Shkruan: Gani Mehmetaj
– Erdoganin ua morëm, ua endëm nëpër Serbi, i nxorëm myslimanët serbë në rrugë të çirreshin si për Gadafin. T’i shihje se si i brohorisnin myslimanët e shkretë si dikur Titos. Gati u shkri turku me bukuritë e atdheut tonë. “Allah, allah”, klithte i mrekulluar “si e ke jaratis këtë shtet të paqes!” Edhe hanëmen e tij e gostitëm me byrekë shqiptari, hante dhe i fshinte buzët delikate nga lyra. Mori edhe ca llokume që t’i shpërndante rrugës. Por, na qiti në hall lukunia e biznesmenëve turq që i lanë në tryezë mishrat e sallatat serbe, i lanë edhe tespihet, dhe mësyn kah hanëmja e byreku i nxehtë, – nisi të më tallte miku im Dragani, derisa komentonte vizitën e presidentit turk në Beograd.
-He, harrova: Pa ia kërkuar fare, myslimanëve të Bosnjës e të Sanxhakut u tha ta ulin kokën.
-Hairin ia pafshi, na e hoqët qafe, se s’na shqitej, gati na mbyti me ryshfete e me xhami, – ia ndërpreva fjalën, ndërsa m’u kujtua vargu: “Mirë e pritën e gostitën”. Kanë traditë serbët në pritjen e burrështetasve myslimanë, gjithë arabët në Beograd i patën. Nuk ishte vendi t’ia thosha se në Bosnjë gati i zhdukët myslimanët, i vratë mbi 100 mijë, kurse i pari i turqve u thotë serbëve se askush s’do të guxojë t’ua prekë kufijtë që i sajuan me gjenocid ndaj kombeve joserbe.
Sikur t’i lexonte mendimet e mia, ai më pa i skandalizuar. Shpresonte të shkrihesha gazit me përshkrimet e atmosferës së takimit. Zakonisht talljet e barsoletat i bënte me turq e myslimanë, ndërsa unë qeshja, sidomos kur më tregonte batuta për sheikët e gratë e tyre që i sillnin në Beograd, ndërsa merrnin pjesë gjysma e personelit të hotelit t’i mbarështonin e t’ua qetësonin gratë epshore. Por kësaj radhe më sëmbonte që tallej me turkun që ne e bëmë vëlla, mu si talleshin dikur serbët me Gadafin, kur erdhi në Beograd, ndërsa ne i pagëzonim fëmijët me emrin e tij. Atëbotë serbët ranë në hall pse e mori Gadafi gamilen nga Libia: për qumësht a për grua!
Nuk e di a e ngushëlluat dot. Turku erdhi me buzë në vaj. Donte të nxirrte inatin me Gjermaninë që e përbuzi: “Kurrë në Evropë s’do të futesh”, i tha Merkeli. Turku i inatosur edhe nga Trumpi u hodh në përqafim të Putinit, – nisa t’ia ktheja talljen me tallje. Duket sikur e zmbrapsa pak, sepse një kohë u mor me teken e rakisë, duke kërkuar t’ia mbushin sërish.
Mua më shumë me dhimbseshin shqiptarët, skllevër të shkretë, që e përjetuan rëndë vizitën e babait të tyre ilegjitim te shkau. Verë me gojë nuk bënin, përpiqeshin me arsyetime idiotësh ta nxirrnin nga bataku. “Ju e kritikonit, prandaj ai shkoi me zemër të thyer te shkau, që ta plotësonte dashurinë e mohuar”, nisnin e vajtonin pse i la shqiptarët me buzë në vaj dhe iu hodh në përqafim serbëve. Të tjerët ia prisnin: “Serbët janë kopila (dinakë), gjithnjë e kanë mashtruar turkun”.
Sa e mori teken që e rrëkëlleu, vazhdoi: – Gjatë drekës, kur ai hante me grushte e me gishta herë pilafin e nxehtë, herë kofshën e pulës, kryetari ynë i tha në mënyrë të prerë, se mos gaboni më dhe e llapni atë marrëzinë se Kosova është Turqi!
-Evet, evet, tabi, tabi (po, po, sigurisht, sigurisht) – ia përsëriste i pari i turqve me gojën plotë pilaf, – kurrë më nuk e bëj atë marrëzi. Nuk e dija se do të zemëroheshit. Desha t’ua bëja qejfin ca pleqve të rrjedhur në Prizren, që s’janë as turq, as sllavë, as shqiptarë, as torbesh, dreqi e merr vesh çka janë, por u përqurrën kur ishte Davutogllu atje, prandaj më shpëtoi ajo deklaratë fatkeqe. Nga sot do ta them me plot gojën se Kosova është Serbi. Ju e dini se të nesërmen e deklaratës sime fatkeqe e nisa Davutogllunë në Beograd që t’u kërkonte falje. Nëse u bëhet qejfi do ta them Turqia është Serbi, ndërsa nisi të ngrejë lart tre gishtat e palarë, pasi e çapëleu një kofsh pule. Aty e kapën fotografët, saqë njerëzit dyshuan se mos është kthyer në fenë e vjetër.
