Kaltrina BERISHA
Romani Mona i autorit Jusuf Buxhovi është botuar në qershor të vitit 2020, por që si kohë të përfundimit të veprës autori e konkretizon marsin e po të njejtit vit. Duke u nisur nga rrethanat sociale të kohës, theksojmë se një vit më parë, konkretisht në vitin 2019 në botë ishin raportuar rastet e para me virusin më të ri të quajtur covid-19, e që pak javë më vonë mori statusin e pandemisë.
Pandemi kjo që përfshiu edhe Kosovën si pjesë të botës, ndërsa brenda Kosovës autori specifikon Gjakovën me rrethinë, si qendër e qytetërimit e që bëhet edhe objekt i karantinimit. Gjakova, konkretisht Dushkaja del të jetë toposi i veprës, e që si trilogji ndërlidhet nga idetë e motivet edhe me veprat paraprake Dosja B dhe Dushkaja.Romani nis me shprehjen: Ngjashmëritë e mundshme të personazheve me realitetin janë të rastësishme. Shprehje kjo, e cila që në fillim e kategorizon romanin me gërshetimin e historisë dhe letërsisë. Gërshetim ky që edhe pse autori kishte formim si historian, barra e autorësisë në pjesën hyrëse edhe në pjesën e parë nuk bie në nivelin e kronikave, e as atë gazetaresk, por që shkon kah niveli fiktiv.
Andaj, që në pjesën hyrëse, që del si shtojcë: për çështjen Mona, për ndërtimin e personazheve e të personazhit kryesor, toposit, e strukturimit të veprës letrare, autori përmes kategorizimit të historisë e letërsisë përmes alegorisë sfidohet lexuesi.Një mozaik me rrëfime nga një laborator ndërkombëtar për krijimin e një virusi të ri të përmasave globale.Kështu, sipas parimit të Aristotelit se letërsia është më filozofike dhe më e lartë se historia meqë e tregon atë që do të mund të ndodhte, ndërsa kjo e dyta merret me gjërat e veçanta, theksojmë se që në pjesën hyrëse, narratori me anë të fakteve historike që shpeshherë burimin e kishin edhe nga arkivat, e ndihmon strukturimin, narracionin dhe zhvillimin e personazheve që në qendër kishin fiksionin dhe diskursin alegorik.
Pra, në këtë pjesë para së gjithash del në pah horizonti i pritjes që e ngacmon lexuesin drejt metarrëfimeve për çështjet sekrete të shteteve të fuqishme, politikat aktuale, e deri te teoritë konspirative për mënyrën dhe arsyen e krijimit të këtij virusi. Prej këtu edhe nis diskursi alegorik për figurën e karantinimt dhe atë të virusit në kontekstin e izolomit të personazhit kryesor pasiv, Kolonelit, dhe të rrëfimtares Mona, e deri te mënyra e politikëbërjes së shteteve të mëdha si Amerika. Dukuri këto që në aspektin historik gjejnë ndërlidhje edhe me romanin Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, konkretisht me vitin 1747 ku përhapja e murtajës në territorin e Gjakovës risemantizohet, pra, tashti në qendër të romanit nuk del zhbërja etnike nga murtaja, por virusi i ri që vinte nga politikat e jashtme që për qëllim kishin zhdukjen e të vërtetave përmes eliminimit të intelektualëve që ishin edhe dëshmitarë të krimeve luftës dhe të paqes.
