Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Avni Mazreku në një përgjigje për lajmi.net tha se moskomentimi i këtyre zhvillimeve nga Izraeli është pasojë e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy këtyre shteteve.
Më tutje, Mazreku është shprehur se konsekuencat e një vendimi eventual për ndryshimin e mendimit lidhur me vendosjen e ambasadës do të ketë gjithashtu edhe pasoja më të mëdha sesa tërheqja e njohjes nga Izraeli.
Sipas tij, Izraeli ka pasur qasje konstruktive ndaj Kosovës dhe është një nga shtetet më serioze dhe më ndikim në rrafshin global.
“Sa i përket përgjigjes së Ministrisë së Jashtme të Izraelit që nuk i ka komentuar këto ngjarje në këtë fazë vjen prej asaj se qëndrimi i Kosovës është që vendosja e ambasadës të jetë në Jerusalem. E dyta, nëse Kosova ndryshon vendim sa i përket kësaj, mendoj se konsekuencat për Kosovën nuk duhet të shihen vetëm nga tërheqja e njohjes nga Izraeli sepse nuk besoj që një shtet serioz në marrëdhënie diplomatike si Izraeli do ta tërheq njohjen, është një nga shtetet që ka ndikuar në nivel global, në vendime që janë marrë në organizata të rëndësishme globale si OKB-ja, por konsekuencat për Kosovën edhe nëse nuk hiqet njohja, pasojat do të jenë më të mëdha sesa vet tërheqja e njohjes nga Izraeli.”, tha Mazreku për lajmi.net.
Mazreku gjithashtu tha se çështjet e tilla të marrëdhënieve bilaterale duhet të shihen më thellë dhe duhet të shihen sipas rolit që ka pasur Izraeli në shtetndërtimin e Kosovës dhe në procesin e artikulimit të sovranitetit të Kosovës në planin global.
“Ne e dijmë se lobi izraelit është ndër më të fuqishmet në botë dhe ndër lobet kryesore që ka ndikuar edhe në bombardimin atë kohë. Mendoj që roli i Izraelit ka qenë konstruktiv në shtetndërtimin e Kosovës dhe vet njohja e Kosovës në kohë më të vonë ka qenë në funksion të avancimit të njohjes së Kosovës nga disa vende të tjera pasi që njohja e Izraelit do të mund të ndikonte negativisht, por pasi Izraeli e pa se çfarë ndodhi gjithë këto vite, në këtë moment kur ka ndodhur njohja e Izraelit, si shtet ka qenë mjaft konstruktiv dhe ka ndikuar në avancimin e Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare. Këto çështje duhet të shihen në kontekst më të thellë, në kontekst strategjik të avancimit të Kosovës në planin ndërkombëtar dhe jo të kemi qasje siç jemi mësuar të shohim nga politikanët tanë në Kosovë.”, tha Mazreku.
Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, pasi që më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbinë në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump, pjesë e të cilit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Pjesë e marrëveshjes për njohjen ishte edhe zotimi i Kosovës për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem.