in

Të rinjtë në ndihmë të banorëve të prekur nga pandemia

Pandemia COVID-19 vazhdon të ndikojë në varfërimin e mijëra familjeve në Shqipëri. Kjo ka nxitur një grup të rinjsh, vullnetarë të shoqatës “Eko Mendje” në Shkodër, të bashkohen në mbështetje të familjeve më të varfëra dhe, sidomos, të moshuarve të vetmuar.

Është fundjavë dhe të rinjtë vullnetarë të shoqatës “Eko Mendje’ në Shkodër janë bashkuar për t’u ardhur në ndihmë familjeve të varfëra në periferi të qytetit të tyre. Mirsad Basha, që drejton “Eko Mendjen”, thotë se periudha e gjatë e pandemisë e ka vështirësuar së tepërmi gjendjen e shumë familjeve që jetojnë në kushtet e varfërisë.

“Situata është shumë e vështirë. Duket dita-ditës se problematika e familjeve në nevoja rritet. Për fatin e keq, jo vetëm ana ekonomike, por edhe situata e tyre shëndetësore është bërë më problematike. Prej muajsh ne jemi në ndihmë të tyre në mënyrë vullnetare”.

Mirsadi thotë se, për shkak të pandemisë COVID-19 dhe humbjes së shumë vendeve të punës, varfëria po zgjerohet edhe në qytet.

“Niveli i varfërisë ka qenë më shumë në periferi të Shkodrës, por shikojmë se muajt e fundit ka fillu edhe në qytet. Ne kemi pasur një numër gati 150 familje në nevojë që i mbështesnim, por shikojmë se në vazhdim është duke u rritur numri i këtyre familjeve që ne i ndihmojmë çdo muaj apo çdo javë”.

Ardit Zhupo është një nga të rinjtë vullnetarë të “Eko Mendje”. Ai ka mbaruar studimet për informatikë dhe punon në një kompani private. Por, pas punës, i është përkushtuar mbrojtjes së mjedisit dhe mbështetjes për familjet e varfëra. Arditi thotë se, përmes rrjeteve sociale, vullnetarët e “Eko Mendje” informohen për familjet që gjenden në kushtet e vështira të jetesës për shkak të pandemisë.

“Rrjetet sociale kanë pasur një bum në këtë periudhën e pandemisë, sepse ka qenë mjeti i vetëm i komunikimit me bazë fotot dhe vidiot. Dhe kjo na ka ndihmuar shumë. Pa rrjetet sociale do të ishte i pamundur evidentimi i këtyre familjeve. Sepse, kur ka diçka vizive, është shumë më e mirë për njerëzit që shikojnë publikimet tona, por edhe për ne që shpalosim punën që bëjmë.”

Mes vullnetarëve të “Eko Mendje” ka edhe shumë vajza. Njëra prej tyre, Atalanta Kraja, tregon se kanë vizituar shumë familje të varfëra, në qytet apo në rrethinat e tij, dhe se gjendja në të cilën ata jetojnë është tejet e vështirë.

“Përgjithësisht, familjet ku shkojmë ne janë në kushte katastrofale dhe as në minimumin e mundshëm të jetesës. Në familje që kanë fëmijë të vegjël dhe nuk kanë as xhama në dritare, me celefona, apo çatia që nga momenti në moment mund të shembet duke i zënë brenda.

Sipas Atalantës, situata më e vështirë është ajo e të moshuarve të vetmuar. Ajo përmend shumë prej tyre, por veçon një gjyshe 111 vjeçare që jeton e vetmuar, e cila mbështetet nga vullnëtërat e “Eko Mendje” dhe banorët e zonës ku jeton.

“Një gjyshe, që ne e kemi më speciale, është gjyshe Zenepja. Është 111 vjeçe dhe javën e kaluar morri edhe dozën e parë të vaksinës. Ajo është shumë e dashur dhe ka nevojë për shoqëri, pasi jeton vetëm. Nuk ka as fëmijë dhe as nipër e mbesa. Ka disa komshi që i qëndrojnë afër dhe i dërgojnë ndonjë ushqim të gatuar”.

Prej një viti, pandemia ka ndikuar në rritjen e nivelit të varfërisë në mijëra familje shqiptare.

Banka Botërore, në raportin e saj, “Perspektiva Ekonomike Globale – janar 2021” vëren se ekonomia e Shqipërisë është tkurr me 6,7 % vitin e kaluar, çka ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në humbje të vendeve të punës dhe rritjen e nivelit të varfërisë. VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Pandemia lë pa viza bizneset kosovare

LDK-ja sot zgjedh kryetarin e ri