Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka zhvilluar një takim virtual me kryetarët e komunave, pas shtimit të numrit me të infektuar me koronavirus kohëve të fundit në Kosovë.
Minstri Zemaj ka shtuar se duhet të koordinohen me kryetarët dhe shtabet emergjente të nivelit lokal pa anashkaluar edhe institucionet qendrore. Madje në vikendin e fundit Ministria e Shëndetësisë pas rekomandimit të IKSHP mori vendim për karantimin e shtatë qyteteve, në mesin e tyre edhe Prishtina. Ai ka thënë se vendimet do t’i marrin në bazë të numrit të të infektuarve në secilën komunë.
“Në takimin virtual me kryetarët e komunave, biseduam për shqetësimet e ditëve të fundit dhe situatës epidemiologjike, si dhe për koordinimin e mëtejmë për respektimin e masave kundër virusit Covid-19”, ka thënë Zemaj.Sipas tij, nga java e kaluar kanë filluar me masa më të rrepta për disa qytete të Kosovës dhe do të vazhdojnë çdo ditë, me vendime operacionale, për komuna të caktuara në bazë të kategorizimit si pasojë e numrit të të infektuarve.
“Lakorja e rasteve të fundit na detyrojnë për kujdes të shtuar dhe aktiv. Kërkohet bashkëpunim i ngushtë me komunat e Kosovës me theks me kryetarët dhe shtabet komunale emergjente dhe po ashtu bashkëpunim i të gjithë mekanizmave të institucioneve qendrore dhe lokale për zbatim rigoroz të masave të dala nga niveli qendror, është i domosdoshëm. Kërkesat dhe rekomandimet do të jenë në funksion të luftës efikase kundër virusit Covid-19”, ka thënë Zemaj.