Një kanal televiziv rus transmetoi pamjet e një videoje duke e quajtur dëshmi se ukrainasit po përgatisnin një incident për të diskredituar forcat e tyre të armatosura. Por siç rezultoi më vonë kjo ishte pjesë e një drame televizive që po xhirohej pranë Shën Petersburgut.
Kanali shtetëror i lajmeve “Rossiya 24” tregoi pamjet e dy personave duke lëvizur një manekin dhe raportoi se “ata padyshim synojnë ta paraqesin atë si një kufomë”.
Gazetari i “Rossiya 24” tha se përdorimi i këtyre manekinëve është i përhapur në Ukrainë. “Dhjetëra falsifikime me manekinë shfaqen rregullisht në kanalet ukrainase”, – thuhet në raportimin rus.
Pamjet u denoncuan më pas nga personat që i kishin filmuar. Regjisorja Nadezhda Kolobayeva shkroi në Facebook se pamjet nuk ishin nga Ukraina. Ajo tha se ato janë filmuar më 20 mars në Vsevolozhsk, në lindje të Shën Petersburgut. BBC tha se ka kontaktuar Rossiya 24 për një koment.