in

Takime spontane me Robert Ndrenikën, Anila Xhekaliun, Ben Andonin

Me Robert Ndrenikën (aktor teatri e filmi. Artist i Merituar)

 

Shkruan: Bajram Sefaj

 

 

Takimi me këtë luan, me këtë uragan, me këtë legjendë të gjallë, është paksa i veçantë (si i pabesueshëm) dhe i vështirë të kallëzohet me pak fjalë. Pasi hodhi në pëlhurë portretin tim, Mikeli me propozoi të merrja (haja) drekën në një restorant tipik korçar (çfarë rastësie, kur edhe ai vetë ka prejardhje nga ai qytet yni i bukur dhe i lashtë!). Aty gatuhet mirë. Kaq me tha Mikeli dhe iku. E priste një punë e ngutshme. Porosisë e mikpritësit tim fare nuk i bëra ojna.

 

Akoma pa e porositur drekën, gjersa po përmbysja birrat e ftohta të Korçës, veshët ma zunë një zë fort të njohur, si në ëndërr të isha. Jo, realisht ai ishte zëri i mjeshtrit të madh, Robert Ndrenikës, pos që, ndërkohë, i kishte ndërruar jetë bashkëshortja, siç mësojmë nga shtypi i ditës, Roberti ynë legjendar, kishte pasur edhe një telash shëndetësor.

 

Por, jo, ore, jo! Legjendat nuk dorëzohen kollaj. Edhe këtë sfidë të radhës, si shumë të tjera para saj, Roberti ynë i dashur, e kishte tejkaluar dhe, si për ta festuar edhe një betejë të fituar, kishte dalë ta festonte, bashkë me disa miq, në restorantin më të mirë korçar në Tiranën e Re. Ani pse Roberti ishte i kthyer me shpinë nga unë dhe fytyrën nuk ia shihja, unë kënaqesha duke dëgjuar zërin e tij, një bas të thellë, me timbër veçorie karakteristike, kur është i tij, vetëm i tij dhe i askujt tjetër.

 

Kjo ishte “biseda” ime, si imagjinare të ishte, me Robert Ndrenikën, në restorantin korçar në Tiranën e Re, në Tiranë!

 

(Përmes kamerierit skofiar, i çova të fala të ngrohta miqësore, nga vëllai nga Kosova martire dhe, pa ia prishur fare terezinë ika, dola…

 

Sytë më ishin njomur vetvetiu.

 

(S’)di pse…!

 

(Aktori legjendë e gjallë, Robert Ndrenika, majë biçiklete, sigurisht se është me këshillën

 

dhe porosinë e ndonjë mjeku specialist nga Tirana, më parë se që është me kërkesën e ndonjë regjisori filmi a teatri, thashë me vete, nuk e di pse, gjersa, në google po (për)zgjidhja këtë fotografi të tij).

  

Me Anila Xhekaliun (poete, romanciere, përkthyese)

  

 

 

 

Ajo fliste me entuziazëm rinor dhe me energjinë e një t reje të talentuar. Fliste për shkrime. Romane (tek ma dhuroi atë me titull “Muranat” (Buzuku, Prishtinë – 2011), ja tek e kam pranë dhe, ani pse me vonesë, mezi pres t’i gjuhem e ta lexoj me kënaqësi e garbi…

 

Anila, me të cilën ishim njohur nga larg (kisha zhvilluar me të një bisedë nga distanca, përmes internetit), fliste qetë, mirë fliste, unë e vështroja në ca sy të një të moshuari të djegur. E vështroja plot lakmi, për rininë e saj (gat-gati shtalb), të provoja t’i kapja e t’ia vija në hark gjithë ato plane ambicioze që artistja e re nga Tirana, kishte para vetes e që prisnin të realizohen. Ajo fliste e unë heshtja dhe dëgjoja. Nuk e di pse e si, terë asaj mesdite në kafene, në shëtitoren e Pedalorës së Tiranës (përballë Mileniumit 2), m’u fanit, e nuk më shqitej dot, fytyra e aktores nordike, nga Norvegjia, Liv Ulman. Të cilën, si të re e të bukur që ishte dhe me talent, e bëri të njohur botërisht, si aktore, regjisori suedez me famë, Ingemar Bergman.

 

Një ditë, urojmë edhe Anilën tonë, do të bëhet e famshme si letrare, sa është e njohur L. Ulman, si aktore filmi.

 

Amen

 

Me Ben Andonin (studiues, kritik letrar, eseist, përkthyes)

  

 

Para e mbi të gjitha, Ben Andoni, është një djalë i mirë. Ndër ata më të mirët, të brezit të tij. Për ata që e njohin, një dorë, ta kujton Antonin tonë (Pashkun). Mos i ngjaftë me jetë. Rroftë më shumë e më mirë se ai. Rroftë e qoftë, për mot e jetë të gjatë e të ndershme.

 

I qetë, i urtë, në kuptimin me të mirë të fjalës. Kritik i mirë. Opinionist i shkëlqyer. I mprehtë dhe i pakompromis. Tani e disa vjet e udhëheq shtojcën (suplementin) për art e kulturë “Milosao” të së përditshmes “Gazeta shqiptare” të Tiranës, që, sipas mendimit dhe vlerësimit, të njohësve të artit dhe të kulturës shqiptare, është shtojca më e mirë dhe më serioze në hapësirat gjithëshqiptare.

 

Beni është sllavist. Në rrugë të mbarë për t’u bërë përkthyes i mirë nga disa gjuhë të basenit ballkanik. Së shpejti, në përkthim të tij, del nga shtypi, “Kështjella” e shkrimtarit të njohur boshnjak, Mesha Selimoviq.

