in

“Zogjtë e qyqes” trajton periudhën më të dhimbshme të kombit tonë

Gani Mehmetaj, „Zogjtë e qyqes“, laureat i çmimit “Kadare” 2021, botuar nga Uetpress, Tiranë.

Shkruan: Dibran Demaku, shkrimtar 

Kur sekretari i Lidhjes sonë, zotëri Pal Sokoli mu drejtua me kërkesën që mundësisht të bëja prezantimin e romanit të Gani Mehmetajt, të them të drejtën, në fillim isha në mëdyshje. Në mëdyshje për dy arsye: e para kishte të bënte se nuk e kisha në dispozicion krijimtarinë letrare të zotëri Mehmetajt dhe e dyta ishte fakti se romanin e jashtëzakonshëm “Zogjtë e qyqes” nuk e kisha të “prekshëm”, si të thuash fizikisht, nuk e kisha si libër. Atë, pra romanin në fjalë e kisha vetëm në emailin e adresës sime dhe atë falë mikut tim dhe tuajit Xhevat Ukshinit, i cili ma kishte dërguar në mënyrë elektronike në adresën time. Më duhet të them se për mua personalisht ishte ky një handikap i llojit të vet, por dëshira për t’i thënë ca fjalë për këtë roman të jashtëzakonshëm, këtu para jush sikur e mundi atë mëdyshjen e fillimit. 

Duke lexuar prozën apo romanin e Mehmetajt me titull simbolik “Zogjtë e qyqes”, prozë kjo që për temë ka një periudhë të dhembshme të kombit tonë dhe të atdheut tonë të quajtur-Kosovë. Dhe është ndër periudhat më të dhembshme dhe më të vështira, që lirisht si e tillë ka mundur që të na zhduk fizikisht si komb dhe si vend. Është  kjo periudhë për të cilën në letërsinë artistike është shkruar pak, tmerrësisht pak. Andaj, romani i Mehmetajt, na vjen si balsam për atë periudhë të vështirë dhe tepër të errët për ekzistencën tonë. Duke e lexuar këtë prozë, na bie ndërmend ajo thënia lapidare e të përndritshmit Faik Konica kur thotë se “Shqipërinë e shpëtoi rastësia”. Unë me këtë vogëlsinë time do të shtoja se “Kosovën dhe popullin e saj në radhë të parë e shpëtoi rastësia por edhe përpjekjet mbinjerëzore të gjyshërve dhe etërve tanë. Nga kjo prozë e Gani Mehmetajt do të mësojmë më shumë se nga historia për kolonizimin e vendit tonë nga ata që na kishin pushtuar dhe të cilët me elaborate të ndryshme e synonin zhdukjen tonë. Unë personalisht nuk kam ditur asgjë nga kolonizimi i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, të cilën në histori e kishim mësuar si Luftë nacionalçlirimtare. Mehmetaj me romanin e tij “Zogjtë e qyqes” na tregon pikërisht për këtë kolonizim. Vetë titulli i librit bën fjalë për Qyqen që e bën vezët në çerdhe të huaja, me synimin që pastaj t’i uzurpojë ato. Serbia që nga pushtimi i trojeve etnike shqiptare, në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti me synim që ta ndërronte përbërjen etnike të saj kishte sjell kolonë nga pothuajse nga e gjithë hapësira e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene në fillim dhe pastaj nga hapësira e së ashtuquajturës Jugosllavi socialiste. Dhe ky ishte kolonizimi i dytë dhe mbase edhe më tragjik se i pari. Themi edhe më tragjik, sepse bëhej në hundën e atyre që kishin dal fitues në Luftën e Dytë, kur ishte trumbetuar me të madhe se tash e tutje popujt do të jetonin në harmoni e barazi. Veçse ëndrra serbe e nisur pak vite para luftës së madhe për t’i shpërngulur shqiptarët dhe në tokat e tyre për të mbushur me kolon serb nuk ishte shuar asnjëherë. Dhe pikërisht me këtë temë merret edhe romani “Zogjtë e qyqes” i Gani Mehmetajt. Si njohës i mirë i historisë tragjike të shqiptarëve të Kosovës, Mehmetaj na ka dhënë një roman me vlera artistike, historike dhe kombëtare. Me këtë temë, temën e kolonizimit të trojeve shqiptare, me kolonë serbë e malazezë, krijimtaria jonë letrare është marrë pak, tmerrësisht pak. Këtë zbrazëti artistike të kësaj tematike e ka plotësuar Ganiu me romanin e tij brilant. 

