Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, së bashku me drejtuesit e klinikave, është takuar me specializantët që para pak kohe kanë filluar arsimimin specialistik. Ai në Facebook ka shkruar se Kosova është e bekuar me mjekët e saj që me ndershmëri dhe profesionalizëm kujdesen për mirëqenien shëndetësore.
“Në klinikat e ShSKUK-së që sot vizitova, së bashku me drejtuesit e klinikave, jam tepër i lumtur që takova specializantët që para pak kohe kanë filluar arsimimin specialistik. Jam tepër krenar sepse, kemi arritur të japim specializime sipas numrit dhe cilësisë, si asnjë herë deri më sot në historinë e ShSKUK-së.
Në klinikën e ORL-së, janë regjistruar 42 specializantë, në Gjinekologji dhe Obstetrikë 51 specializantë, Pulmologji 39 specializantë, në Mjekësi Emergjente 38, si dhe Anesteziologji me Mjekim Intensiv 44 specializantë.
Këta specializantë, do t’i shtohen radhëve të armatës së profesionistëve shëndetësorë kundër Covid 19, duke e ngritur përqindjen e mjekëve për numër të banorëve, me kushte të mira për të qëndruar në Kosovë, të aftësuar me dijet superiore në fusha të ndryshme, duke u vënë në shërbim të shëndetit të qytetarëve tanë.
Kosova është e bekuar me mjekët e saj që me ndershmëri dhe profesionalizëm kujdesen për mirëqenien shëndetësore” është shprehur Zemaj.