Nga Sherif Ramabaja
Na ishe njëherë një kryeministër shqiptar Rama, i cili në filim me qëndrimet e tij i pat fituar zemrat e shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, po edhe në Kosovë, Luginë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë.
Mendimi ishte se shqiptarët me një kryeministër të tillë do të ecnin me një dinamikë drejt zhvillimit, afrimit të popullit, mbrojtjes së çështjes së Kosovës, avancimit të statusit për shqiptarët në Maqedoni dhe të drejtat elementare për Luginën.
Ditët, javët, muajt dhe vitet kalonin kurse shqiptarët erdhën dita – ditës duke u zhgënjyer në kryeministrin e tyre i cili premtonte shumë, dukej vizionar dhe ishte shpresa e shqiptarëve për ndryshim.
Pjesa dërmuese e shqiptarëve sidomos në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë nuk mund t´i besonin vetes, kur kryeministri Rama filloi të lidhte miqësi me kryetarin e Serbisë, i cili ishte ish zëdhënës i kriminelit Miloseviq.
Edhe perëndimi kishte provuar një miqësi të tillë me Putinin, me shpresë se ndryshon, po ai botën sot po e kërcënon edhe me arsenal atomik.
Rama shkoi aq larg sa u pajtua edhe me ndarjen e Kosovës, edhe pse këtë ai e mohon. I akuzonte shqiptarët e Kosovës duke i fyer se, nuk po punojnë për të ardhmen, por po mbesin peng e së kaluarës.
Ftonte këngëtar serb, i cili e përkrahte Putinin në aneksimin e Krimesë dhe të njejtit i dhuronte çelësin e Tiranës.
Kjo i dukej pak dhe po këtë këngëtar e ftonte në hapjen e Festivalit të Birrës në Korçë dhe pse shqiptarët për këtë protestonin.
Nga mllefi pse shqiptarët nuk pajtoheshin me qëmdrimet e tij, po protestonin, i quante fashistët shqiptar.
Kjo na e kujtonte kohën kur Enver Hoxha gjatë Luftës së Dytë Botërore i kishte dërguar partizanët në Kosovë të cilët i pushkatonin kosovarët, sepse nuk u bindeshin serbëve çetnik, të veshur me uniforma partizane.
Kryeministri shqiptar nuk u ndal me kaq. Ai iu bashkua kryetarit të Serbisë Vuçiq në idenë e tij për Open Ballkan.
Përsëri e tërë Kosova protestonte dhe kryeministrit Rama i thoshte : ja ku është ujku, kurse ai përgjigjej: unë po e shoh gjurmën (tragun ).
Sot jemi këtu ku jemi. Satrapi dhe diktatori Putin po e sulmojnë Ukrainën, kurse miku i ngushtë i Ramës Vuçiq, kërkoi kohë të vendoste se kujt t´i bashkohej.
Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Luginës dhe të Malit të Zi e dinin fort mirë qëndrimin e Vuçiqit, se kujt do t´i bashkohej.
Ndoshta i vetmi Rama është lutur që të vendoste ashtu si vendos mendja e shëndosh e njeriut, po Vuçiq ka një mentalitet të njejtë me Putinin.
Edhe Vuçiq si Putini është i paparashikueshëm, gënjeshtar, mashtrues, autokrat, diktator dhe vrasës.
Ky i ka të gjitha këto cilësi, vetëm e pret momentin t´i zbatoi planet e tij gjenocidiale.
Këtë shqiptarët e ish Jugoslavisë e dinë, sepse e kanë përjetuar në kurrizin e tyre, po e kanë vështirë ta bindin kryeministrin shqiptar Rama, i cili mendon se ai gjithmonë ka të drejtë.
Ndoshta sot të gjith këta shqiptar e parashtrojnë pyetjen e njejtë: si do të përfundoi miqësia e Ramës me Vuçiqin ?!