in

Arrestohet Naim Murseli, i dyshuar në vrasjen e bashkëshortes

(E plotësuar) Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se kanë arrestuar dy persona, të cilët lidhen me vrasjen e një gruaje në rrugën “Dalip  Alshiqi”, në Prishtinë, të mërkurën në mbrëmje.

Mësohet se njëri nga të arrestuarit është Naim Murseli, bashkëshorti i gruas së vrarë, Liridona Murseli, si dhe një person tjetër.

Lidhur me këtë ngjarje, përmes rrjetit social Facebook, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila falënderoi angazhimin e policisë dhe të prokurorisë në zbardhjen e këtij rasti të rëndë.

Ministrja Haxhiu tha se kriminelët do të përballen me drejtësinë.

“Me punë intensive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës, Liridonës, i cili, sipas dyshimeve, ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje. Vlerësoj lartë angazhimin e policisë dhe prokurorisë për sqarimin e rrethanave që çuan në zbardhjen e këtij krimi të rëndë, që mori jetën e të ndjerës, Liridonës. Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”,ka shkruar mes tjerash, ministrja Haxhiu”, ka shkruar ministrja Haxhiu në Facebook.

Arrestohen dy persona të dyshuar për vrasjen e gruas në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar, të premten, se ka arrestuar dy persona të cilët lidhen me vrasjen e një gruaje në rrugën “Dalip  Alshiqi” në Prishtinë të mërkurën në mbrëmje.

“Si dihet, me datën 29.11.2023, rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip  Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë  një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka sqaruar për RTK, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim  dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit, ka thënë ajo.

“Pas përfundimit të  ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar  lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, njofton zëdhënësja e Policisë  së Kosovës.

Siç është raportuar më herët viktimë ishte gruaja e Naim Murselit, ish këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit. Rasti dyshohej  të ketë ndodhur pas një incidenti, ku familja Murseli është përballur me disa grabitës.

Sipas informacioneve të para, Murseli bashkë me gruan kanë qenë në veturë, ku si pasojë e të shtënave, gruaja e tij mbeti e vdekur, kurse ai dhe fëmijët kishin shpëtuar.

Lini një Përgjigje

Vuçiqi edhe me shenja të paranojës !

Grabitësit e argjendarisë në Suharekë sillen në gjykatë