Përktheu dhe përgatiti Valmir Mehmetaj
Drejtuesi i ‘Tucker Carlson Tonight’ reagon ndaj të shtënave fatale që lanë të vrarë një grua, pasi që demonstruesit pro-Tramp sulmuan Kongresin e SHBA-ve
Edhe pse jeni bombarduar gjithë ditën me imazhet e asaj që ndodhi në Kongresin e SHBA-ve, të mërkurën, shumë pak kohë është shpenzuar për të reflektuar se përse ndodhi. Kushdo që po përpiqet të kuptojë rëndësinë e asaj që po ndodh duhet të shikojë videon e momenteve të fundit të Ashli Babbitt, gruas që u qëllua dhe u vra gjatë kaosit.
Pamjet, të cilat mund të gjenden lehtësisht në internet, tregojnë Babbitt duke qëndruar në një korridor pak para sallës së Kongresit me një flamur amerikan të lidhur në qafë. Skena përreth saj është kaotike. Njerëzit po përplasen me njëri-tjetrin, po çirren derisa bëjnë përpjekje që të hyjnë në sallë. Papritmas, pa kurrfarë paralajmërimi ka krisma armësh. Dëgjohet një e shtënë dhe shihet Babbit duke rënë përtokë. Në korridor njerëzit bërtasin. Kamera fokusohet në fytyrën e saj. Babbitt duket e shtangur, me shikim të prerë përpara. Ju mund të vëreni se ajo e di se shumë shpejt do të vdesë, dhe ashtu ndodhi. Ajo vdiq.
A ka këtu diçka nga e cila mund të nxjerrim mësim? Nuk është e mjaftueshme vetëm të quhet tragjedi. Paramendojeni për një sekondë se Babbitt ishte vajza juaj. Herën e fundit që folët me të, ajo ishte nisur drejt Uashingtonit për një tubim politik. Ndërsa tash ka vdekur. Nuk do të keni më kurrë mundësi t’i flisni. Janë këto pamje të cilat ne po i shiqojmë, dhe ndoshta do të shohim shumë më tepër të tilla në ditët në vijim.
Dhuna politike nxit dhunën politike. Ky është një ligj i hekurt. Andaj ne duhet të jemi kundër saj, pavarësisht se kush e kryen dhunën, ose me çfarë preteksti, pavarësisht se sa demagogë për interesa personale na sigurojnë që dhuna është e justifikuar ose e nevojshme. është detyrë e jona t’i kundërshtojmë që të gjitha, jo thjesht sepse dhuna politike vret fëmijët e të tjerëve, por sepse në fund të fundit, ajo nuk funksionon.
Asnjë person i mirë nuk do të bëjë një jetë më të lumtur si rrjedhojë e vrasjes së Ashli Babbitt në një korridor të Kongresit sot. Andaj opsioni ynë i vetëm, si zgjidhje praktike, është që të ndreqim arësyet që po i shkaktojnë këto gjëra, në radhë të parë. Ju mund të mos keni asgjë të përbashkët me njerëzit në anën tjetër të vendit (gjithnjë e më shumë po duket se mbase edhe nuk keni), por keni ngecur me ta. Ideja se grupe të ndryshme të amerikanëve do të ndahen disi në kombe paqësore, por që ndajnë të njejtat mendime, është një fantazi. Dy hemisferat e këtij vendi janë të ndërthurura në mënyrë të pandashme, si binjakët siamezë. Asnjëri nuk mund të largohet pa vrarë tjetrin. Sado i tmerrshëm që është ky moment, nuk kemi mundësi tjetër veçse ta përmirësojmë atë, të shtrëngojmë dhëmbët e ta kalojmë.
Gjëja e dytë për t’u marrë parasysh, që lidhet me të parën, është se pse Ashli Babbitt shkoi në tubim. Ajo nuk kishte asnjë ngjashmëri me fëmijët e zemëruar që kemi parë duke shkatërruar qytetet tona në muajt e fundit – të zbehtë e të lazdruar, nihilistë që visheshin në të zeza dhe vinin zjarre e përshkllenin parrula nëpër statuja. Ajo dukej pak a shumë sikur të gjithë ne të tjerët.
Atëherë përse ishte ajo atje? Mbi këtë na duhet të mendojmë. Nëse duam ta rregullojmë, atëherë do të na duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj.
