“Vjedh një herë – paguaj punëtorët, vjedh të dytën herë – paguaj punëtorët, vjedh tani e tentoni që ato para t’i paguajnë punëtorët: harrojeni”, tha kryetari i SPT, Lamih Balaj.
Qindra punëtorë të kompanisë kosovare publike Postë dhe Telekomi i Kosovës (PTK) kanë protestuar para Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me bllokimin e llogarive bankare dhe siç kanë konsideruar ata “zhvatjen e PTK-së”.
Përpos xhirollogarive të cilat u janë bllokuar që nga tetori i këtij viti, punëtorët po i kërkojnë edhe pagat e tyre, të cilat nuk i kanë marrë për dy muaj.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj tha se janë qeveritarët ata të cilët me vite e kanë menaxhuar Telekomin e Kosovës dhe “me fajin e tyre sot jemi një prej ndërmarrjeve që na janë bllokuar xhirollogaritë”.
Balaj tha se punëtorët e PTK-së në çdo moment janë të rrezikuar të humbin vendin e punës, ngase tashmë është bërë muaji i dytë që nuk kanë marrë paga.
“Sot, ne nuk kemi dalë këtu për ta rrëzuar qeverinë, as nuk kemi dalë në emër të ndonjë partie politike, as nuk kemi dalë për qejf, por kemi dalë t’ju tregojmë se sa herë vjedhin njerëzit në Kosovë, Telekomi nuk mund ta mbajë atë barrë. Vjedh një herë – paguaj punëtorët, vjedh të dytën herë – paguaj punëtorët, vjedh tani e tentoni që ato para t’i paguajnë punëtorët: harrojeni!”, tha Balaj, duke shtuar se djersa e tyre nuk do të keqshfrytëzohet më.
Llogaritë bankare të Telekomit janë bllokuar më 26 tetor të këtij viti ndërsa mjetet janë tërhequr nga kompania “Dardafon”, kompania amë e Z-Mobile, si pasojë e borxhit ndaj saj.
Gjykata e Prishtinës kishte vendosur që Z-Mobile, Telekomi t’i lëshonte numeracion shtesë dhe t’i paguajë gjobën prej mbi 25 milionë eurosh në emër të shpagimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së arbitrazhit.