in

U shënua dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në RMV

Ditën e sotme, më 22 nëntor, shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilën ditë u njësua Kongresi i Manastirit dhe përbën një ditë përkujtimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit.

Në këtë ditë nuk munguan urimet e funksionarëve shtetëror të RMV-së, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski uroi ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke thënë se gjuha dhe kultura janë themele të çdo populli dhe mohimi i tyre do të thotë përpjekje për të shkatërruar origjinën kombëtare..

Kryeministri, Zoran Zaev me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip përmes një komunikate ka uruar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se gjuha dhe alfabeti i saj janë pjesë e kodit gjenetik të një.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka uruar festën e 22 nëntorit – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Xhaferi thekson se Alfabeti i unifikuar do të vazhdojë të shkruhet e lexohet.

“Me gëzim të veçantë dua t’ju uroj festën 22 Nëntori, Ditën e alfabetit shqip, që është vendosur sipas ditës kur është mbajtur Kongresi i Manastirit në të cilin intelektualë shqiptarë të tubuar nga të gjitha anët, pas një pune të palodhshme nëntëditore, dolën me dhuratën më të çmuar për një popull – Alfabeti i unifikuar i cili do të vazhdojë të shkruhet, lexohet dhe përhapet gjuha, kultura, zakonet, veçoritë dhe tradita folklorike e shkruar dhe kënduar, e cila deri atëherë përcillej me shkronja të huaja të gjuhëve të huaja”, shkruan kryetari i Kuvendit, Xhaferi.

I pari i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani po ashtu uroi Ditën e Alfabetit Shqip.

“Uroj për këtë ditë të madhe, nga qyteti i Manastirit, ndryshe i njohur edhe si “Qyteti i Konsujve”, vend në të cilin dikur ka lulëzuar diplomacia dhe kultura. Pikërisht këtu, rilindasit tanë, përveç që vunë themelin e gjuhës shqipe edhe shprehën gatishmërinë për të komunikuar me tjerët dhe për të zhvilluar diplomacinë”, ka thënë mes tjerash Osmani.

Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë.

Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët.

Lini një Përgjigje

24 viktima dhe 1.112 raste të reja me COVID-19 në Maqedoninë Veriore

Priftërinjtë dhe hoxhallarët në RMV do të dënohen për deklarata fyese ndaj grave