in

UET Press jo vetëm një shtëpi botuese, një faktor në zhvillimin e shoqërisë

Mos shfleto! Lexo!

Më këtë thirrje mori jetë shtëpia botuese UET Press, ëndrra e themeluesëve të Universitetit Europian të Tianës për të pasur një bibliotekë gjigande, raftet e së cilës do të mbanin botimet më të mira klasike e bashkëkohore në të gjitha fushat e mendimit.

Lindi si një shtëpi botuese universitare dhe pjesën dërrmuese të botimeve gjatë viteve e kanë zënë librat shkencorë, studimorë e analitikë. Janë sjellë në shqip botimet më të njohura dhe më të vlerësuara të botës universitare perëndimore, të autorëve më me ndikim dhe nga shtëpitë botuese më prestigjoze, si: Oxford, Cambridge, McGrowHill, apo shtëpi botuese franceze dhe italiane.

Politikanë, studiues, filozofë, nobelistë, kanë mbërritur në duart e lexuesve shqiptarë, duke zbuluar dimensione të reja njerëzore, të panjohura aq për shoqërinë tonë, në një kohë ku libri mbetej i vetmi mjet i marrjes së dijes dhe kulturës. Nga Roger Scruton, te Anthony Giddens, Alastair Campbell, Muhammad Younus apo Friedrich Hayek, dhjetëra  personalitete nuk janë më emra anonimë, por flasin shqip përmes logos së UET Press.

E po të kësaj rëndësie mbeten autorët shqiptarë, studiuesit e publicistët që kanë përjetësuar në letër kujtimet e dëshmitë e një kohe tjetër, rrëfimet, analizat e përshtypjet e tyre. Nuk mund të mos përmendim intervistat e Dritëro Agollit, dëshmitë e Maks Velos, apo emra si Bahri Beci, Amik Kasoruho e Petrit Ruka.

Shumë të tjerë janë aktivë sot në letrat shqipe, e pa punën e tyre figura të historisë, si Fan Noli, Ahmet Zogu, Faik Konica, Enver Hoxha, Liri Belishova e të tjerë, do të njiheshin thjesht nëpërmjet rreshtave të dedikuar në librat e historisë. Gërmimet kanë nxjerrë në sipërfaqe dokumente, fakte e dëshmi të reja duke ofruar mundësi për ta parë të kalurën përmes këndvështrimeve të reja e për ta kuptuar më mirë atë. Ilir Ikonomi, Sparatak Ngjela, Rudolf Marku, Blendi Fevziu, Preç Zogaj, Sokol Balla apo Mustafa Nano, janë disa nga emrat besnikë të kësaj shtëpie botuese, prurjet e të cilëve nuk kanë kaluar pa zhurmë.

Kontribut i veçantë mbetet ai i pedagogëve të Universitetit Europian të Tiranës, jo vetëm me përkthime dhe përditësime të literaturës universitare, por edhe me studime të mirëfillta të fenomeneve politike, sociale, ekonomike dhe kulturore të realitetit shqiptar, disa të sjella përmes librave e të tjera të pasqyruara në pesë revistat shkencore të nxjerra nga pesë fakultetet e Universitetit Europian të Tiranës. Ato pasurojnë debatin akademik dhe ofrojnë prurje cilësore në lëmin e shkencave dhe mendimit.

UET Press nuk ka qenë vetëm një shtëpi botuese me një strategji të caktuar dhe transparente në lidhje me botimet shkencore në vend, por falë vizionit, ndikimi i saj ka qenë thelbësor në kalimin e botimeve shqiptare në një momentum të ri. Afro njëzet vjet pas themelimit, UET Press mbetet një antenë e botimeve më të mira vendase apo të huaja, të cilat i kanë shërbyer jo thjesht studentit e kërkuesit shqiptar, por mjedisit shqiptar në tërësi.

UET Press i është dedikuar gjithashtu letërsisë, me romane, tregime e novela, nga autorë të spikatur e të rinj të talentuar. Disa prej botimeve të saj janë kthyer në best seller. Kjo shtëpi botuese është iniciuese e një prej çmimeve më të rëndësishme që jepen sot në letërsinë shqipe, Çmimi Kadare. Me misionin për të nxitur krijimtarinë dhe të shkruarit shqip, ajo boton dorëshkrimin e autorit fitues dhe mbështet promovimin e tij në rrethin letrar. Kontribuuon në ushqyerjen e mendimit kritik letrar nëpërmjet botimit të recensave dhe intervistave të pasqyruara në Revistën dhe Gazetën Liberale.

Fondi i gjatë i botimeve arrin në rreth 700 tituj, me monografi shkencore, studime, publicistikë të autorëve shqiptarë, biografi, vepra historike, e deri te botimi i albumeve me fotografi e piktura. Të gjitha këto botime janë grupuara në disa kolana: Scripta manent; Curriculum; Biografi; Leteratura;  Albume fotografikë dhe e fundit Revista shkencore.

Me afrimin e 20 vjetorit të kësaj shtëpie botuese, për të kremtuar këtë jubile të rëndësishëm do të shpërfaqim katalogun e UET Press, do të shkelim nëpër gjurmët e botimeve dhe autorëve shqiptarë apo të huaj, në çdo fushë ku është veprimtaria e tyre. Çdo të shtunë do të sjellim në Gazetën Liberale përmbledhjen e një libri, historinë e tij të botimit, ndikimin që ka lënë, rrëfimin e autorit, kritikat dhe polemikat që ai ka shkaktuar.

Liberale.al

Lini një Përgjigje

Princesha e Uellsit, Kate thotë se ka kancer

"Kush mbjell terror, do të korr terror"