Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, është njoftuar në Qendrën e Situatave lidhur me gjendjen në komunat të cilat janë përballur me vërshime ditëve të fundit, e cila është nën kontroll.
Edhe pse, vërshime ka pasur në një numër të konsiderueshëm të komunave, fatmirësisht përpos dëmeve materiale, vlerësimi i të cilave do të bëhet ditëve në vazhdim, nuk ka pasur të lënduar dhe as viktima në njerëz.
Sipas të dhënave nga Qendra e Situatave, gjendja vazhdon të jetë e rëndë por me tendencë përmirësimi. Ekipet e Xhenios, Kompania për Operacione Civile e FSK-së si dhe Njësitet e Ekipeve të Zjarrfikësve dhe të Shpëtimit, janë duke i ndihmuar banorët në zonat e prekura nga vërshimet.
Gjatë ditës kanë vazhduar intervenimet e Njësiteve të Kërkim Shpëtimit dhe të xhenios së FSK-së në një lokacion në komunën e Fushë Kosovës dhe në dy lokacione në komunën e Vushtrrisë.
Ndërsa Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, ka zhvilluar operacione për largimin e ujit nga objektet me rendësi vitale siç janë Klinika e Pulmologjisë në QKUK, KEK-u, Trafostacioni Interkonektiv në Drenas dhe Spitali i Gjinekologjisë në Çagllavicë.