in

Tef Vokrri – personalitet i shquar i arsimit shqip në Mitrovicë

Në tetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës (2016), Presidentja Atifete Jahjaga ka dekoruar një numër personalitetesh, që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën. Në mesin e këtyre personaliteteve është veçuar edhe mësuesi Tef Vokrri, i dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave, e cila u jepet personave që me punën e tyre kanë kontribuar në fusha të veçanta, si: në arsim, në shkencë, në kulturë, në sport, shërbim civil etj.

Shkruan: Fazli HAJRIZI

Më 25 dhjetor 2020, mësuesi Tef Vokrri mbush 92 vjet. Jeton në Mitrovicë, në pjesën veriore të qytetit, me bashkëshorten e tij, Resmije Saneja – Vokrri, gjithashtu mësuese e devotshme. Këtë shkrim modest po e nis në respekt të emrit dhe vlerave të mëdha të mësuesit Tef Vokkri. Emri i tij është thadruar në kujtesën e shumë brezave të nxënësve të tij dhe të qytetarëve të Mitrovicës. Mitrovica ka pasur gjithmonë mësues me emër, por ndër ta më i veçanti ka qenë dhe mbetet Tef Vokrri, një njeri i dijshëm e me cilësi të rralla, shumë i kulturuar, korrekt e i përkushtuar, metodist i shkëlqyeshëm në mësimdhënie, mësues frymëzues, këshillëdhënës e udhërrëfyes shembullor, koleg e mik besnik, i afërt e i shkueshëm me të gjithë. Ai është shquar gjithmonë me sjelljen e tij të kulturuar, me buzëqeshjen e ëmbël e të sinqertë, me të folmen e tij karakteristike – gegërishten e vendlindjes së tij të qarkut të madh letrar të Shkodrës, kryeqytetit kulturor të shqiptarëve.

Të gjithë nxënësit që kanë kryer tetëvjeçaren në shkollën fillore “Bedri Gjinaj” në Mitrovicë, sidomos ata që kanë pasur fat ta kenë mësues Tef Vokrrin, kanë shumë kujtime për të. Ai arsimoi dhe edukoi për së mbari shumë breza, prandaj qyteti i Mitrovicës i është mirënjohës. Ata që kanë marrë dije prej mësuesit Tef Vokkri, e kanë pasur më të lehtë rrugëtimin drejt sukseseve. Ai pati një fëmijëri dhe rini shumë të vështirë, prandaj u përpoq me tërë qenien që nxënësve të tij t’ua ylberojë qiellin e jetës.

Krijimi i portretit a figurës së plotë të mësuesit Tef Vokrri i ngjan një binomi monolit i rrjedhshmërisë së një jete plot vlera: prindërit, edukata dh kultura e trashëguar nga të parët e tij… Me një prejardhje të tillë plot vlera nga rrethi i Shkodrës dhe principe të larta për jetën, ky i ri do të prezantohet në qytetin e Mitrovicës, i cili qe gati shtatëdhjetë vjet u bë vendlindje e tij e dytë.

