Nga Hilmi Saraçi
Në Shalë të Bajgorës mjekët tanë në krye me dr. Adem Ademin dhe dr. Sami Beqirin kishin formuar një ambulancë për UÇK-në për t’u ndihmuar në këto kushte të vështira të luftës. Mulla Asllani kishte kontaktuar shpeshherë me komandantët dhe me ushtarët e UÇK-së . Një ditë kontakton me komandantin për logjistikë, Xhevat Isufin nga Vidishiqi, i cili kishte përpiluar një regjistër për barna që ishin të nevojshme për ushtarët, duke kërkuar ndihmë nga Mulla Asllani që të sigurojë si të mundet. Mulla Asllani këtë porosi e kishte marrë me përgjigjësi. Menjëherë kishte kontaktuar me pronarin e barnatores private “Nuka”, në Mitrovicë, dhe kishte siguruar barnat dhe menjëherë kishte shkuar në ambulancën ushtarake në Shalë të Bajgorës dhe i kishte dorëzuar në praninë e dr.Sami Beqirit dhe dr.Adem Ademit.*
(Dr.Adem Ademi është i njohur për angazhimin dhe kujdesin ndaj minatorëve gjatë grevës të ngujuar në zgafelle të minierës së “Trepçës” (1989) . Kontributi i tij si mjek dhe pajtimtar për faljen e gjaqeve para luftës është i madh. Gjatë luftës (1998-1999), pikërisht më 19 prill 1999, kriminelët serbë e kishin ekzekutuar në kufi me Malin e Zi. Pas plot 14 vjetësh, një deklaratë e një serbi, Ranko Tepavac, nga Bellopoja e Istogut, i cili tani fshihet diku në Serbi, nga frika se do të vritet nga serbët (thuhet se e kanë vrarë), dhënë Policisë së UNMIK-ut dhe SHPK-së, qysh në vitin 2003, zbardh ngjarjen e natës së 19 prillit të vitit 1999, ku serbët lokalë të Zubin-Potokut, kishin ekzekutuar pas shpine 23 civilë shqiptarë të komunave Skenderaj dhe Mitrovicë, në mesin e të cilëve ndodheshin edhe intelektualë, si Idriz Rreci, atëherë kryetar i Degës së LDK në Skënderaj, dr. Adem Ademi, dr. Fatmir Fazliu, prof. Demir Ahmeti. ( Marrë nga gazeta “Zeri” dhe KLDMNj në Mitrovicë).
Mulla Asllani gjithashtu në shkollën e Barës (Shalë e Bajgorës) u kishte dorëzuar 2000 DM në emër të Bashkësisë Islame dy komandantëve të UÇK-së, Xhevat Isufit dhe Hysni Ahmetit. Në xhaminë e Qirezit (Drenicë) Mulla Asllani kishte dorëzuar logjistantit Avdyl Salihut një material sanitar, 1000 copë injeksione të cilat i kishte blerë me para të veta. Komandanti ushtarak Xhevat Isufi në fund të ramazanit (1998) e kishte thirrur Mulla Asllan Muratin në Kçiq të Madh ,në shtëpinë e Haxhi Qerimit ku ishin të pranishëm Komandanti ushtarak, Zymer Halimi nga Medvegja, hoxhë Basri Zekolli, Nasuf Bivolaku të Bashkësisë Islame nga Vushtrria dhe Shefqet Bilalli nga BI në Mitrovicë
Komandanti, Xhevat Isufi, kishte thënë pasi është fundi i ramazanit , besimtarët që japin “fitrat”, të jepen për ushtarët tanë, sepse jemi shumë keq. Ushtarët me atlete po bëjnë rojë dhe po luftojnë kundër armikut, prandaj e kishte lutur Mulla Asllan Muratin që të ndihmojnë nëse nuk bie ndesh me rregullat fetare. Mulla Asllani kishte sqaruar se kjo nuk bie ndesh me parimet islame, por mua po më duket se është nënçmim që të mbetet në këtë gjendje ushtria jonë për “fitra”. Mulla Asllani ishte drejtuar arkëtarit të vet : Sa marka janë tubuar për “fitra” në vitin e kaluar? Arkëtari ishte përgjigjur se në emër të “fitrave” janë tubuar 11000 DM. Atëherë Mulla Asllani kishte thënë se për 11000 DM ushtria e Kosovës nuk duhet të ndihmohet me “sadaka fitër”, prandaj unë mendoj kishte thënë Mulla Asllani që t’i gjejmë 5 veta që për ushtrinë tonë t’i japin nga 2000 DM dhe kështu mos të dëgjohet në popull se ushtria jonë ka mbetur në “fitra”.Dy komandantët Xhevat Isufi dhe Zymer Halimi ishin pajtuar dhe kështu ishte vendosur… Mirëpo këta (Xhevati Isufi dhe Zymer Halimi), po atë natë, kah ora 22.50 të natës, duke u kthyer nga Kçiçi i Madh, në afërsi të Smrekovnicës kishin rënë në pritën e organizuar armiqësore të popullit tonë. Komandant Xhevat Isufi ishte vrarë në vend, ndërsa komandat Zymer Halimi ishte plagosur…Pas një ore banorët e Smrekovnicës i kishin marrë dhe i kishin dërguar në spitalin ushtarak në Bajgorë…
Mulla Asllani ka pasur shumë takime me interes të pajtimit gjithëpopullor dhe kombëtar me shumë veprimtarë, sidomos me prof. Latif Berishën ishte i pandashëm. Në këto takime Mulla Asllani gëzonte një respekt dhe autoritet të madh…
(Fragment nga libri im monografik: “Mulla Asllan Murati personalitet i shquar kombëtar dhe fetara)