Prestigjiozja britanike “The Economist” ka bërë një raportim mjaft të detajuar në lidhje me numrin e vërtetë të vdekjeve të shkaktuara nga pandemia, ndryshe nga sa janë raportuar nga institucioneve përgjegjëse.
Pas përpunimit të të dhënave nga 186 shtete të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, “The Economist” ka dalë në përfundimin se numri real i viktimave nga pandemia në të gjithë globin nuk është 5.5 milion, por rreth 19.1 milion. Kjo shifër është gati katër herë më e lartë nga ajo që kanë raportuar zyrtarisht shtetet.
Për të arritur në këtë tregues, “Th Economist” ka përdorur një model kompjuterik, i cili ka krahasuar vdekshmërinë në kushte normale të popullsisë në një rajon dhe kohë të caktuar me numrin e të vdekurve të deklaruar nga autoritetet pavarësisht shkakut të tyre.
Pjesa e dalë “tepër” në këtë raport është ajo që “The Economist” e konsideron “vdekje pa ndonjë shkak tjetër”, nisur edhe nga fakti se në rajonin në fjalë s’ka patur ndonjë katastrofë, duke e lidhur kështu drejtpërdrejt me pandeminë.
Sa i përket Shqipërisë, duke iu referuar metodologjisë së mësipërme, “The Economist” vlerëson se numri real i të vdekurve për shkak të pandemisë varion mes 12 mijë dhe 15 mijë personave, ndërkohë që shifra zyrtare e deklaruar si të vdekur nga koronavirusi është 3 247.