Derisa flisnim, afër meje rrinte si në ferra miku im Saqimi nga Dardania, që e donte aq shumë Erdoganin, e donte i shkreti dikur edhe Titon. Kur u rrënua Jugosllavia, nisi t’i kthehej Enverit të vdekur. Dashurinë për Jugosllavinë e zëvendësoi me dashurinë për Turqinë. Kjo dashuri e trefishtë nuk e pengonte që secilin shqiptar që e kritikonte Turqinë ta quante shka sllavo-grek. Prandaj, çdo fjali me talljen therëse të Draganit, dardani im e përjetonte rëndë, por nuk guxonte t’i kundërshtonte, i frikësohej për tmerr. Kur e tallja serbin më shihte me habi, vetëm sa s’më thoshte “hiqu tij”!
Miku im beogradas vazhdonte të më bombardonte: – Pranojeni se turqit më shumë na duan ne. E ke parë me sytë e tu që në pazare të Stambollit turqit të flasin serbisht si të ishin shtatë herë serbë të Shumadisë. Asnjëherë nuk të flasin shqip, madje të sheh me përbuzje po e përshëndete shqip.
Nuk mund ta kundërshtoja. Më kishte ndodhur dhjetëra herë. M’u kujtua edhe viti 1982 kur e nisëm një bisedë në autobusin nga Edreneja në Izmir me një turk. Meqë i thashë se isha nga Jugosllavia tërë kohën më foli me dashamirësi. Nga fundi kur i tregova që jam shqiptar u thartua sikur t’ia kisha sharë nënën. Iku pa më përshëndetur. M’u kujtuan edhe miqtë e mi që shkojnë në verime në Turqi. Nga aeroporti deri në hotel serbisht ua dëshirojnë mirëseardhjen, më tregonin ata.
E ndiqja bisedën e Draganit, me një buzëqeshje të lehtë, por e ndiqja me sy edhe reagimin e mikut tim, i dashuruar në Erdoganin. Më me dëshirë do ta ndiqja reagimin e akademikut tonë Qosja, i cili pati deklaruar se kush e shanë Turqinë, flet me gjuhën e Serbisë. Tash kur Serbia e lavdëron Turqinë, sigurisht do t’ia dredhë: kur doni ta lavdëroni Turqinë, flisni me gjuhën e Serbisë.
Sikur donte ta zemëronte dardanin tim, Dragani, vazhdonte me monologun për vizitën e turkut në Serbi.
– Çfarë bëjnë kështu?,- më pëshpëriti këshilltari ynë derisa shikonte se si hanin me gishta e me grushte.
– Ashtu hanë myslimanët, – i pëshpërita në vesh, – nuk u duhen lugë e pirunë, nuk u duhet as kompleti i pjatave. Ata e shtrojnë një beze përpara dhe hanë në tokë. Në një gotë pinë ujë të gjithë, gotën e endin nga fillimi në fund të tryezës. Gjysma e tanëve i lanë lugët e pirunët, e lanë drekën, nuk ishin mësuar kështu.
Se çka thoshte nipi i Qubriloviqit nuk më bënte përshtypje, mirëpo nisi të më mbërthente zemërimi kur m’u kujtua sa shumë hiqnin bashkëkombësit e mi në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nga Serbia.
– Mos më përrallis për turkun. Po shqiptarëve të Kosovës Lindore pse u bëni zullum? Pse nuk ua hapët shkollat, edhe pse i premtuat të parit të Shqipërisë, e lejuat të takohej në Preshevë me shqiptarë, u tall ai dhe ju me emocionet e tyre, ndërsa prapa shpine ua nxorët gjuhën, – nisa ta sulmoja aty ku shpresoja se ai është më i dobët, sepse në takimet ndërkombëtare për minoritete ku shiheshim shpesh, miku im serb çirrej në kupë të qiellit për barazi.
– Erdoganin ua morëm, ua endëm nëpër Serbi, i nxorëm myslimanët serbë në rrugë të çirreshin si për Gadafin. T’i shihje se si i brohorisnin myslimanët e shkretë si dikur Titos. Gati u shkri turku me bukuritë e atdheut tonë. “Allah, allah”, klithte i mrekulluar “si e ke jaratis këtë shtet të paqes!” Edhe hanëmen e tij e gostitëm me byrekë shqiptari, hante dhe i fshinte buzët delikate nga lyra. Mori edhe ca llokume që t’i shpërndante rrugës. Por, na qiti në hall lukunia e biznesmenëve turq që i lanë në tryezë mishrat e sallatat serbe, i lanë edhe tespihet, dhe mësyn kah hanëmja e byreku i nxehtë, – nisi të më tallte miku im Dragani, derisa komentonte vizitën e presidentit turk në Beograd.
Qesha me lot. Nuk më shqitej gazi. Qesha aq shumë, saqë pata frikë se do të më zihej fryma e do të më lëshonte zemra nga qeshja e shfrenuar.
Saqimi, dardani im islamik me shihte gojë hapur, si t’i kishte rënë damllaja.