Tef Vokrri lindi më 25 dhjetor 1928 në fshatin Hajmel të Shkodrës. Rrjedh nga një familje me tradita patriotike, e njohur për mikpritje e bujari, besë e trimëri. Kështu, madhështia e familjes për të gjithmonë përbënte madhështinë e fisit dhe të atdheut. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje, ku kreu shkollën fillore. Shkollimin për mësimdhënie e vazhdoi dhe e përfundoi në Korçë. Një kohë të shkurtër ka punuar në kurset kundër analfabetizmit. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, pas ngadhënjimit dhe konsolidimit të sistemit komunist në Shqipëri, i ati i tij, duke qenë një kundërshtar i rreptë i pushtetit diktatorial, u pushkatua madje pa gjyq. Burgosjen dhe torturat e këtij sistemi i përjetoi edhe vetë Tefi i ri, prandaj, për t’i shpëtuar edhe likuidimit fizik, u detyrua të largohet nga vendlindja. Pas shumë peripecish e vuajtjesh më në fund arrin të kalojë në Kosovë, pikërisht në Mitrovicë, ku vazhdoi shkollimin e mëtutjeshëm. Jeta si normalist shpalosi para tij një sërë përgjegjësish, ku shpejt do të demonstrohen vlerat si nxënës shumë i zellshëm që dita-ditës ia lartësonin figurën. Ishte nxënës sistematik që ecte me hapa të sigurt drejt të ardhmes si mësues i përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Pasi kreu katër klasë të Shkollës Normale me rezultate të larta, dhe vitin e pestë në Prishtinë, ku ishte njëri ndër nxënësit më të përkushtuar e më të dalluar, mori diplomën e mësuesit të kualifikuar. Në vitin 1964, u emërua mësues në shkollën fillore “Një Maji” (tash “Abaz Ibrahimi”) në fshatin Shupkofc afër Mitrovicës, ku arriti të luajë një rol shumë të madh në lëvizjen arsimore në këtë mjedis. Ishte njëri ndër mësuesit më të përgatitur, më të rregullt dhe më të përkushtuar në misionin e tij. Ishte sa dashamirës, aq edhe kërkues me nxënësit. Edhe pse në kushte e rrethana shumë të vështira, ai punoi me shumë zell, në heshtje fisnike, pa reklama e pa bujë për ndriçimin dhe përparimin e njerëzve të kombit të tij. Kështu, me emrin e nderuar që kish, me formimin dhe taktin pedagogjik që e karakterizonte, i sjellshëm dhe dashamirës siç ishte, ai fitoi zemrat e shumë të rinjve e të rejave, që e donim shkollën, fjalën e folur e të shkruar shqipe. Duke qenë një vlerësues i shkëlqyer dhe i saktë i situatave të një kohe plot ëndrra reale për emancipimin e popullit shqiptar në Kosovë, e bënë këtë figurë shëmbëlltyrë dhe një vlerë dinjitoze. Punonte dhe studionte pa pushuar nga fusha e pedagogjisë, historisë dhe kulturës së përgjithshme që në jetën e tij u kthye në busullën orientuese të vlerave e virtyteve të larta. Shumë të rinj e të reja ecën në gjurmët e tij, mbaruan të gjitha fazat e shkollimit: fillor, të mesëm e të lartë, madje disa syresh u bënë mësues si ai, duke pretenduar gjithnjë që t’i ngjajnë apo të bëhen si ai: të urtë, të ditur, të kulturuar, vizionarë e të lartësuar në veprime e gjykime. Shumë suksese të shkollës fillore në fshatin Shupkofc lidhen me emrin e mësuesit Tef Vokrri.

Në vitin 1968, Tef Vokrri vazhdoi punën e mësuesit edukator në shkollën fillore “Bedri Gjinaj” në Mitrovicë. Bedri Gjinaj, i lindur në Mitrovicë (1913), kishte kryer shkollën e mesme teknike Shqiptaro-Amerikane (Shkolla e Harri Fultzit) në Tiranë dhe gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, derisa u pushkatua në vitin 1945, kishte punuar si mësues dhe përgjegjës i shkollës fillore “Skanderbeg” në Mitrovicë. Me ardhjen e Tef Vokrrit emri dhe lavdia e këtij mësuesi do të rritet edhe më shumë. Edhe në këtë vatër edukative- arsimore ai u dallua në shumë drejtime. U dallua, para së gjithash, si mësues me moral të lartë e atdhetar i kulluar. Edhe këtu vazhdoi të rrezatojë njerëzi, dashuri, dije. U dallua si mësues i aftë me vizione të qarta teorike e praktike, me kulturën pedagogjike etj. Detyrën e edukatorit e çmonte si diçka të shenjtë. Mësuesi, sipas tij, përfaqësonte dritën, dijen, të renë, të ardhmen e popullit dhe të vendit të tij. Ishte një mësues model, i cili, pos që i mësonte dhe edukonte nxënësit e tij, u ndihmonte edhe nxënësve të Shkollës Normale “Hasan Prishtina”, të cilët e kryenin praktikën në këtë shkollë dhe përgatiteshin gjithashtu për mësues. Kështu, përvoja dhe këshillat e tij u kanë hyrë në punë këtyre të rinjve gjatë karrierës si edukator të brezit të ri. Të gjithë këta të rinj që kanë kryer praktikën tek mësuesi Tef Vokrri, gjatë misionit se tyre si mësimdhënës, kudo që kanë punuar, i kanë përdorur dhe shfrytëzuar këshillat dhe përvojën e tij, duke u përpjekur që të jenë punëtorë të kujdesshëm, korrektë, të rregullt dhe të dashur si ai. Organet e pushtetit komunist jugosllav qysh në fillim e kishin shpallur si njeri të padëshirueshëm, sepse angazhohej për të ndihmuar çështjen shqiptare, arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, sidomos emancipimin e femrës shqiptare.

