– Pjesë nga parathënia e Kompletit të veprave të profesorit tim, Anton Çettës, që, më në fund, doli në dritë –
“Folklora asht pasqyra e kthjelltë e psihes së komit; âsht rrasa mermerit, më të cillen historija zgavrron t’endunt e të shendunt e popujve; âsht cehja e pashterrshme e gjuhsís e e letërsís komtare. ‘Folklorën’, po do të skjyrtojsh, po deshte me shkrue historín e komit, e cilla me hamende nuk shkruhet, por qi edhe pa tê komi jetë nuk ka; ‘folklorës’ do t’i sillesh, po deshte me shtue pasunín e gjuhës me fjalë të permvetsueme, me frazeologjí shprehsore, me shembulltyra të gjalla e dramatike; në ‘folklorë’ prap ke me ndeshë me type ma të nalta, me karaktere ma të forta, e me motive mâ t’ardhuna e të perkueshme për zhvillimin e leter-atyrës komtare. Epopét mâ të mdha e mâ të bukura të botës: si nji ‘Iliade’, nji ‘Shah Name’, nji ‘Niebelungen’, nji “Fingal” etr. etr. kanë ngallitë e janë zhvillue mbi bazën e ‘folklorës’ komtare ”.
Atë Gjergj Fishta
I. Qenësia e traditës dhe domosdoja e njohjes dhe e studimit
Tradita e popullit tonë shqiptar, brenda saj dhe ajo letrare gojore, është jashtëzakonisht e pasur dhe e lashtë, zbret në kohët më të hershme të gjallimit, edhe pse për shkak të rrethanave historike e kulturore u dëshmua shumë vonë në formën e shkruar. Kjo traditë në rrjedhë të shekujve u zhvillua, u pasurua dhe ndryshoi, duke iu përshtatur kushteve të jetesës dhe shijeve të brezave. Në qenësinë e vet ajo shpreh thelbin e kulturës, të botëkuptimin dhe të pasurisë shpirtërore të njerëzve që e trashëguan, e përsosën dhe e përcollën më tej. Poeti ynë i madh, Lasgush Poradeci, thoshte “Vlerën e një kombi e bën tradita e tij. Sa më e fortë të jetë kjo traditë, aq më i fortë është kombi ”, ndërsa prof. Mark Krasniqi thekson: “Kultura jonë tradicionale na ka ruajtur gjatë shekujve të mos zhdukemi nga faqja e dheut si popull. Ajo na ka ndihmuar më vonë që të formohemi dhe të afirmohemi para botës si komb. Sot ka ardhur koha që kulturës sonë popullore t’ia kthejmë borxhet e vjetra, duke e ruajtur këtë thesar të paçmueshëm që të mos zhduket krejtësisht nga dallga e tërbuar e kohës moderne ”.
Gjithë puna dhe vepra e profesor Anton Çettës është e lidhur ngushtë me trashëgiminë tonë letrare gojore dhe me domosdonë e ndriçimit dhe të njohjes së saj. Dhe sa më shumë që ai thellohej dhe e njihte atë, aq më fort njësohej me të dhe flijohej për t’ua ofruar dhe të tjerëve: “Kjo pasuri e mahnitshme, qe një befasi e vërtetë që më shtyu të vazhdoj punën në vitet e ardhshme” . Frytet e para të kësaj pune vërehen, kur në revistën “Jeta e re” të vitit 1958 (nr. 1, 2, 3) botoi materiale “Nga proza popullore në Drenicë”.
Prof. Antoni ishte i vetëdijshëm se mbledhja, botimi dhe njohja e trashëgimisë sonë letrare gojore nënkuptonte dhe njohjen më të mirëfilltë të jetës së përditshme dhe do të shërbente për pasurimin e së tashmes, po edhe për sigurimin e bazës për të ardhmen. Nuk mund të ketë të tashme pa të kaluarën, ashtu siç nuk mund të ketë të ardhshme pa të tashmen dhe pa të kaluarën. Gadammar thoshte me të drejtë: “Tradita nuk është vetëm një përmbledhje mendimesh e gjykimesh të njëpasnjëshme, po një e treta organike e potenciale, që aktualizohen e riaktualizohen në mënyrë të domosdoshme në çdo gjykim të ri”.
