Dhjetëra të rinj kanë dalë për të katërtën ditë radhazi në rrugët e kryeqytetit për të protestuar sërish për vrasjen e të riut Klodian Rasha gjatë ndjekjes nga patrulla e policisë.
Protestuesit kanë ndryshuar sërish kërkesat e tyre drejtuar autoriteteve. Ata nuk janë mjaftuar me dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe kërkojnë dhe shkarkimin dhe arrestimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, drejtësi për ngjarjen e rëndë dhe lirimin e të gjithë personave të arrestuar.
Ashtu edhe si mbrëmjen e kaluar policia ka marrë masa tepër të forta për protestën duke krijuar kordonë sigurie në institucionet kryesore. Efektivë të repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ardhur dhe nga rrethet.
Gjatë tre ditëve të para të protestave pjesëmarrësit janë përplasur me forcat e policisë, ku ka pasur të lënduar nga të dyja palët. Dhjetëra persona janë shoqëruar në komisariate dhe proceduar penalisht, mes tyre dhe shumë të mitur.
Protestuesit kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit ku kanë dëmtuar dhe shumë dyqane, dekorime dhe kanë sulmuar dhe institucionet.
Një protestë për vrasjen e të riut Klodian Rasha ka nisur dhe në qytetin e Durrësit. Qindra të rinj janë grumbulluar dhe po marshojnë drejt komisariatit të qytetit, ashtu si një ditë më parë.
Protesta të ngjashme ka pasur dhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë, ku të gjitha kanë pasur si kërkesë kryesore drejtësi për djaloshin e vrarë.