Me eliminim nënkuptohet përcaktimi i diagnozave të intelektualëve nga stafi mjekësor, e që ishte çmendja, raport ky që shërbente si shkak për izolimin si karantinim në mënyrë që të mbrohet masa neutrale që jetonte në errësirën e kohës.Andaj, në pjesën hyrëse paralajmërohet edhe mënyra e strukturimit të romanit në dy pjesë: prologun – “Rrëfimi nga vendi i çmendjes” dhe epilogu – “ Mona kishte të drejtë”. Pjesa e parë qëndron shumë më lart artistikisht: për kah përdorimi i figurave, larushia e diskurseve, gërshetimi i historisë me letërsinë që realizonte rrëfimin brenda një rrëfimi, pra, rrëfimin e historisë së Kolonelit brenda rrëfimit të Monës, e deri te horizonti i pritjes dhe risemantizimi i murtajës në një virus bashkëkohor që bënte vetë përzgjedhjen dhe terapitë e të sëmurëve potencial. Pra, prologu- “ Rrëfimi nga vendi i çmendjes” fillon me pasojën, ku akti final tashmë kishte përfunduar, në këtë mënyrë rrëfimi nis me planin detaj, atë të pamjes së kufomës së Kolonelit, që do të thotë se romani nuk i bindet mënyrës kronologjike të ndërtimit të ngjarjes. Ndërsa përmes narratorit homodiegjetik aplikohet rrëfimi në veten e parë, e që në disa raste vërehet edhe prania e narratorit të gjithëdijshëm( Alter Deux).Për dallim nga prologu, pjesa e dytë, epilogu “Mona kishte të drejtë” nis me shkakun që kishte krijuar pasojën, të trajtuar tashmë në pjesën e parë. Epilogu – “Mona kishte të drejtë” shquhet për mungesën e figurave, zbehjen e theksueshme të mënyrave të narracionit dhe mungesën e diskurseve nga ndërhyrja e sforcuar e narratorit. E thënë ndryshe sqarimet e hollësishmë të vendeve, të zhvillimit dhe asaj se çka përfaqësonin personazhet, e të dhënat historike mbi raportet politike që nga shpërbërja e ish Jugosllavisë e deri te raportet aktuale të Kosovës me SHBA-të, duke i përfshirë edhe ndërhyrjet ndërkombëtare të OKB-së, marrëveshjet mes NATO-s e BE-së, veprimtarive të grupeve ilegale si SHIKU-ut si dhe shërbimet ilegale të UNMIK-ut e EULEX-it që për qëllim kishin vrasjen e intelektualëve shqiptarë, e që këtu hynin edhe njëqind e dy aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dalin si sqarime që tërë fokusin e kanë te të dhënat historike, aq sa shkëputet lidhja me letërsinë në mungesë të theksueshme të fiksionit. Kjo pjesë qëndron artistikisht më poshtë ngase rrëfimi përqendrohet te linja semantike, duke u shkëputurnga linja semiologjike.
Veçantia e pjesës së dytë qëndron te lidhjet intertekstuale të romanit me vepra të tjera, që i përcakton vetë narrator në fjalë. Ku sipas të cilit romani ka lidhje intertekstuale me Makondon e Markezit përmes metaforës së Dushkajës, e që në esencë të dya këto janë pjesë e pashmangshme e realizmit magjik, në kontekstin që veprat e tilla nëse lexohen nga lexues të huaj duken si magjike, ndërsa në të vërtetë janë të bazuara në ngjarje reale. Meqenëse Dushkaja përfaqësonte vendin e kthyer në laborator ndërkombëtar që e shkaktonte virusin si bashkëveprim të ideologjisë dhe religjionit, vepra në fjalë, natyrisht sipas autorit kishte lidhje intertekstuale edhe me romanin Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit.Duke pasur parasysh se narracioni te romani Mona aplikohet përmes vetes së parë, karakteristikë e veprës del të jetë edhe mënyra se si tema, idetë e motivet e romanit shtjellohen përmes rrëfimit të secilit prej personazheve veç e veç, nga veta e parë, që do të thotë se secili prej tyre e jep një të vërtetë të mundshme nga pikëpamjet e veta për realitetin aktual.
Mbi këtë parim personazhet kryesore janë Koloneli dhe Vlera, kurse personazhet që e ndihmojnë zhvillimin e karakterit të Kolonelit e Vlerës janë: Gjyshi, Gruaja, Djali, Galani dhe Gazetari amerikan.Personazhi i Kolonelit që qysh në fillim prezantohet si kufomë, realizohet përmes kthimit në retrospektivë të rrëfimeve të: Gjyshit, Gruas, Djalit e Galanit. Rrëfime këto që e bëjnë Kolonelin figurën më komplekse të romanit. Koloneli përfaqëson një ushtarak të armatës jugosllave i cili detyrohet të izolohet në një shtëpi gati se të rrënuar në atë mënyrë që fuqitë ndërkombëtare ta kishin nën vëzhgim gjatë gjithë kohës meqë Koloneli mund të ishte pengesë e pazareve politike të ideologjive e religjionit, që në frymën e revolucionit e synonin krijimin e një boteje të re, botë kjo që fillimisht kërkonte shkatërrimin e rrënjëve të identitetit e të traditave, dhe krijimin artificial të rrënjëve të reja të mbështetura mbi shfrenimet ndaj prostitucionit, kontrabandimit të armëve, substancave narkotike, haraçit si dhe deklarimit të tradhëtarëve e dhunuesve si heronj të vendit dhe anasjelltas. Izolimi i Kolonelit në këtë mënyrë na çon deri te lidhjet intertekstuale me personazhin e Xhezairit të Gjikës të romanit Vdekja më vjen prej syve të tillë për kah teknikat e vëzhgimit të individit nga pushteti, e deri te damka që pushteti ia vendos rezistuesve të tillë si tradhëtarë.