Në fillim të viteve ’90, kur arsimi shqip në Kosovë pësoi goditje të rëndë nga regjimi serb i kohës, mësuesi i vyeshëm Tef Vokrri, duke qenë se ishte në shënjestër të organeve të pushtetit serb, e pushuan nga puna. Megjithatë, ai nuk pushoi asnjëherë, duke ndihmuar shkollën shqipe në forma të ndryshme. Vlen te theksohen edhe dy-tri gjëra që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e Tef Vokrrit:

E para, për t’i thelluar dhe zgjeruar njohuritë e tij, ai, pa shkëputje nga puna, studioi në Fakultetin Juridik, të cilin e kreu me rezultate të larta.

E dyta, edhe pse pati mundësi të kalonte në administratë dhe të ushtronte profesionin e juristit, ku, dihet, pagesa ishte më e mirë, duke qenë se ishte i lidhur shpirtërisht me arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, ai asnjëherë nuk u hamend të braktisë këtë profesion të shenjtë, prandaj, e vazhdoi këtë mision derisa u dëbua nga puna.

E treta, ka jetuar dhe vazhdon të jetojë matanë Urës së Ibrit me bashkëshorten e tij, Resmije Sanajen – Vokrrin, gjithashtu mësuese e denjë, veterane e arsimit dhe shkollës sonë.

