Dode Progni
Arrestimi dhe denimi i Gani Kryeziut është bërë krejtësisht mbi bazën e akuzave të shpifura nga shtabi i Kosmetit dhe udhëheqësit komunistë të Kosovës..
Siç është thënë më sipër,gjatë viteve të luftës rivaliteti midis udhëheqësve komunistë kosovarë dhe vëllezërve Kryeziu ishte i ashpër dhe i vazhdueshëm. Por në vitin 1944,kur dukej e afërt dhe e sigurtë fitorja e koalicionit antifashiste ndaj Gjermanisë naziste,shtabi i Kosmetit dhe udhëheqësit komunistë kosovarë e ashpërsuan së tepërmi qëndrimin e tyre kundër Kryezinjve. Kjo ndodhi për shkak se Kryezinjtë ishin figura të njohura,të respektuara, dhe me autoritet të padiskutueshëm në Kosovë. Si pjesëmarrës aktiv në luftën antifashiste,kishin fituar simpatinë e përkrahjen e aleatëve anglo-amerikanë. Ndërsa me pozicionimin e tyre të qartë në krahun e nacionalizmit dhe iredentizmit shqiptar që aspironin krijimin e Shqipërisë etnike, dhe me qëndrimin e hapur e të vëndosur antisllavë dhe antikomunist që kishin mbajtur gjatë viteve të luftës, ata kishin fituar përkrahje të gjerë në mbarë popullsinë e Kosovës. Mu për këto arësye udhëheqësit komunistë të Kosovës, pretendent për të marr pozitat drejtuese në Kosovën e pasluftës, bënë ç’ishte e mundur për eliminimin e Kryezinjve, të cilët i kishin rival e kundërshtar politik, ideologjik dhe klasor të kahershëm.Për t’ia arrijtur këtij qellimi bashkëpunuan ngusht me udhëheqjen e PKJ dhe të PKSH, duke qëndruar vazhdimisht në ball të çdo aksioni shkatërrues kundër Levizjes Kryeziu.
Kundërvënje ndaj Kryezinjve kishte të bëjë në radhë të parë me qëndrimin e tyre ndaj të ardhmes së Kosovës. Këtë e shpreh hapur Fadil Hoxha në një letër që i dërgonte Liri Gegës,në vjeshtën e vitit 1944, i cili në formë kritike ndaj Kryezinjve i thoshte: ”Kryezinjtë,Kosovën e quajnë pjesë të pa ndarë të Shqipërisë dhe se ata duan që Kosova të dalë e bashkuar me Shqipërinë mbas lufte”. 48) Bazuar në shumë fakte dhe dokumenta, pa asnjë pikë dyshimi mundë të thuhet se,udhëheqësit komunistë të Kosovës ishin bashkëautorë kryesor me serbosllavët në arrestimin dhe agjesimin e Gani Kryeziut dhe realizimin e masakrës së Hereçit, ashtu siç edhe bashkëpunu- an për realizimin e masakrës së Drenicës dhe shtypjen e nacionalistit të shquar Shaban Polluzha dhe forcave të tij në janar-shkurt 1945,ku u bënë rrafsh me tokë 15 fshatra shqiptare dhe u likuiduan mbi 3000 civilë shqiptar. 