Arsyeja e vetme që ky vend është i pasur dhe i suksesshëm është sepse për qindra vjet kemi gëzuar një sistem të qëndrueshëm politik. Arsyeja e vetme që sistemi është i qëndrueshëm është, sepse është një demokraci e përgjegjshme ndaj votuesve.
Demokracia është një valvul presioni për lehtësim. Për sa kohë që njerëzit sinqerisht besojnë se mund t’i ndryshojnë gjërat duke votuar, ata do të qëndrojnë të qetë. Nuk do të mësyjnë sallën e Kongresit. Do të flasin, të organizohen e të votojnë. Por edhe e kundërta është e vërtetë. Nëse njerëzit fillojnë të besojnë se në këtë demokraci po bëhet me hile, se votimi është vetëm një farsë, se sistemi është i manipuluar dhe po udhëhiqet në fshehtësi nga një grup i vogël njerëzish të fuqishëm e të pandershëm, të cilët veprojnë vetëm për interesa të vetat, atëherë vetëm Zoti e di se çka mund të ndodhë.
Po në të vërtetë, ne e dimë se çfarë mund të ndodhë, sepse po ndodh pikërisht tani. E njejta ka ndodhur në vende të tjera të panumërta gjatë shekujve të panumërt. Ky cikël është gjithmonë i njëjtë e nuk ndryshon, sepse as natyra njerëzore nuk ndryshon kurrë.
“Na dëgjo!” ulëret popullata.
“Heshtni dhe bëni atë që ju thuhet”, thonë udhëheqësit e tyre.
Kur përballen me disidencë, instinkti i parë i udhëheqjeve ilegjitime është ti’a kërsasësh popullatës, por këto goditje kurrë nuk e përmirësojnë popullin. E kundërta ndodh, ato gjithmonë e bëjnë vendin më të paqëndrueshëm e më të rrezikshëm. Por ata që janë përgjegjës rrallë e kuptojnë këtë. Atyre nuk ju intereson të mësojnë apo të dëgjojnë, sepse e gjithë kjo bisedë do të thotë një referendum mbi ta dhe mbi udhëheqjen e tyre. Andaj ata vetëm sa përshkallëzojnë kundërveprimin. Ky është programi Romanov, dhe përfundon keq çdo herë. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk do ta provojnë përsëri. Sigurisht që do ta bëjnë, sepse është në natyrën e tyre. Kjo është edhe mënyra se si fillimisht kemi arritur në këtë pikë.
Miliona amerikanë besojnë sinqerisht se zgjedhjet e fundit ishin të rreme. Ju mund t’i shpërfillni si të çmendur. Ju mund t’i quani ata teoricienë konspiracioni. Ju mund t’i dëboni nga Tuitteri. Por kjo nuk do të ndryshojë mendjen e tyre. Në vend që të përpiqeshin t’ia ndryshonin mendimet, t’i bindnin e t’i siguronin se sistemi ynë është i vërtetë dhe se demokracia funksionon – gjë që do ta bënit nëse do të kujdeseshit për vendin ose njerëzit që jetojnë këtu – udhëheqësit tanë të rinj do të përpiqen t’i heshtin ata.
Ajo që ndodhi të mërkurën do të përdoret nga njerëzit që marrin pushtetin për të justifikuar heqjen e të drejtave me të cilat keni lindur si Amerikan: E drejta juaj për të folur pa u censuruar, e drejta juaj për t’u mbledhur, për të mos u spiunuar, për të siguruar jetesën, dhe për të mbrojtur familjen tuaj.
Këto janë liritë më themelore dhe antike që kemi. Ata janë arsyeja pse ne jetojmë këtu në radhë të parë. Ata janë arsyeja pse ne jemi krenarë që jemi amerikanë. Ato janë ato që na dallojnë nga të tjerët, dhe ato janë që të gjitha në rrezik.
Kur mijëra bashkatdhetarë tuaj sulmojnë ndërtesën e Kongresit, nuk keni pse ta pëlqeni. Neve nuk na pëlqen. Ju mund të tmerroheni nga dhuna, dhe ne të tmerruar jemi.
Por nëse nuk ndaleni për një çast që të bëni pushim dhe nuk bëni as përpjekjen më të vogël, që të mësoni diçka nga qytetarët tuaj që sulmojnë ndërtesën tuaj të Kongresit, atëherë jeni budallenjë, ju mungon mençuria dhe vetë-ndërgjegjja, dhe nuk keni kurrfarë vendi në drejtimin e një shteti. Kemi arritur në këtë ditë të trisht e kaotike jo pa një arësye.