Përveç dhunës që ushtrohej në një mënyrë a tjetër, proza e Qosjes kalon te teknikat unike të ushtrimit të dhunës si ajo e mankurtit, detyrimit të Xhezairit me të ushqyerit e lëndëve toksike të trupit, e deri te fallocentrizmi si dhunë psikologjike gjatë emërtimit të Lamit si hodum te Sfinga e gjallë, e që teknikë e ngjashme si kjo e fundit përdoret edhe te Koloneli, ku përveç damkës së vendosur nga pushtetarët si tradhëtar është edhe fallocentrizmi si shenjë që e distancon mendësinë patriarkale me herozimin ushtarak të tij. Që do të thotë se njësitë ndërkombëtare kishin gjetur si shkas fallosin e Kolonelit për ta aryestuar izolomin si arsye se Koloneli vuante nga një virus që mund ta shndërronte në një njeri të paaftë seksualisht, e që si provë bindëse e kësaj teorie mund të ishte të ushqyerit e tij të përditshëm me kunguj vendor të arave. Idea e vëzhgimit të jetës së njeriut nga faktorët e jashtëm, pra, të binomit njësi ndërkombëtare dhe zyrtarët e shitur të shtetit, ironizohet aq shumë sa që as vdekja e individit nuk shpallet pa miratimin zyrtar të tyre, të shpallur publikisht. Ironi kjo që del nga rrëfimi i Galanit, e që e karakterizon absurdin. Dhe portretizon të kundërtën e modelit të absurdit Beketian, meqë peripecitë e personazhit dalin pas vdekjes së tij, dhe rolin e zotit e luanin njerëzit me dhe pa maska që ua shkruanin njerëzve skenarin e jetës dhe luanin me proceduart e varrimit të tyre.
Vëzhgimi dhe izolomi i tillë ndaj Kolonelit paraqesin intertektstualitet edhe me tri konceptet themelore të Orëellit: Lufta është paqe, Liria është skllavëri, Padituria është fuqi… Në suaza të së cilave në roman paqja prodhon luftë, manifestohet me anë të shpërthimeve të krahut të luftës, me çrast hernonjtë e vërtetë ishin sakrifikuar, e meritat e tyre i kishin marrë veteranët e rremë duke përfituar nga shteti të ardhura materiale dhe pozita të rëndësishmë shtetërore. Koncepti i dytë i Orwellit ndërlidhej me lirinë që i kishte bërë njerëzit servilë të pushtetit meqë intelektualët dhe heronjtë zhdukeshin bashkë me të vërtetat, dhe njerëzit e rëndomtë nuk kishin as mundësi të arratiseshin. Koncepti i tretë që është kyç, përfaqëson edhe alegorinë. Pushteti që vie nga jashtë imponon sëmundjet si qëllim për heshtjen e popullsisë, dhe ndërtimin e përforcimin e pushtetit përmes zhvillimit të njerëzve të ri e shkatërrimit të gjithë asaj që përfaqëson identitetin etnik. Akt ky që fuqinë e përfiton nga cenzurimi dhe korrupsioni i mediave publike, që shtronte ndikim të madh mbi masën.Personazhet si: Gjyshi, Gruaja dhe Djali përveç që përcaktonin modelet e marrura nga tri gjenerata: të gjyshit, të bijës së tij dhe nipit, të njëjtën kohë roli i tyre ndihmonte në prezantimin e jetës dhe veprave të Kolonelit përmes tri dimenzioneve. Rëfimet e gjyshit mbështeteshin në dimensionon historik të jetës së Kolonelit, që si pikënisje e trajektores së jetës së tij ishte uniforma e shpërbër jugosllave e Kolonelit në ditën që kishte ardhur në Dushkajë.