49) Siç del nga dokumenti i Aktgjykimit të Gjyqit ushtarak të Komandës së Qytetit të Beogradit Nr.1884/45, datë 27 tetor 1945,arrestimi dhe denimi i Gani Kryeziut është bërë krejtësisht mbi bazën e akuzave të shpifura nga shtabi i Kosmetit dhe udhëheqësit komunistë të Kosovës. Njëra prej tyre,ndër më absurdet, ishte gjoja se, “…Në fillim të vitit 1944,me rastin e sulmit gjerman kundër njësive të UNÇJ në minjerën e “Zogajt”,i akuzuari Gani Kryeziu tërhoqi njësitin e vet,dhe se për tërheqjen nuk lajmëroi Shtabin Operativ të UNÇJ,dhe për këtë shkak të kësaj sjellje të tij u vranë 30 luftëtarë të UNÇJ” 50) Sipas kësaj akuze i bije që Shtabit të Kosmetit t’i jetë asgjësuar gjysma e efektivit, pasi është i dokumentuar fakti se gjithë efektivi i Shtabit të Kosmetit që konsiderohej si njësi e UNÇJ, së bashku me partizanët që e shoqëronin në pranverën e vitit 1944 përbëhej vetem nga 60 veta. 51) Në të vërtetë një ngjarje e tillë s’ka ndodhur kurrë, po është krejtësisht e trilluar. Ngjarjet dhe luftimet e zhvilluara në zonën minerale Kam-Kepenek-Zogaj, dhe përgjithësisht në krahinën e Bytyçit,gjatë tërë vitit 1944,janë të dokumentuara deri në hollesitë më të vogla. Madje nga një dokumentacion që vjen nga burime të ndryshme,përfshirë edhe ato gjermane.Ky dokumentacion,një pjesë të të cilit e kemi cituar më më sipër, vërteton katërcipërisht faktin se forcat e Kryeziut, (ose “njësiti” që komandohej prej tij,-siç thuhet në aktgjykim), jo vetëm nuk janë tërhequr, po përkundrazi ato gjatë tërë vitit 1944 kanë mbajur peshën kryesore në të gjitha luftimet e zhvilluara kundër gjermanëve në zonën minerale Kam-Kepenek-Zogaj-Vogovë-Devë, duke kontribuar në çlirimin e kësaj zone dhe të gjithë Malësisë së Gjakovës. Absurditeti i kësaj shpifje të ndyrë del akoma më lakuriq,kur dihet fakti se, të gjitha formacionet partizane, përfshirë edhe ato të Kosmetit, nuk i kanë patur 30 të vrarë gjatë tërë viteve 1943-44 kur qëndruan e luftuan në Malësinë e Gjakovës, ku përfshihet edhe minjera e Zogajt.
I vetmi rast që forcat partizane komuniste,gjatë qëndrimit në Malësinë e Gjakovës,kanë patur 15 të vrarë prej gjermanëve ishin datat 14,15 e 16 shkurt 1944, kur forcat gjermane, të ardhura nga Gjakova, ndërmorën një operacin kundër tyre në qafë të Gashit – Degë – Bujan dhe Gri të Malësisë së Gjakovës. Në këtë rast partizanët u zunë krejt në befasi dhe pjestarët e shtabit të Kosmetit nuk bënë kurrfarë organizimi as kurrfarë qëndrese,por u tërhoqën të shpartalluar duke lënë 15 partizanë të vrarë, midis të cilëve Fahri Ramadanin e batalionit “Perlat Rexhepi”, Jaho Sali Manin të batalionit “B.Curri”, Xhemajl Shkololli nga Peja të shtabit të Kosmetit etje.52) Gjatë këtij operacioni, i ashuqujtur operacioni “Pik” Gani Kryeziu me një pjesë të forcave të tij ishin angazhu- ar në mbrojtje të oficerëve të misionit ushtarak britanikë të cilët ishin vënë në shënjestrën e forcave gjermane për t’u kapur e asgjesuar, por nuk ia arritën këtij qëllimi për shkak të dislokimit të tyre në pyjet e fshatit Berishë dhe bashkëpunimit me forcat e Kryeziut.