Personazhi kryesor i romanit është Dragani, apo Gagi, i cili si fëmijë vjen në Kosovë me familje me një grup kolonësh. Si fëmijë që është ai rrëfen ngjarjet në mënyrë reale, pa asnjë ngarkesë nacionaliste. Në fillim ai është i bindur se në tokat ku vendoseshin ishin të tyre, sepse kështu ua kishte paraqitur propaganda shtetërore. Edhe pse kishte dëgjuar se para tyre në ato toka kishin jetuar të tjerë, meqë ata të tjerët, që do të thotë shqiptarët, kishin humbur të drejtën që të jetonin më tutje në ato troje, sepse si bashkëpunëtorë të armikut, kishin humbur luftën bashkë me armikun. Për këtë i kishte folur sa e sa herë edhe babai i tij, i cili kishte ardhur kohë para tyre që ta pastronte terrenin prej mbeturinave, siç thoshte ai, armike. Dikur si i ri e kupton se ata i kishin vendosur në tokë të huaj. Megjithate  nuk e humb ekuilibrin dhe nuk i urren vendësit, që janë shqiptarët. Me realitetin që përjetonte ai rrëfen: “Shqiptari e urrente serbin e malazezin dhe ishte i sigurt se ka të drejtë. Serbi e urrente shqiptarin e boshnjakun, ndërsa malazezi i urrente të gjithë, por ishte figurant i serbit. Boshnjakun nuk e donte as shqiptari, por nuk e urrente, më dukej se kishte një hatërmbetje. Boshnjaku ndihej keq para shqiptarit , një ndjenjë faji që i përshkonte këto marrëdhënie”. 

Syzheun e këtij romani Mehmetaj e vendos në qytetin e Pejës, që ai nuk e emërton si të tillë, por që nënkuptohet. Si njohës i rrethanave të të jetuarit në atë qytet, së bashku me kolonë të ardhur me detyrim nga pushteti serb, Ganiu, na ka dhënë një roman brilant. I tërë romani është i shkruar në vetën e parë, që do të thotë se është rrëfimi i kryepersonazhit, me përjashtim të ndonjë dialogu në mes kolonëve, në ndeja të ndryshme. Stili i të rrëfyerit është aq i ëmbël saqë kushdo që fillon ta lexojë, nuk mund të ndalet, por edhe nëse e ndërpret leximin pas disa oresh, pas një pushimi të shkurtër e rifillon sërish leximin. Ngjarjet e paraqitura në roman janë aq të afërta, saqë ne bashkëmoshatarëve të Ganiut, sikur na vizatohen në mendje, sepse të tilla i kemi në mbamendjen tonë. 

Si përfundim, personalisht do të thosha se ky roman është njëri ndër më të rëndësishmit në krejt letërsinë shqipe. Edhe për tematikën edhe për stilin e shkrimit. Si i tillë ai duhet të botohet e ribotohet dhe përkthehet në gjuhë të ndryshme të njerëzimit.

Autori është  kryetar i Lidhjës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani (LSHAKSH)

Nga promovimi i romanit në Dyseldorf (Gjermani).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Vatra, thirrje qeverisë së Kosovës të zbatojë kërkesat e Uashingtonit

Kur Bekim Fehmi vizitoi Shqipërinë