Më pas shpëtimi nga luftërat e turbullta nga luftëtarë dhe flamuj të ndryshëm e deri te kundërshtimi që kishte bërë Koloneli haptazi ndaj shtresave që dëshironin ta shfrytëzonin luftën në dobi të tyre. Kundërshtim ky që i kishte sjell Kolonelit fatalitet ndërsa qëndrimet e Gjyshit karshi veprave të tij ishin stoike, të tilla që fal besimit e përkrahjes që i kishte kushtuar për nëntë vjet, dhjetë muaj e shtatëmbëdhjetë ditë e përcjell Kolonelin edhe në rrugën e fundit me nënçmimin më të madh që i ishte bërë në mënyrën e procesit të varrimit, me pankartat e tradhëtarit e në gropën e pështirë ku kishin qëndruar bagëtitë. Dimensioni i dytë i njohjes së Kolonelit mbështetet mbi rrëfimet e Gruas, e që janë me tematikë erotike. Simboli i gruas në këtë rast, bashkë me protagonisten Vlera shfaqin diskursin gjinocentrik, meqë përfaqëson rastet e rralla në letërsinë shqipe kur bota e krijuar brenda veprës shihet nga këndvështrimi femëror. Ne këtë dimension lexuesve përveç se u prezantohet ana emocionale e Kolonelit, akteve të dashurisë, simboli i gruas ndërtohet edhe mbi virtytin e dashurisë së pastër e besnikërisë. Besnikëria e Gruas në romanin në fjalë ndërlidhet me besnikërinë e Penelopës së Homerit, veçse motivi i pritjes besnike risemantizohet në kuptimin e asaj që Gruaja nuk i shmang kandidatët për dorën e saj ngaqë pret kthimin e bashkëshortit, por për arsye se e pret rritjen e djalit të tyre duke i qëndruar besnike vendimit të Kolonelit që të ruhet në fshehtësi fakti se Koloneli ishte babai i djalit.
Mbajtja e fshehtësisë së tillë ishte shkak që besnikëria të shndërrohej në fat tragjik, pasi që personazhit Grua i duhej të deklarohej me statusin e rremë, atë të gruas së dhunuar seksualisht jo për përfitime personale, por me qëllimin e vetëm që i vogli i tyre të mos ekzekutohej si i ati. Ndërsa dimensioni i tretë që realizohej përmes rrëfimeve të djalit, asoconte në dilemat ekzistenciale nga teoritë konspirative për aktet e kryera të Kolonelit, ku nga rrëfimet paraprake të nënës së tij e gjyshit për heroizmat dhe sakrificat e Kolonelit, ndërsa nga ana tjetër nga pankartat nënçmuese të njerëzve të tjerë i duhej të vendoste për anën që do të rreshtohej në vazhdim. Pra, si fëmijë, ose duhej të rreshtohej nga trungu familjar të mbështetur mbi tradita, ose nga njeriu i ri i ndërtuar nga idetë marksiste-leniniste.Prej personazheve më të veçanta të romanit është Galani, i cili si njeri i thjeshtë e që i përkiste një nacionaliteti tjetër, që do të thotë se nuk kishte lidhje gjaku me Kolonelin, shfaqë besnikëri ndaj tij dhe rrëfen për pafajsinë, sakrificën dhe bujarinë karshi tij. Virtyte të tilla që nuk i shkonin për shtati sinonimeve që pushteti ia adresonte Kolonelit.Nuk e shihja të udhës të hyja më thellë, meqë kisha frikë se kjo mund ta prishte lidhjen tonë, që për mua ishte ndër më të rëndësishmet, që jetës sime i kishte dhënë një kuptim. Sepse, nga i nënçmuari që isha, siç është soji im në përgjithësi, për shërbimet që ia bëja, më quante “njeri fisnik”, sado që kjo nuk i shkonte rrogëtarit të lindur…Nga raporti i Galanit me Kolonelin, rrëfehen pjesë nga jeta e tyre e përditshme, tema nga kënaqësitë e trupit, e deri te ato metafizike siç është besimi