Ndërsa udhëheqësit komunistë – që i komandonin forcave partizane, përfshirë dhe ata të Kosmetit, si Fadil Hoxha me shokë,jo vetëm nuk organizuan kurrfarë qëndrese as nuk hodhën ndonjë pushkë kundër gjermanëve gjatë këtij operacioni, po përkundrazi, pasi i lan forcat partizane tërësisht të shpartalluara kërkuan “vrimën e miut” për të shpëtuar kokën e tyre. Dhe e gjetën atë në thellësi të Alpeve,në fshatin e largët Curraj të Epërm ku qëndruan disa javë. Ata u kthyen në Krasniqe vetëm kur mësuan se gjermanët ishin larguar nga i gjithë teritori i Malësisë së Gjakovës. Lidhur me këtë ngjarje,Beqir Ndou-figura “Numër Një” e forcave partizane komuniste që qëndruan e luftuan në Malësinë e Gjakoves gjatë viteve 1941-1944,ish i ngarkuari i KQ të PKSH për luftën në Malësinë e Gjakovës dhe Rrafshin e Dukagjinit, në kujtimet e tij ka deklaruar se: “Shtabi i Kosmetit bëri gabime të mëdha… Ata nuk kishin organizuar informacion për lëvizjet e forcave armike në drejtim të Malësisë, megjithëse ishin në dijeni të një operacini të rreptë kundër Malësisë. Dhe se nuk dhanë asnjë udhëzim,nuk morën asnjë vendim dhe asnjë nga anëtarët e Shtabit ose të Komitetit Krahinor të PKJ nuk shkoi me drejtue luftën kundër gjermanëve. ” 53) U ndala posaqërisht në këto fakte historike që lidhen me një aspekt të veprimtarisë së udhëheqësve komunistë kosovarë gjatë luftës antifashiste, jo për të mohuar meritat e tyre në luftë antifashiste,po për të evidencuar më mirë qëndrimin e tyre keqdashës,armiqësor dhe aspak objektiv ndaj Kryezinjve dhe luftës së tyre antifashiste.Për të treguar se si ata arriten të fallsifikojnë e të shpifin kundër Kryezinjve aq sa, edhe fajet që rëndonin krejtësisht mbi shtabin e Kosmetit u munduan t’i hedhin mbi Gani Kryeziun dhe forcat nacionaliste që ai komandonte. Veçanarisht Fadil Hoxha,i cili s’pushoi së mburruri për “bëmat” e tij gjatë luftës antifashiste,madje shkroi edhe libra për këtë çeshtje si, ”Kur pranvera vonohet” etj. nuk tregoi asnjëherë pakëz burrëri për të thënë qoftë edhe një fjalë të mirë për luftën që zhvilluan forcat nacionaliste antifashiste të Kryezinjve.
As kur ishin gjallë,as kur kishin vdekur vëllezërit Kryeziu,ai nuk arrijti të pohojë faktin se,jo një herë gjatë vitit 1944,kishte qëndruar e luftuar së bashku me Kryezinjtë në Bytyç, në malin e Dobrej, në Degë të Malësisë së Gjakovës etj.Madje Kryezinjtë me bujarinë dhe frymën e bashkëpunimit që i karakterizonte,kishin furnizuar disa herë Shtabin e Kosmetit me bukë, ushqime, veshmbathje dhe armatim. Megjithatë udhëheqësit komunistë të Kosovës, jo vetëm nuk i pohuan kurrë këto fakte, po përkundrazi i akuzuan Kryezinjtë se gjoja “ merrnin furrnizime nga Aleatët, armë dhe pregatitje të ndryshme ushtarake dhe ushqime… dhe në vend që këto armë t’ja jepte luftëtarëve të UNÇJ në mënyrë që ato të shfrytëzoheshin në luftë kundër gjermanëve dhe tradhëta- rëve të popujve të Jugosllavisë,Gani beu këtë nuk e bënte,por këto armë ua jepte njerëzve të vet të cilët kur kriste pak,ata të gjithë shpërndaheshin në shtëpitë e veta,ose ku me ditë se kujt ja dërgonte dhe kujt ja jepte ato armë… Sipas tyre,- këto veprime G.Kryeziu i bënte me qëllim që UNÇJ të ishte sa më dobët e armatosur ” 54) Kjo ishte një ndër akuzat me absurde që shtabi i Kosmetit kish “fabrikuar” kundër G.Kryeziut e cila ju paraqit ati në Gjyqin ushtarak të Beogradit.
vijon


