Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, tha se Kosova, më 7 dhjetor, ka aplikuar zyrtarisht në programin COVAX, për sigurimin e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Zemaj tha se dozat fillimisht do të jenë të mjaftueshme për 20 për qind të popullsisë.
COVAX është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit edhe në vende më të varfra.
Zemaj tha se kanë filluar kontaktet dhe negociatat edhe me kompani të tjera, por nuk e saktësoi se cilat janë ato.
“Duke ruajtur konfidencialitetin e kërkuar, nuk kemi mundur që në ketë fazë t’i paraqesim format ekzakte të negocimit dhe rrugëve të sigurimit të kësaj vaksine“, tha Zemaj.
Një ditë më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila para disa ditësh ka arritur në Serbi.