Fotoja që shihet lart, është përdorur për vite të tëra për të denigruar figurën e Xhafer Devës, si bashkëpunëtor të nazifashistëve, e madje edhe të çetnikëve. Por, e vërteta e fotos është krejt ndryshe.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas pushtimit të Mbretërisë së Jugosllavisë më 1941, pjesa më e madhe e trojeve shqiptare që ranë nën juridiksionin italian, bëhen Shqipëri. Megjithatë, disa pjesë të zonës kufitare në veri të Kosovës, përfshirë Sanxhakun, si dhe disa pjesë kufitare me Malin e Zi, bien nën juridiksionin gjerman.
Në Serbi vepronin forcat çetnike të Drazha Mihaloviqit, që zyrtarisht nuk e pranonte pushtimin gjerman, ama që ashiqare bashkëpunonte me ta. Këto forca vazhdimisht sulmonin vendbanimet shqiptare.
Një nga krerët çetnikë ishte Kosta Peçanci, emër i urryer për krimet që kishte kryer më parë në Kosovë. Ai ishte vojvoda që gjatë Luftës së Parë Botërore kishte marrëveshje me Azem Bejtën që ta luftojnë së bashku Austro-Hungarinë, gjoja se do të gjendet pastaj një zgjidhje për tokat e pushtuara shqiptare. Por, Bejta tradhtohet. Në një atentat Peçanci humb njërin sy nga plumbi i shokëve të Bejtës.
Luftimet kundër forcave çetnike në Shalë e në Bajgorë, ishin udhëhequr nga Ahmet Selaci e Mehmet Gradica. Luftimet e tilla të shumtën e herëve nuk i shqetësonin forcat gjermane, pos kur prekeshin interesat e tyre. Ndaj, më 20 tetor organizohet një takim mes sipërmarrësit, patriotit dhe intelektualit ndër të tjera të shkolluar edhe në Vjenë, Xhafer Deva, e çetnikut Kosta Peçanci. Ky i fundit, bazuar në përvojat e para të tij me shqiptarë e duke mos e njohur Devën, mendon se me lojë fjalësh e trillime për Bejtën dhe babanë e tij, mund ta bindte t’i nënshtrohet kërkesave të tij. Por, reagimi i Devës e tmerroi.
Shain Mehmeti, i cili po punon në një libër për Devën, rikthen në kujtesë, në gjuhën serbe, fjalët e Peçancit për atë takim (marrë nga një letër dërguar çetnikëve):
“Bijah u štab u Kuršumliji sa mojim četnicima, kad me pozvaše u Niš da prigovaram sa arnautima o granici! Otiđoh i tamo ga sretoh! Rekoh mu na arnautskome koga dobro znadoh, i nadah se da sa velikim pohvalama koje mogosmo sve arnautske vođe prisvojiti, i njega da pridobijemo: ‘Viđoh i sretoh sa Azemom (Bejta) u Mitrovici tvoga mudroga oca, koji verni arnaut bijaše i našu vojsku i srpsku vlast poštovaše, zato kumim te bogom, ako se i malo na njega ličiš, manite se Borčana i Bajgore koja je vekovima naša. Sa osmehom ispod njegovih đuzluka kojeg viđoh, sasvim mirno odgovoraše: ‘Slušah od moga oca puno o vama junačkoga! Ne brini se, sutra ću vam poslati na Borčane, moja dva mirna i razumna čoveka skojima, da se razgovara može, sa Ahmetom (Selaci) i Mehmetom (Gradića)”. Posle nekoliko dana svatih da će nam ovaj mali arnautin u buduće jebat sve srpsko sve do Niša, tamo gde njegovi preci već počivaju!”
Përkthimi dhe përshtatja e fjalëve në shqip, është kështu: “Me çetnikët e mi isha në shtab, në Kurshumli, kur më thirrën nga Nishi që me arnautët të flas për kufirin. Shkuam dhe aty e takuam. I fola arnautqe, gjuhën që e njihja mirë, me shpresën se me shumë lëvdata edhe atë do ta përvetësojmë, siç kemi mundur t’i përfitojmë të gjithë udhëheqësit arnautë. ‘Me Azem (Bejtën) e kam parë dhe takuar në Mitrovicë babanë tënd urtak, i cili si arnaut besnik që ishte e respektonte ushtrinë tonë, por edhe pushtetin serb. Ndaj, të lus si Zotin (përdor fjalën ‘Kumim te Bogom’, sepse kumbara te serbët cilësohet si diçka e shenjt, ndërmjetës mes familjes dhe të parëve; është shprehje që përdoret kur kërkon nga dikush të bëhet mik e mbrojtës, i nderuar gati sa Perëndia për kërkuesin, gjë që nuk do të duhej të refuzohej, sidomos nga shqiptarët e besës – v.j.), se nëse veç pak i ngjan atij, shmangu nga Borçani dhe Bajgora që me shekuj janë tonat’. Me një buzëqeshje poshtë syzeve të tij, të cilën unë e vëreja, qetë m’u përgjigj: ‘Për trimërinë tuaj kam dëgjuar shumë nga babai im. Mos u shqetësoni, se nesër ua dërgoj në Borqan dy njerëz të mi të qetë e të kuptueshëm, me të cilët mund të flasësh – Ahmetin (Selacin) dhe Mehmetin (Gradicën)’. Pas disa ditësh e kuptova se ky arnaut i vogël në të ardhmen ka me q… gjithçka serbe deri në Nish – nga ku vijnë të parët e tij”, ka thënë Peçanci.
Deva ishte muhaxher nga Nishi, një intelektual i rrallë. Mënyra e tij e qetë e komunikimit, me kulturë dhe diplomaci, dhe përgjigja që jep për njerëzit me të cilët “lehtë merret vesh” – gjë të cilën e kërkonte Peçanci, por që në fakt ishin emrat e trimave që bënin me dije për luftën pa asnjë kompromis të shqiptarëve për tokat e tyre – paraqiste momentin më zhgënjyes të njeriut që më parë mund bënte çka të donte me shqiptarët. Sepse, kohët po ndryshonin, jo më veç në të mirë të Serbisë.