëria nuk kishte histori antisemitizmi. “Nuk ka asnjë arsye që kolonët hebrenj të mos jetonin në harmoni të plotë me elementët e ndryshëm të popullsisë,” shkroi Elton.

Opsioni shqiptar kishte edhe përparësi ekonomike. Toka ishte jashtëzakonisht pjellore, dhe nëse do të përdoreshin metoda moderne bujqësore, ajo mund të siguronte lehtësisht nevojat e pesë milionë njerëzve.

Portokallet dhe limonët, entuziazmohej Elton, ishin më të mirët në botë, dhe suksesi i hebrenjve në rritjen e portokallit në Izraelin para-shtetëror mund të përsëritej në Shqipëri. Sugjerime të tjera përfshinin rritjen e duhanit dhe rritjen e krimbave të mëndafshit, si dhe ndërtimin e industrive të tekstilit dhe vajit të ullirit. Ana më pak pozitive, sipas Elton, ishte se Tirana, kryeqyteti, nuk kishte teatro apo salla koncertesh.

“Unë besoj se nëse burra dhe gra të tillë do të ishin pionierë të llojit të duhur, ata do të arrinin shpejt jo vetëm prosperitetin material, por edhe respektin dhe vullnetin e mirë të shqiptarëve,” i shkruan Elton Magnes-it. Ai tha se “gjatë pak viteve, jo qindra, por mijëra hebrenj nga të gjitha sferat e jetës mund të vijnë këtu.”

Si fazë e parë Elton rekomandoi krijimin e një entiteti kombëtar hebre në Shqipëri si ai në Palestinën e Mandatuar, me bashkëpunimin e dy lëvizjeve sioniste. Më vonë Shqipëria madje mund të kthehet në një shtëpinë kombëtare hebreje.

Nuk dihet se çfarë u bë me idenë, nëse ndonjë organ zyrtar e diskutoi atë dhe nëse Magnes-i madje u shqetësua t’i përgjigjet Elton-it. Hebrejtë, në çdo rast, nuk emigruan në një numër të madh në Shqipëri. Hadassah Assouline, drejtoreshë e arkivit, thotë se raporti me siguri i është dorëzuar Universitetit në vitin 1945 në mes të problemit të refugjatëve në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Si për ironi, vlerësimi i lartë i Elton për shqiptarët u vërtetua gjatë Holokaustit: Ata shpëtuan komunitetin e vogël hebre të vendit, deri te anëtari i tij i fundit.

Përkthimi nga: Politiko.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Xhudistet kosovare dhe izraelite, seanca të përbashkëta stërvitore në Izrael

Si e njoha Xhafer Devën