Tef Vokrri është njëri ndër ata pak mësues “emigrantë” në truallin etnik, që ka vendosur të jetojë në Kosovë, pikërisht në Mitrovicë, madje në pjesën veriore të qytetit, ku përditë ballafaqohet me ndeshtrasha nga më të ndryshmet. Ai, për shkak të moshës dhe te rrethanave që dihen, del shumë rrallë nga banesa e tij. Njerëzit që e njohin, i merr malli për të. Kanë dëshirë jo vetëm të rrinë e të çmallen me të, por edhe të mësojnë prej tij. Në pamundësi që ata të shkojnë matanë lumit Ibër për ta vizituar, mësuesi Tef Vokrri zhdirgjet herë pas here pa përtesë në jug të qytetit. Vjen edhe atëherë kur e thërrasin në ndonjë manifestim që organizohet nëpër shkolla apo në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”. E nderojnë duke i bërë vend në rendin e parë të sallës. Kur pyesim ndonjërin prej ish nxënësve apo bashkëpunëtorëve të tij që të na i thonë, së paku, dy-tri fjalë për mësuesin Tef Vokrin, të gjithë shprehen përafërsisht kështu: “Tef Vokrri ka qenë, është dhe do të mbetet mësues model. Njeri me vlera të larta, mësues me emër, i cili ka mbjellë farën më të shëndoshë të diturisë. Ai gjithmonë ka përcjellë tek të rinjtë tanë kulturë, mirëkuptim, dashuri, optimizëm… Për këtë flasin faktet që në thesarin e dijeve të tij ndriçon fjala e dhënë “Mësues”. Në shkollën ku ka punuar, nxënësit e paraleles që i mësonte mësuesi Tef, gjithmonë kanë dalë më të suksesshmit, duke zënë vendet e para. Ai i ka dhënë shumë shpirt shkollës shqipe në Mitrovicë, prandaj gëzon respekt të madh dhe nuk harrohet kurrë. Figura e tij është vlerësuar herë pas here me mirënjohje. E ka vlerësuar edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me Medaljen Presidenciale të Meritave… Tef Vokrri është shembulli më i mirë për mësuesit e qytetit të Mitrovicës e më gjerë: për mirësjellje, edukatë, korrektësi, përkushtim, dashuri ndaj profesionit, rezultateve të tij në edukimin e brezit të ri dhe në shumë drejtime të tjera. Ai është përcjellësi më besnik dhe më i mirë në jetë i këshillave të urta. Njeri që gjithmonë ka parapëlqyer dhe preferuar dialogun, dëgjimin dhe paqen. Dialogu, sipas tij, të jep mundësi për të mësuar dhe për t’u përmirësuar, për të dëshmuar sa di dhen për të ditur më shumë. Për të forca e fjalës është shumë e madhe aq sa domosdoshmëria e përdorimit të dëgjimit. Sa herë bisedonte me të tjerët, ai dëgjonte me durim. Sipas tij, vetëm duke dëgjuar, arrijmë të praktikojmë durimin dhe të artikulojmë veten. Tef Vokrri ka qenë gjithmonë në paqe me të gjithë. Si e arrinte këtë? Sepse, në radhë të parë, ai ishte në paqe me vetveten. “Çdo njeri është pjesë e botës dhe bota e secilit është shumë e rëndësishme, prandaj ta fillojmë paqen nga vetja!” – këshillonte herë pas here mësuesit e rinj. Sot, në 92 vjetorin e lindjes, Mësuesit Tef Vokrri i urojmë shëndet e jetë të gjatë. Qytetarët e Mitrovicës janë krenarë që në mesin e tyre ka punuar dhe jeton ky njeri i rregullt, fisnik e dinjitoz, krenar e atdhetar, ky burrë i urtë e i butë, i sinqertë e mendjemprehtë, i mençur e tepër bujar, kjo natyrë e përkryer nga korrektësia… Nuk mund të harrojmë mësuesin e përkushtuar ndaj atdheut e kombit, njeriun me shpirt të çiltër e zemër të bardhë, i cili, në ato kohë shumë të vështira, mbajti mbi supe barrën më të rëndë të padrejtësive. Nuk mund të harrojmë mësuesin e metodistin e shquar, i cili mbajti me nder e krenari këtë emër të shenjtë. Si mund të mos kujtojmë me nderim këshilltarin e matur e të mençur, atë që vështirësitë e jetës e kanë kalitur shumë dhe e kanë bërë të papërkulshëm. Ai dallohej nga të gjithë mësuesit e tjerë. E shquanin stabiliteti shpirtëror e karakteri i fortë, korrektësia e ndershmëria njerëzore, dashuria e toleranca. Ky njeri me sedër nuk u spraps asnjëherë para vështirësive dhe nuk ia shtriu dorën askujt. Ai është njëri ndër të rrallët që shpërndau dhe mbolli, kudo që shkoi, farën e dijës, mirëkuptimit e dashurisë. Këshillat që të shikojmë kah e ardhmja, mësimet se si të orientohemi, të ecim drejt në jetë, krah për krah me kohën, të cilës i ka paraprirë, nuk harrohen kurrë. Në vete ai ka pasurinë e tij që e bën krenar dhe të pathyeshëm. Asnjëherë nuk mungon të shprehë, si medaljen, shenjën e mirësisë e krenarisë së ligjshme – emrin e babait të martirizuar, dashurinë për Shkodrën, djepin e qytetërimit tonë shqiptar, për vendlindjen, Hajmelin, ku pa dritën e kësaj bote, për të cilat ruan kujtime brilante! Mitrovicën e konsideron vendlindjen e tij të dytë, prandaj ka vendosur që t’i qëndrojë besnik deri në amshim!”

Më 25 dhjetor 2020 Tef Vokrri mbush 92 vjet. Urojmë të bëhet shekullor! Ai është një ndër emrat më të nderuar të shkollës shqipe në Mitrovicë, në Kosovë dhe më gjerë. Vitet e punës së tij janë plot vlera. Në to është shpalosur puna e mësuesit që la mbresa të një edukatori, i cili u gëzohej si fëmijë fryteve të punës së tij. Vite pune intensive në procesin edukativo-arsimor, vite vlerësimesh dinjitoze, çmimesh dhe rezultatesh të larta… Ishte njëri ndër mësuesit tanë më të përkushtuar, prandaj edhe sot është njëri ndër më të çmuarit në këtë mjedis. Gjatë punës së tij në edukimin e brezave të rinj e kanë shquar shumë cilësi: ngritja e lakmueshme profesionale, përkushtimi e dashuria ndaj misionit të mësuesit (edukatorit), pedantëria e saktësia, gatishmëria për të bashkëpunuar dhe për të ndihmuar të tjerët, sjellja korrekte dhe shumë e kulturuar ndaj nxënësve, prindërve, kolegëve etj.

Lini një Përgjigje

Kabineti i Vjosa Osmanit: Mendimi i Isa Mustafës i takon së kaluarës

Gazetarja zvicerane: Pse kosovarët me shumicë myslimane festojnë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri?