Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan e ka shpallur veten si mbrojtës të botës muslimane. Ai kritikon Indinë, Francën dhe të gjitha vendet evropiane sa herë që bëhet fjalë për komunitetin musliman. Sidoqoftë, presidenti turk jo vetëm që hesht, por është duke ndihmuar aktivisht Kinën që të shtyp Ujgurët, duke ekstraduar ata që kërkojnë azil në Turqi.
Departamenti i Shtetit Amerikan thotë se në Xinjiang ku jetojnë rreth 11 milionë ujgurë është duke ndodhur një gjenocid. Sipas tyre, në kampet e përqendrimit të cilat Kina i quan kampe ri-edukimi, janë të mbyllur afërsisht dy milionë ujgurë.
Vuajtjet e ujgurëve në këto kampe janë çnjerëzore. Sipas aktivistëve ujgurë, shteti kinez paguan burrat kinezë që të flenë me gratë ujgure, derisa burrat e tyre janë në kampe ri-edukimi, për të promovuar ‘unitetin etnik’.
Ish të burgosurit tregojnë për torturat fizike si dhe ato psikologjike në kampe. Familje të tëra zhduken, dhe fëmijët shpërndahen gjithandej nëpër vend. Ujgurët që nuk janë nëpër kampe, mbikëqyren gjatë gjithë kohës përmes teknologjisë, dhe iu kërkohet që të japin mostra biometrike dhe ADN-në. Njerëzit në kampe, detyrohen të mësojnë gjuhën mandarine, dhe të kritikojnë e heqin dorë nga besimi i tyre.
Ky trajtim në të kaluarën jo aq të largët ishte kritikuar edhe nga Turqia. Ajo kishte marrë një qëndrim mjaft të ashpër ndaj Kinës. Ministria e Jashtme e këtij vendi tha se ajo çfarë po ndodhte ishte një “turp i madh për njerëzimin”. Asokohe ishte shteti i vetëm musliman që po i dilte në mbrojtje ujgurëve, që gjithashtu janë musliman suni.
“Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të marrin masa efektive për t’i dhënë fund kësaj tragjedie njerëzore në Xinjiang,” tha ministria në një deklaratë.
Por pas takimit që pati Erdogani me Presidenti kinez Xi Jinping me 2 shkurt të 2019-tës, ai ndryshoi plotësisht qëndrimin e tij. Fillimisht udhëheqësi turk tha se nëse “çështja ujgur” shfrytëzohet për shkak të emocioneve, ajo do të reflektonte “keq për marrëdhëniet turko-kineze”.
“Ata që shfrytëzojnë çështjen, ata që përpiqen të fitojnë diçka nga çështja, duke vepruar emocionalisht pa menduar për marrëdhëniet që Turqia ka me një vend tjetër, fatkeqësisht përfundojnë duke i kushtuar si republikës turke ashtu edhe vëllezërve të tyre,” tha ai gjatë një sesioni pyetjesh e përgjigjjesh me reporterët.
Po atë vit, hipokrizia e Erdoganit, këtij “kampioni të islamit” do të kalonte kufinjë të tjerë me deklaratën e tij se njerëzit në Xinjiang po jetojnë të lumtur. Ndërsa tani, mbështetja e tij për persekutimin e ujgurëve ka eskaluar duke ndihmuar dhe lehtësuar ekstradimin e tyre në Kinë.
Një raport nga Telegrafi dokumenton gjerësisht mënyrat inovative përmes të cilave Turqia ekstradon ujgurët. Qindra ujgurë kanë kaluar muaj në qendrat e paraburgimit dhe dëbimit në të gjithë Turqinë pa asnjë akuzë si rezultat i kërkesave gjyqësore kineze. Megjithëse Turqia ka një politikë të mos deportimit të ujgurëve në Kinë, ku ata me siguri do të përballeshin me paraburgim ose vdekje, Sunday Telegraph ka zbuluar prova se si ata dëbohen në vende të treta, nga ku pastaj ekstradohen në Kinë.
Turqia së pari i identifikon ujgurët që kërkohen nga Kina, nga të cilët më shumë se gjysma nuk merren me politikë apo aktivizëm. Ata dërgohen më pas në qendra paraburgimi dhe pastaj dëbohen në Taxhikistan – një shtet ky që pa hezitim zbaton kërkesat për esktradim nga Kina.
Sipas një vlerësimi, rreth 50,000 ujgurë kanë kërkuar strehim në Turqi. Ata po përpiqen të shmangin shtypjen çnjerëzore që po iu bëhet në Kinë. Por krahu i gjatë i ‘Dragoit’, i ka arritur edhe aty.
Arslan Hidayat, një aktivist për të drejtat e ujgurëve me qendër në Stamboll ka njohuri të dorës së parë në lidhje me këto ekstradime. Hidayat përshkroi peripetitë dhe dorën e gjatë e durimin këmbëngulës të Kinës për të siguruar kthimin e ujgurëve.
Hidayat tha se Kina ndjek me ngulm ujgurët për shkak se ata mund të ekspozojnë shtypjen diktatoriale të këtij vendi. Turqia dhe Kina kishin nënshkruar një projekt traktat ekstradimi në 2017 por parlamenti turk nuk e ka ratifikuar atë.
Megjithatë kjo nuk e ndalon Pekinin që t’i dërgojë kërkesa për ekstradim qeverisë turke, të cilët me metoda mjaft kreative e jashtëligjore i zbatojnë ato. Jo shumë kohë më parë Kina kërkoi ekstradimin e një ujguri të quajtur Enver Turdi.
