in

“Zogjtë e qyqes” është një risi jo vetëm në letrat shqipe

 

Suela Mino, UETPRESS

Fituesi i Çmimit kombëtar “Kadare 2012” , “Zogjtë e qyqes” i Gani Mehmetajt ka spikatur me mjeshtërinë letrare në rrekjen artistike të një teme të mprehtë e me ndjeshmëri të lartë, siç është ajo e kolonëve serbë në Kosovë. “Zogjtë e qyqes” është një risi jo vetëm në letrat shqipe. Romani do të shënjonte një urë të re komunikimi për krejt hapësirën ballkanike dhe më gjerë atë europiane, ndërsa personazhi kryesor i tij, i ndërtuar nga një autor shqiptar, është një serb me të gjitha ngjyresat e ndjeshmërisë dhe përpëlitjes psikologjike njerëzore, bartës i fatit të kolonit ndër breza.

“Mbase ne duhej të përpiqeshim më shumë që të afroheshim me vendës, mbase edhe ata nuk duhej të na prisnin me armiqësi. Sikur ne ta flaknim mendjemadhësinë shterpe.

Sikur ata të mos na përbuznin në heshtje; një përbuzje therëse, shtypëse dhe acaruese. Ajo që më godiste ishte nënçmimi. Ata na nënçmonin, na quanin katundarë me gjysmë opinge që u bëmë të kamur në kurriz të tyre. Heshtja dhe përbuzja të vrisnin.

Pastaj i thosha vetes: Pse, me lule duhej të na prisnin? Nuk na e patën ata fajin. Mund të tregoheshin më të sjellshëm ndaj nesh, por ne nuk i trajtonim njerëzisht. Ishim fitimtarët që nuk ecnim nëpër tokë. Ne fluturonim, ose edhe më keq, shkelnim mbi ta.” – përsiatet koloni serb në faqet e romanit “Zogjtë e Qyqes”.

Një kolon serb rrëfen Kosovën në vetë të parë: Si e kanë përjetuar serbët Kosovën? Sa u ka peshuar fati i kolonit, në një tokë që e dinin se nuk ishte e tyrja? Çfarë i mbetet Njeriut, kur bien ideologjitë dhe ndërrohen pushtetet? A ka kombësi dashuria? Çfarë vlere ka jeta, aty ku mbretërojnë urrejtja, përbuzja e dasitë? A mund të shohim me sytë e ‘tjetrit’, të vërtetën që dimë?

“Zogjtë e qyqes” është një rrëfim ndryshe, që lexohet me një frymë e të lë pas shtjellë të re mendimi. Një shkrimtar shqiptar, njohës shumë i mirë i kulturës dhe mendësisë ballkanike, veçanërisht asaj serbe, rrëfen me gojën e një serbi një realitet që në fakt tejkalon marrëdhëniet mes serbëve dhe kosovarëve; është një pikëvështrim që rrek gjithë hapësirën ballkanike.

Drejtues për rreth 15 vite i “Kosova Film”, autor i mbi 25 veprave në lëmin e letërsisë, eseistikës e publicistikë, Mehmetaj i është paraqitur lexuesit shqiptar me një vepër grishëse të rrëfyer me stil të spikatur, duke provokuar mendësinë tonë ballkanike me një pikëvështrim të ri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Fjalimi i Berishës para rikthimit të tij!

Aventurieri i fundit