Vdiq Shaban Arifaj (69), ikona e Televizionit të Kosovës. Lajmin e bëri të ditur, djali i tij Lorik Arifaj.
“Te dashur miq, Me dhimbje të thellë, ju njoftojmë se sot në moshën 69- vjeçare ka ndërruar jetë baba jone Shaban Arifaj. Për detajet rreth varrimit ju njoftojmë ndërkohë, pasi që trupi ndodhet në Shkup. Ju jemi mirënjohës për mesazhet mbështetëse që na keni dhënë gjatë gjithë kohës. Ne u munduam në maksimum, por Zoti e deshi këtë engjëll pranë. Do te të duam baba jone deri sa te kemi frymë. PUSHO NË PAQE”, ka shkruar Lorik Arifaj.
Shaban Arifaj kishte lindur më 6maj, 1952, në Istog ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studioi gjuhën dhe letërsinë shqipe në Fakultetin Filologjik të UP-së. Kishte mbaruar edhe studimet e larta për gazetari si dhe studimet post-universitare nga lëmi i komunikimeve masive dhe kishte fituar titullin Master (Msc) i shkencave në komunikimin masiv dhe gazetari. Në vitin 1974, Shaban Arifaj nis punën në Radiotelevizionin e Prishtinës si spiker, gazetar dhe redaktor. Pas mbylljes së RTP-së nga regjimi serb, ai shkruan për gazetat dhe revistat që botoheshin në Prishtinë si “Shkëndija”, “Kosovarja”, “Fjala”, “Dielli” etj. Ndërkohë, ai filloi të raportojë për Radio Zagrebin nga Prishtina dhe Brukseli ku kishte hapur radio stacionin “Radio Kosova” ku kryente punën e kryeredaktorit duke raportuar njëkohësisht për ngjarjet kryesore nga Brukseli. Ai ka punuar edhe si korrespondent i radios “Zëri i Kosovës” në Kopenhanger Kanalen (Danimarkë) dhe për radion publike të Suedisë. Shaban Arifaj ka raportuar për ngjarje të ndryshme nga Viena, Uashingtoni, Montreali, Otava, Brukseli etj. ndërkaq nga viti 1992-1997, ishte redaktor përgjegjës në Radiotelevizionin shqiptar (RTSH), redaksia e Kosovës.
Nga viti 1999, ai kishte punuar si redaktor dhe redaktor përgjegjës për 10 vjet rresht në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). Krahas punës në RTK dhe RTSH, ai kishte ndjekur edhe një varg seminaresh për ngritje të vazhdueshme profesionale si në Virginia të SHBA-ve, Montreal të Kanadasë, Selanik të Greqisë etj. Në Institutin e Medies së Kosovës, kishte përfunduar trajnimin duke e marrë titullin e trajnerit të gazetarisë. Krahas gazetarisë, ku kishte realizuar raporte, kronika, intervista etj.
Shaban Arifaj shkroi tekste të ndryshme publicistike, pastaj tregime, drama, romane siç janë “Eklipsi në mesditë”, “Dialogu me fqinjin”, “Harmonia në temperaturën minimale”, “Katraligu”, “Kosova në udhëkryqet ballkanike”, dhe librin shkencor “Gjuha, zëri dhe figura në radiotelevizion”.
Romani i tij i fundit “Zemra të vrara nga covid 19” u promovua kohë më parë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.