Turdi kishte folur me shtypin perëndimor rreth abuzimeve të qeverisë kineze. Në vitin 2015, ambasada kineze në Turqi refuzoi t’i lëshonte atij një pasaportë. Si rezultat, ai nuk mund të rinovonte lejen e tij të qëndrimit të përkohshëm për Turqinë. Dy vjet më vonë, Enver Turdi u vendos në një strukturë deportimi dhe u mor në pyetje nga autoritetet turke. Që nga ajo kohë ai është zhdukur.
Një nënë e ve ishte duke biseduar me djalin e saj, kur papritmas thirrja telefonike ndërpritet. Kjo do të ishte hera e fundit që dikush ka dëgjuar për Aimuzi Kuëanhan, një nënë 59-vjeçare e dy fëmijëve dhe një myslimane ujgure. Ajo kishte arritur të ikte nga Kina dhe të shkonte atje ku ajo mendonte se ishte një strehë e sigurtë, në Turqinë e Rexhep Tajip Erdoganit.
Me origjinë nga Kashgar në Xinjiang Kinë, Kuëanhan mendoi se kishte gjetur siguri pas ikjes nga fushata mbytëse e shtypjes atje. Por me sa duket, nuk ishte ashtu sepse edhe një vit më vonë, askush nuk mund ta thotë nëse ajo është e gjallë apo jo.
Familja e gruas së ve beson se edhe ajo është ekstraduar përmes Taxhikistanit. Ashtu si qindra të tjerë, ajo është një viktimë e biznesit që përplaset me të drejtat e njeriut. Jeta e saj ishte një tjetër sakrificë njerëzore për të mbajtur gjallë investimet e Pekinit në Turqi.
Ibrahim Ergin, një avokat i specializuar në rastet e dëbimit, tha se kërkesat për ekstradim shpesh shfaqin dëshmi të trilluara. Njëra prej tyre ishte bazuar në pesë dëshmi, por tre nga dëshmitarët e dyshuar ishin ekzekutuar në kampe kineze, tha ai.
Ai përshkroi se si qeveria turke po mbytet nga kërkesat e ekstradimit, urdhër-arrestet dhe kërkesat gjyqësore nga Kina. Disa vijnë direkt nga Pekini, të tjerët përmes Interpolit, dhe ai dyshon se të tjera janë lëshuar nga vende të treta në emër të Kinës.
Ergin tha: “Unë kam një listë me 200 akademikë ujgurë në Turqi. Në një mënyrë apo një tjetër, Kina dëshiron ekstradimin e të 200-ëve. ”
Por shtypja e ujgurëve në Turqi nuk mbaron me kaq. Ilsan Aniwar, është një figurë kryesore në komunitetin Ujgur, falë videove të tij në internet rreth Turkestanit Lindor – emër me të cilin ujgurët që duan një shtet të pavarur e quajnë Xinjiangun. Ai thotë se Pekini tani po bën presion ndaj autoriteteve turke për të shuar aktivizmin për kampet e përqendrimit në Kinë. Ai beson se ka spiunë për të monitoruar aktivitetin e ujgurëve edhe jashtë Kinës.
Aniwar tha: “ Një kohë ne bënim fushata për të rritur ndërgjegjësimin jashtë të gjitha xhamive të mëdha, dhe ngritnim flamuj [të ujgurëve] në të gjitha ngjarjet publike. Por ata nuk na lënë më”. Aktivizmi i tij ka shkaktuar që ai të arrestohet disa herë gjatë vitit të fundit.
Aniwar i tha The Sunday Telegraph se në periudhën e tij më të fundit të paraburgimit rojet u përpoqën ta mashtronin atë për të nënshkruar një kërkesë dëbimi vullnetarisht.
Por pse, shtrohet pyetja, shtetet islamike me në krye Erdoganin përkrahin plotësisht Kinën në shtypjen e ujgurëve, ndërsa shtetet perëndimore janë kundër? Përgjigjja është e thjesht. Të gjitha shtetet e dështuara islamike kanë vënë paranë para jetës, dhe kanë lidhje të afërta biznesi me Kinën.
Në vitin 2010, Kina dhe Turqia kishin nënshkruar tetë pakte strategjike bashkëpunimi. Kjo mund të rrisë vëllimet e tyre vjetore të tregtisë në 100 miliardë dollarë këtë vit.
Vitin e kaluar, banka qendrore e Kinës bëri një infuzion prej 1 miliard dollarësh në ekonominë turke. Bankat turke luftonin për ndihma kineze për t’i shpëtuar nga bankrotimi. Pekini madje ka ratifikuar edhe një paketë prej 3.6 miliardë dollarësh për sektorin e energjisë të Turqisë.
Për këto arsye, Erdogani shpall nëpër botë se ujgurët janë të lumtur, vetëm disa muaj pas deklaratës së tyre për “turpin e madh për njerëzimin”. Presidenti turk i ka borxh Kinës, ashtu sikur edhe pjesa tjetër e botës muslimane. Si gjithnjë, janë shtetet demokratike të perëndimit ato që mbrojnë e luftojnë për të drejtat e njeriut, pa marrë parasysh fenë, racën apo kombësinë e tyre.
CNN / The Sunday Telegraph / Business Insider / Wion
Përgatitur nga Valmir Mehmetaj