Një grua e imët dhe e thjeshtë mbërrin në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Në dorë tre-katër libra me ngjyra dhe ilustrime për fëmijë. “Ne tani lexojmë vetë: Tregime, përralla e poezi”, “Eni me syçka si liqeni”, “Përrallëzat e shkronjave”, “Sa shtëpi ka dielli” e “Si e gjete folenë moj dallëndyshe”. Në moshën 81-vjeçare, me një pamje të paqtë dhe ligjërim të urtë, Adelina Mamaqi, shkrimtare e poete që prej vitit 1963, vijon të shkruajë e të promovojë letërsi për fëmijë. Në një takim me drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit, Alda Bardhyli, që ka nisur bashkëpunimet me autorët e traditës, Mamaqi, vuri theksin te nevoja e mesazheve për të edukuar të vegjlit. “Duhen libra me mesazhe për të vegjlit. Duhet të jenë edukativë”, – tha ajo. Mamaqi u ndal edhe te zbehja e rolit të redaktorit dhe mangësitë e librave shkollorë që shpesh heqin emrat e autorëve. “Kam parë libra që heqin emrin e autorit të poezisë; më vjen keq, sepse fëmijët duhet ta njohin autorin e veprës. Ndërsa redaktori është po ashtu shumë i rëndësishëm. Unë kujtoj kur erdhi në shtëpi botuese një shkrimtar për fëmijë që tashmë është i njohur, Gaqo Bushaka. Vura re që kishte shkëndijë dhe luftova që të botohej, edhe pse drejtori i shtëpisë botuese atëherë nuk donte. Bushaka më ishte shumë mirënjohës, por unë e pashë talentin te ai. Redaktori është një lloj gjysmëautori a bashkautori me ndërhyrjet e orientimet që jep. Ajo që duhet të ketë shkrimtari ,sidomos në poezi, është finesa e gjuhës. Më është dashur shpesh si redaktore, sidomos këto vitet e fundit, që të bëj pothuaj rishkrim nga fjala e parë deri tek e fundit”, – tha Mamaqi.Gjatë bisedës me gazetarët, Mamaqi foli për librin e parë me poezi, botuar më 1963. “Ishin poezi dashurie. Çuditërisht u pritën mirë nga të gjithë, edhe nga kritika. Kujtoj që atëherë shkroi edhe Dritëro Agolli. Më pas u bëra nënë dhe u fokusova te letërsia për fëmijë”. Mamaqi, rrëfeu se nuk ka qenë frika e censurës që e çoi te letërsia për moshat e vogla, siç ka ndodhur me shumë shkrimtarë të tjerë, që për t’u ikur vëmendjes dhe censurës që pësonte letërsia për të rritur, strehoheshin nën ombrellën e asaj për fëmijë. “Jo, unë e doja letërsinë për fëmijë dhe mbase ndikoi fakti që u bëra nënë. Unë ju thashë që poezitë e mia të dashurisë në vitin 1963 u pritën mirë, sigurisht kisha edhe poezitë-pasaportë që ishin për partinë etj.”, tha ajo. Njëherësh Mamaqi iu përgjigj interesit për poezitë e para ‘90-ës, mbi Enverin e Partinë, që kanë hapur debat së fundmi, duke përfshirë një sërë emrash që kanë shkruar në dy kohë, para e pas ‘90-ës.“Poezitë për partinë e dashur ishin të detyrueshme. Do shkruaje për partinë, për klasën punëtore, për luftën në Vietnam e për të gjitha temat që kërkoheshin atë kohë. Do i shkruaje patjetër”, – tha ajo.E pyetur nëse shkrimtarët e para 1990-ës që kanë shkruar poezi për partinë e Enver Hoxhën, për temat aktuale të kohës që sot, shihen me lupën ideologjike dhe atë të propagandës, siç edhe ishin, Mamaqi thotë se “jo, nuk ka arsye për ‘mea culpa’, nuk ishte me dëshirë. Ato ishin të detyrueshme, nuk pyeteshe”.Shkrimtarja e njohur dhe e dashur e dhjetëra librave për fëmijë, rrëfen një ndodhi personale.
“Unë isha në Komitetin e Rinisë dhe punoja në shtëpi botuese, kur kushëriri im Dashnor Mamaqi u arrestua. Atëherë disa kolegë të mitë, nga zilia mbase, çuan emrin tim që të më hiqnin të drejtën e botimit. Kishte folur Ramiz Alia e kishte kundërshtuar, duke thënë se mua nuk mund të më hiqej e drejta e botimit, sepse kisha bërë shumë libra për fëmijë dhe isha në libra të shumtë me poezi, dhe nuk ma hoqën të drejtën e botimit”.Ajo kujton edhe poezinë me porosi dhe trysninë për t’u bërë anëtare partie.“Ju tregoj një ngjarje. Kur vdiq Enveri, më morën në telefon nga Komiteti Qendror e më thanë se duhej të shkruaja një poezi për shokun Enver. Çfarë mund të bëja unë?! Doje apo nuk doje, do e shkruaje”.Ajo tregoi edhe rastin kur mundi të refuzonte të bëhej anëtare partie dhe pretekstin me të cilin refuzimi iu pranua. “Më kërkuan tri herë të bëhesha anëtare partie. Unë refuzova. Njëherë gjeta rast meqë po divorcohesha dhe iu thashë që ‘unë kam fëmijët e vegjël, 1 e 3 vjeç tani, nuk kam mundësi të merrem edhe me punën, edhe me fëmijët, edhe me partinë’. Gjeta një shkak që ma pranuan dhe sigurisht që unë nuk doja”, – tha ajo.Debati për letërsinë e para ‘90-ës, u hap nga Lisandri Kola, gjatë procesit të përzgjedhjes së “Poetit Laureat”.Përmbledhje me vjersha të shkurtra për kafshët, që nëpërmjet tyre, fëmijët mësojnë artistikisht një vjershë dhe në të njëjtën kohë njihen me kafshë të rralla si një lloj enciklopedie poetike për fëmijë është një prej librave të Mamaqit. Libri “Lodërzat e alfabetit” iu mëson fëmijëve 36 germat e alfabetit, nëpërmjet vjershëzave dhe ilustrimeve me ngjyra. Vjershëzat mund të përdoren, sipas alfabetit, për t’u recituar në festën e Abetares. “Jeni në klasë të parë! Sapo keni mbaruar abetaren! Antologji e dedikuar për fëmijët që sapo kanë mësuar të lexojnë! Tashmë mund të lexoni vetë librin tuaj! Praktikoni leximin dhe argëtohuni me historitë e bukura!”, është një tjetër prej librave. (GSh)