in

Zvicra e fiton Eurovisionin 2024

Zvicra e ka fituar Festivalin e Këngës Eurovision 2024 të shtunën në Malmo të Suedisë, duke e lënë mbrapa Kroacinë, e cila ishte ndër kandidatet kryesore për ta fituar garën.

Festivali i sivjetmë, megjithëse u cilësua si festim i diversitetit evropian, ka marrë vëmendje politike, pas thirrjeve për përjashtimin e Izraelit nga gara për shkak të luftës së ushtrisë së tij në Rripin e Gazës, e cila u nxit nga një sulm vdekjeprurës më 7 tetor nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Nemo, 24 vjeç, e fitoi garën me këngën “The Code”, e cila ka të bëjë me rrugëtimin e Nemos për ta zbuluar veten si një person jo-binar (dikush që nuk e identifikon veten as burrë, as grua).

“Shpresoj se kjo garë do t’i përmbushë zotimet e veta dhe do të vazhdojë ta ngrejë zërin për paqe dhe për dinjitetit për secilin njeri në këtë botë”, tha Nemo, pasi e mori trofeun e Eurovisionit në skenë.

“’The Code’ ka të bëjë me rrugëtimin që e nisa duke e kuptuar se unë nuk jam as burrë, e as grua”, tha Nemo.

Triumfi i Nemos në Eurovision ishte i treti për Zvicrën në histori dhe i pari prej vitit 1988, kur e kishte fituar për Zvicrën këngëtarja kanadeze Celine Dion.

Baby Lasagna i Kroacisë, emri i vërtetë i të cilit është Marko Purisiq, doli i dyti me “Rim Tim Tagi Dim”, një këngë për një të ri, i cili largohet nga shtëpia me shpresë për t’u bërë “djalosh i qytetit” me mundësi më të mira.

Alyona Alyona dhe Jerry Heil nga Ukraina e zunë vendin e tretë.

Eden Golan e Izraelit përfundoi e pesta në garë, me gjithë thirrjet e demonstruesve që Izraeli të përjashtohej nga festivali. Gjatë paraqitjes së saj pati fshikullima, por edhe duartrokitje.

Fishkëllimat u dëgjuan edhe kur juria izraelite i dha pikët e saj.

Disa mijëra protestues u mblodhën në qendër të Malmos para finales të shtunën, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke brohoritur “Eurovisioni është i bashkuar nga gjenocidi” – si përgjigje ndaj sloganit zyrtar të festivalit “Të bashkuar nga muzika”.

Disa qindra njerëz protestuan më vonë pranë vendit ku u mbajt festivali, duke brohoritur “Eurovision, ju nuk mund të fshiheni, ju e mbështesni gjenocidin”.

Njëzet e pesë vende garuan në finalen e së shtunës, pasi artisti holandez Joost Klein u përjashtua pak para se të niste finalja, për shkak të një ankese që e kishte bërë një anëtar i ekipit të produksionit.

Lini një Përgjigje

Ftesa e Shqipërisë për Serbinë ‘shokoi’ të gjithë!

“Bubulina ishte shqiptare”/ Rama tërbon grekët!