Për të pestën ditë me radhë, qytetarët në Tiranë protestuan për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha, nga efektivi i policisë. Po ashtu një protestë paqësore u organizua edhe në Sarandë. Disa protestues demonstruan një pamje shumë interesante të shtrirë në tokë dhe me duar pas kokës si simbolikë të vrasjes së Klodianit në këtë mënyrë.
Protesta nisi në mënyrë paqësore në sheshin “Skënderbej” me thirrjet “Drejtësi për Klodianin”, derisa ata u shpërndanë pas rikthimit në shesh me anë të gazit lotsjellës.
Policia u kërkoi disa herë protestuesve që të shpërndahen, pasi tubimet mbi 10 persona janë të paligjshme për shkak të pandemisë, por marshimi i tyre vazhdoi.
Pas mbërritjes në Kryeministri ata iu drejtuan Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku u përballën me policinë. Pasi disa të rinj qëlluan me gurë drejt policisë efektivët i shpërndanë ata me ujë dhe gaz lotsjellës.
Disa persona që nuk u bindën u shoqëruan në polici.
Ndërkohë duket se protestuesit e fundit kanë mbetur në sheshin ”Zogu i Zi”, ku dhe pritet të largohen menjëherë për të shënuar fundin e organizimit të sotëm si dita e pestë e revoltës, për vrasjen e të riut Klodian Rasha.
Po ashtu është zhvilluar këtë mbrëmje një protestë paqësore edhe në qytetin e Sarandës.
Nën moton “drejtësi për Klodianin”, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe minorenë kanë protestuar paqësisht në sheshin “Nënë Tereza”.
Me qirinj dhe pankarta në duar ata kanë kërkuar drejtësi për Klodian Rashën, i cili u vra nga një efektiv i policisë.