Interesimi për traditën, veçmas për letërsinë gojore, pati marrë një përmasë të madhe me përfaqësuesin kryesor të lëvizjes gjermane “Strum und Drang”, Johann Gottfried von Herder (1744 – 1802). Në punimet “Fragmente nga një letërkëmbim mbi Ossianin dhe të këngëve të popujve të lashtë” (Auszuge aus einem Briefweshsel über Ossian und die Lieder alter Völker), “Mbi zhvillimin e poezisë dhe të dokeve në kohën e lashtë dhe të re” (Über die Wirkung der Dichtkunst auf die Sitten der Völker in alten und neuen Zeiten, 1778) dhe “Ndihmesë mbi prejardhjen e gjuhës” (Abhandlung über den Ursprung der Sprache) Herderi shtroi çështjen e rëndësisë së traditës në rrafshin e gjuhës (të folurit) e sidomos të krijimtarisë letrare gojore të popujve. Ai thoshte se në fjalët është vetë shpirti që shprehet dhe anasjelltas: shpirti ekziston vetëm nëse shprehet në fjalë, që përligjet nga tradita paraprake, e cila është baza e çdo vepre të përftuar. Kjo dëshmohet sidomos në përmbledhjen “Këngë popullore” (Volkslieder 1778 – 1779), që më vonë u bë e njohur me titullin “Zëra të popujve në këngë” (Stimmen der Völker in Liedern). Në të Herderi jo vetëm ndriçoi disa nga çështjet e rëndësishme të artit të lashtë të popujve, po edhe disa nga veçantitë e letërsisë gojore e cila me shekuj kishte ekzistuar duke u përcjellë gojarisht. Me veprat e veta ai dëshmoi se të ashtuquajturit “popuj primitivë” ishin të rëndësishëm për arsye se përligjnin një kulturë të pasur, veçmas në krijimtaritë e tyre letrare gojore, në ritet dhe zakonet e lashta që i kishin krijuar dhe i kishin ruajtur nëpër kohë. Si dëshmi të kësaj ai e merr poezinë gojore ose këngët popullore .
Pikërisht duke qenë të vetëdijshëm për këtë gjë, disa nga intelektualët arbëreshë të Italisë po dhe italianë ia hynë mbledhjes së rapsodive dhe llojeve të tjera të letërsisë gojore arbëreshe, duke filluar para vitit 1693 . Kjo dukuri mori përmasa më të mëdha me Nikollë Filjen , Françesk Avatin , më vonë me De Radën, me Françesk Anton Santorin etj. Kjo traditë vazhdoi me përmbledhjen “Bleta shqiptare”, botuar më 1878 në Aleksandri të Egjiptit nga Thimi Mitko, që paraqet një ngjarje të rëndësishme në fushën e letërsisë gojore shqipe dhe të historisë së saj . Rreth qëllimit të mbledhjes dhe të botimit të kësaj vepre, Thimi Mitko shkruante: “Qëllimi i ‘Bletës shqiptare’; d.m.th. i këtyre këndimeve albanologjike, është përgjithërisht, shpëtimi dhe dhënija brezave që vinë i fjalëvet edhe tekstevet shqipe, sa para vjetesh me shumë mundim e prishje (shpenzime – v. ime) mblodha, të cilat besoj se do kenë një vjeftë, sepse në këto duket fisi, karakteri, adetet e zakonet e rasës shqiptare; veçanërisht duha (nevoja – v. ime) që t’u ipet një shkak e shtyrje bashkatdhetarëve shqiptarë për të kulturuar edhe studiuar gjuhën e tyre amtare, që me këtë mënyrë natyrale edhe të vetëm fitimprurëse të mundin edhe këta të civilizohen edhe të kenë njësoj vjeftë me vëllezërit e tjerë […] ”.
Rëndësia dhe interesimi për letërsinë gojore si art i fjalës së folur përligjet nga fakti se për shumë shekuj ajo qe krijimtaria shpirtërore më e rëndësishmja, e cila me cilësitë e veta bëri atë që nuk mund ta bënte asnjë formë tjetër e krijimtarisë shpirtërore të njeriut. Përmes fjalës së folur (e kur lindi shkrimi edhe përmes fjalës së shkruar) njeriu u dha formën dhe qenësinë mendimeve dhe ideve, i përjetësoi dukuritë dhe kohët dhe kështu i hapi shteg ekzistimit dhe pasurimit të vet shpirtëror nëpër kohë.
Letërsia gojore lindi për arsye se njeriu, nëpërmjet këngës ose nëpërmjet rrëfimit, ndjeu nevojën t’i thotë e t’i kumtojë tjetrit, diçka që ndryshonte e ngrihej mbi kumtet dhe të folurit e zakonshëm, t’i shprehte pikëpamjet, qëndrimin dhe ndjenjat e veta për ngjarjet dhe veprimet e ndryshme të jetës e të mjedisit ku jetoi si dhe të natyrës që e rrethoi. Studiuesi i shquar, Hermann Bausinger (Herman Bauzinger) thoshte: është e vërtetë se në të gjitha kohët ekzistuan forma poetike të shkurtra formulative, forma të rrëfimit, të këndimit e të vallëzimit . Në procesin e bartjes e të gjallimit gojor shekuj me radhë, prej një individi te tjetri dhe prej një brezi në tjetrin, letërsia gojore u pasurua dhe ndryshoi, qoftë sa i përket tematikës, llojeve dhe formave , qoftë mënyrës së shqiptimit e të shtjellimit të tekstit, të sistemit të të shprehurit poetik etj. Përkundër këtij procesi të pashmangshëm, ajo, më shumë se krijimtaritë e tjera shpirtërore, ruajti modelet e llojeve e të formave, duke mos u shkëputur asnjëherë nga tradita paraprake . Pikërisht në procesin e bartjes gojore dhe për shkak të pamundësisë së shënimit e të botimit, disa lloje dhe variante të kësaj krijimtarie u harruan dhe u zhdukën pa pasur mundësinë që si të tilla të shfaqeshin më vonë.
