Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili në një hartë të Kosovës kishte vënë flamurin e Serbisë. Hoti i ka cilësuar këto provokime nga shteti i Serbisë, ndërkaq Kosova po vazhdon sigurt rrugëtimin drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO, në Bashkimin Evropian dhe institucione tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
“Deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregon qasjen destruktive që ka pasur në vazhdimësi fqinji ynë verior në raport me Republikën e Kosovës, përkundër zotimeve të shumta që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.
Megjithë provokimet që vijnë nga fqinji ynë verior, Republika e Kosovës, përmes angazhimit dhe vendosmërisë, sigurt po vazhdon rrugëtimin drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO, Bashkimin Evropian dhe në të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti.


