Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, do të fillojë sot takimet me krerët e partive politike, duke filluar në orën 13:00, për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.
Këshilltari për media i Vjosa Osmanit, Bekim Kupina, ka njoftuar se u.d. së presidentes, do t’i takojë partitë politike një nga një.
Siç bëri të ditur Kupina, Osmani fillimisht takon liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Takimi mes Osmanit e Kurtit pritet të mbahet në orën 13:00, ndërsa në orën 14:00 do ta takojë ish-shefin e saj, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.
Në orën 15:00 në zyrë të presidentes në detyrë do të shkojë ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, si dhe në orën 16:00 Osmani do ta takojë kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.