Veprat e llojeve të ndryshme të letërsisë gojore qenë të rëndësishme për njeriun për arsye se u përdorën në jetën e përditshme për pasurimin shpirtëror, individual dhe kolektiv, po shërbyen edhe si përvijëzime (projeksione) jetësore, të përmbushjes së tyre. Në to krijuesit gojorë shqiptuan dhe përjetësuan dukuri dhe ngjarje të veprimit konkret, duke filluar nga ato intime e deri tek ato të përgjithshmet dhe shprehën botëkuptimin e mjedisit përkatës dhe të botës që i takuan.
Në procesin e gjallimit dhe të bartjes së veprave letrare gojore, këngëtari ose tregimtari, ia ofroi krijimin e vet një grupi të caktuar të dëgjuesve (kënga natyrisht u këndua edhe për kënaqësi dhe pasurim vetjak). Ky veprim i bëri të mundur atij të vërejë drejtpërsëdrejti dhe mirëfilli suksesin ose mossuksesin e veprës së vet të kënduar ose të rrëfyer për herën e parë ose si variante. Pra, dëgjuesi ishte faktori vendimtar që kushtëzonte ekzistimin dhe bartjen e mëtejshme, e përcaktonte jetën e secilit krijim letrar gojor. Nëse marrësi nuk e pranonte veprën përkatëse, ajo ishte gjykuar të vdesë, pa pasur mundësi për t’u shfaqur më vonë, siç mund të ndodhte ose ndodh, fjala vjen, me veprat e letërsisë së shkruar.
Fakti se letërsia gojore me shekuj të tërë jetoi dhe u zhvillua para se të lindte shkrimi dhe letërsia e shkruar, ajo qe e rëndësishme dhe për vetë letërsinë e shkruar dhe shërbeu si bazë e lindjes së llojeve dhe të zhvillimit të stilit. Studiuesi i shquar kroat, Zdenko Shkreb thoshte: “Edhe letërsia gojore është letërsi në kuptimin e plotë të fjalës; format që na i ka lënë antikiteti më i vjetër, të cilat ruhen në mjediset shoqërore të pazhvilluara, por edhe në mjediset konservative fshatare, po ashtu si dhe letërsia bashkëkohëse […] janë art i fjalës. Letërsia gojore përmban në vete cilësi të veçanta të letërsisë dhe çdo përpjekje që letërsia të definohet si art i fjalës e të caktohet lënda e studimit të letërsisë, duhet të ketë parasysh letërsinë gojore dhe, në definicionin e përgjithshëm, duhet të fusë (të përfshijë) dhe veçantitë e saj ”. Me një fjalë, njohja e letërsisë gojore dhe e llojeve të shumta të saj ndihmoi dhe njohjen e veçantive dhe të cilësive të artit të fjalës në përgjithësi, pra dhe të letërsisë së shkruar, siç theksojnë autorët e njohur, René Wellek, Austin Warren: “Megjithatë, studimi i letërsisë gojore duhet të përbëjë një interes të rëndësishëm për secilin studiues të shkencës së letërsisë, që dëshiron t’i kuptojë proceset e zhvillimit të letërsisë, zanafillën dhe shfaqjen e llojeve e të formave tona letrare ” dhe “Megjithëse studimi i letërsisë gojore i ka problemet e veta bazore, pa dyshim, janë të përbashkëta edhe për letërsinë e shkruar, pra ka një kontinuitet midis letërsisë gojore dhe të shkruar që nuk ka mbaruar kurrë ”.
Edhe në procesin e bashkëgjallimit me letërsinë e shkruar letërsia gojore mbijetoi dhe mbërriti deri në ditët tona , qoftë në formën e saj burimore – nëpërmjet bartjes, transmetimit gojor –, qoftë si tekst i fiksuar, i botuar, që është cilësi e letërsisë së shkruar .
Të gjithë këto dukuri dhe këta përbërës të qenësishëm që i përmenda kushtëzuan që prof. Anton Çetta iu përkushtua me gjithë shpirt dhe në mënyrë të vijueshme, mbledhjes, botimit dhe studimit të krijimtarisë sonë letrare gojore.
Edhe poezia e tij për fëmijë e ka bazën në këtë krijimtari, gjë që vërehet në objektet poetike të trajtuara, siç janë gojëdhënat dhe legjendat e njohura gojore ose në mënyrën e qasjes e të shqiptimit të tyre dhe të formave të vargjeve që përdori për hartimin e saj.
Meqenëse punën e vet krijuese prof. Anton Çetta e nisi pikërisht me poezinë për fëmijë, që dëshmohet me veprën “Në prehën të gjyshes” të botuar më 1955 dhe me poezitë e lëna në dorëshkrim me titullin “Vjeti gazmuer”, kompletin e veprës së tij, po e nisim me vëllimin kushtuar krijimtarisë për fëmijë.