Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 25 prillit. Organizata do të paraqesë kandidaturat e saj në të 12 qarqet e vendit.
Nga kjo lëvizje nuk do të garojnë vetëm anëtarët e partisë, por edhe qytetarë të angazhuar të cilët dëshirojnë t’u dalin përballë 2 partive të mëdha. Lëvizja Vetëvendosja ka paralajmëruar edhe një kundërshtim në Gjykatën Kushtetuese të ndryshimeve që iu bën ligjit themeltar në muajin korrik me qëllim për të hapur listat.
Anëtari i bordit të kësaj organizate në Shqipëri, Klejd Këlliçi tha në një intervistë për Euronews Albania se kandidatët që do të garojnë në çdo qark do të jenë të pavarur, por do të kenë edhe mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas z. Këlliçi, ky është një shans i mirë për të paraqitur anën tjetër të sistemit.
“Ne si Lëvizje kemi një vizion ekonomik, social për zhvillimin e vendit, kjo do të jetë pjesë e fushatës elektorale. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve janë ato për të cilat duhet të garohet në një skenë normale politike, që nga pastërtia e figurës e deri tek integriteti.
Brenda këtij procesi do të marrin pjesë edhe anëtarë të lëvizjes. Është diçka e ndërmjetme, për të promovuar anëtarët e Lëvizjes dhe për të zgjedhur figura të denja në çdo qark.
Ne kërkojmë që në çdo qark të kemi kandidatë me një peshë të caktuar. Këtu ka një doza skepticizmi, por ky është një shans i mirë për të paraqitur anën tjetër të sistemit. Ky sistem e fsheh fytyrën e personave që garojnë, ky është një shans i mirë për zgjedhësin ta njohë kandidati dhe të votojë për të”, tha z. Këlliçi.
Ai e përjashtoi mundësinë që në emër të Vetëvendosjes të garojnë persona me probleme të pastërtisë së figurës, ndërsa theksoi se me pjesëmarrjen në këto VV synon përfaqësimin, jo votën.
“Vetë natyra e lëvizjes nuk e lejon pjesëmarrjen e personave me probleme të pastërtisë së figurës. E pamundur që të ketë influkse të tilla, ne synojmë përfaqësimin, jo votën”, tha ai.
Vendimi për të mos dalë si një subjekt politik, z. Këlliçi e lidh me llojin e sistemit politik në Shqipëri që është problematik për subjektet e reja dhe me natyrën e lëvizjes, që edhe në Kosovë lindi si lëvizje shoqërore dhe sistemi bëri që të kthehet në parti politike.