në zot. Në këtë mënyrë përmes rrëfimeve të Galanit zbulohen anët e ndryshme të karakterit të Kolonelit, që fal dialogëve në të gjallë të Kolonet, e monologëve pas vdekjes së tij, dalin si pjesët më filozofike e më ekspresive të romanit.Zot, që asnjëherë nuk t’u kam lutë për gja, më jep fuqi me përcjellë Kolonelin deri te shtëpia e fundit… Mos më korit, se këtë nuk ta kam hak… Ndihmomë me i ba ballë edhe këtij mundimi, e mandej ma merr shpirtin, sepse nuk më duhet gja… Mos, o zot se edhe rrogëtarët kanë fytyrë!…Megjithëse te pjesa e prologut personazhi i Galanit e ndihmon më së shumti fiksionin përmes situatave me dramacitet, në pjesën e epilogut ku narratori shpjegon në detaje gjithçka rreth veprës, mënyra se si e përcakton Galanin për kah përkatësia etnike, konkretisht me caktimin e sinonimeve, etnia e tij përcaktohet nga etnofolizmat edhe pse në pjesën e parë kësaj çasje i kishte ikur fal përdorimit të figurave.Në romanin Mona përveç Kolonelit si protagonist pasiv, është edhe protagonistja aktive, Vlera e cila del të jetë edhe alter ego e Monës. Vlera si intelektuale diagnostifikohet si e çmendur nga stafi mjekësor i Kryqit të Kuq, meqë eliminimi i intelektualëve përveç vrasjeve në mënyra të çuditshme bëhej edhe duke i izoluar në spitale psikiatrike.
Fati tragjik i Vlerës ishte si pasojë e të vërtetave që i dinte mbi vrasjen e më shumë se treqind njerëzve përfshirë dhe dy motrave e vëllait të saj nga bombat e NATO-s në Shirokë të Prizrenite, që për zbulimin e kësaj çështjeje kishte kërkuar ndihmë nga zyrtarët e huaj si dhe për krimet e dhunimet që ishin kryer para dhe pas luftës. Personazhi i Vlerës ndërtohet mbi figurën e paradoksit, në atë mënyrë që pritshmëritë e mosbesimit të njerëzve të jenë të pakta në rastet kur një e çmendur arrin t’i thotë të vërtetat më të mëdha, veprime këtoqë nuk priten të thuhen nga një person i çmendur. Andaj, mbështetja e Vlerës nga zyrtarët amerikanë dhe sugjerimit të tyre që ta ndihmonin me ngritjen e padive për krime të zyrtarëve e besueshëm e shtjellon edhe pasthirrmën e saj Oh, Amerikë!…Amerikë! si ofshamë ndaj terrorit fatal të intelektualëve dhe të njejtën kohë si thirrje për të nxitur shpresë. Historinë e jetës dhe veprave të Vlerës e shpalosin rrëfimet e Gazetarit Amerikan, i cili gjatë takimeve si me Kolonelin ashtu dhe me Vlerën nuk i lejohej marrja e shënimeve, as përdorimi i telefonit apo mjeteve që mund të siguronin dëshmi si regjistrime rreth të dhënave të tyre, por i duhet të referohej gjithmonë nga mbamendja.Të gjitha çështjet e lartpërmendura, para së gjithash ndërlidhen me fenomenin e bipolaritetit kulturor edhe atij social të ndërthurur nga bashkëveprimi i ideologjisë majtiste kundër identitetit shqiptar në raport me religjionin si mjet i përdorur nga politikat djathtiste, në identifikimin edhe zhvillimin e virusit gobal, duke mos i përjashtuar as teoritë konspirative lidhur me dykuptimsinë që krijonte secila çështje e trajtuar. Dukuritë e tilla pëfundojnë ciklin jetësor përmes dy pasthirrmave në fund të romanit, atë të Vlerës karshi Amerikës, dhe Djalit nga dëshira për të mos u rritur.
(Lexuar në “Vjeshta letrare e Gjilanit” kushtuar veprimtarisë letrare të Jusuf Buxhovit, më 01 10 2025).