 

(Për hir të tij, sa për t’ia bërë qejfin, sa herë që takohemi në “Tajvan” të Tiranës, me Benin e edukuar dhe skofiar, i ndërrojmë nga disa fjalë në sllavisht. Gjuhë të ish-republikave të ish-shtetit të ish-Jugosllavisë. Sado që ruhem të mos e marr rolin e mësuesit rigoroz, shoh se Beni, ndërkohë, ka bërë një progres progresiv!).

 

Me Fatos Lubonjën

 

(ish-i burgosur politik, shkrimtar, eseist, kolumnist-analist…)

  

 

Fatos Lubonjën, e takoj rastësisht, ashtu si, nganjëherë, gjërat e mira dinë të ndodhin spontanisht. E takoj në hapjen e ekspozitës, instalacionit, “Antihomazh” të Ardian Isufit, në mjediset e Muzeut Historik të Tiranës. Kjo ishte (përgjithësisht) hera e parë që e takoja në gjallje, Fatos Lubonjën, për të cilin dija aq shumë. Veçmas për të kaluarën e stuhishme dhe vuajtjet trishtuese të tij, atëbotë, djalë i ri, gjimnazist, i internuar dhe i burgosur politik, në burgjet më çnjerëzore të diktatorit çmendurak, çfarë ishte Enver Hoxha.

 

I fola i pari, ngase e njoha. E si të mos e njihja, kur aq shpesh e kam parë në ekranet televizive. Kohët e fundit, gati-gati për çdo natë, në ekranin e Agon channel të Tiranës, baskë me Sonila Meçen & kompani!

 

Nuk ishte as vendi as koha të shtronim muhabet më të gjerë. Më tregoi se, tash e disa kohë, përgatitka një bulikacion në Internet dhe se u quajtka “Përpjekja”, se ishte numri 22, 23 i tij. Do ta lyp e, kush lyp – gjen!

 

(Atyre ditëve të tensionuara, si gjithmonë me lloj-lloj provokacionesh (ndër më të ndryshmet), sigurisht se do të kenë qenë një pus plot ngjyrë të zezë, për aq kronika e opinione publike të këtij mjeshtri të penës dhe kritiku të thekur të dukurive negative në shoqërinë e sotme shqiptare. I tillë sigurisht se do të jetë edhe shkrimi i tij i sotëm (e enjte, 17 shtator, ky vit), me titull provokues “Industria e baltës dhe industria e propagandës”, zbardhur në faqen 19 të gazetës ditore Panorama të Tiranës.

 

(Për ata që nuk kanë pasur rastin ta lexojnë, le të thuhet, sa për dijeni, se ky tekst i tij i radhës, ishte ilustruar me një fotografi të madhe të Edvin Ramës, krejt i mbështjellë me rrobe propagande, ku mirë lexohej “Antidroga një histori suksesi 2014-2015”).

  

Të ndryshme…

 

(Në Pedonale: Shtatori-fest, në Tiranë, si October-fest, në Munih. “Malli” për bunkerin që s’e pashë. U (ri)ngjall, Enveri në Pezë! Biçikleta në Tiranë, si në Paris a në Amsterdam!).

 

Rruga “Murat Toptani” në Tiranë, tash e njohur me emrin Pedonale

   

E shndërruar në shëtitore, tash e disa vjet, rruga e njohur “Murat Toptani” e Tiranës, ka ndërruar edhe emrin. Ajo tash (déjà), quhet Pedonale. (Mos u bëj kureshtar e mos vargo pyetje budallaqe, në stilin: pse, si, kur…!).

 

Ec kësaj rruge, shëtit e kënaqu… “kënaqu tuj’ u kënaq”, sikurse thotë vargu i një melodie të popullarizuar!

 

Nuk hyn, kjo rrugë, në këtë kronikë për asgjë tjetër, pos pse, ato ditë, përgjatë Pedonales,, pra, ngriheshin punkte burimesh, prej nga do të zbërthenin curril birrash!

 

Me të madhe, përgatitej festa e birrës në Pedonale, në zemër të Tiranës!

 

Hej!

 

Pse jo: kur Munihu, ka october festin e vet, pse atëherë, edhe metropoli ynë, Tirana jonë e madhe, të mos ketë edhe këtë festë, festën e birrës, pyetje shtrohet vetvetiu!

 

(Pedonalja sot duket krejt ndryshe. Është më e avancuar, se që shfaqet në këtë foto, që, si për mëshirë, ma “fali” interneti dhe hiç nuk dihet e cilës epokë është.

 

Ndjesë!).

 

Bunkeri në ndërtim…

 

(Kush do bunker, kurrë prej tij mos daltë!)

  

 

 

 

Në lidhje me këtë krijesë të shëmtuar, që zgjon neveri të thellë, ngase të kujton kohën e ferrit, më shumë se kohën e burgut kolektiv të mbarë shqiptarëve të Shqipërisë, pra, komenti im është i shkurtër dhe i qartë: kush do hala bunker, kurrë prej tij mos daltë, jarebi!!!

 

Më kot, madje, disa herë, bëra përpjekje që ta shihja nga afër këtë pjellë djalli (që po lind), por pa sukses. Depërtimi brenda kantierit të këtij objekti turpi, nuk u shkoi për dorësh as ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, çfarë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, ka shumë. Medet!

 

Peza e Enverit!

 

(Nostalgjikë dhe, kundërnostalgjikë)

  

Enver para, Enver mbrapa!

 

Gjithkund! Ngado që sillesh e rrotullohesh.

 

Në Kosovë, sidomos në Ferizaj. Në Shqipëri, kurdo e kudo, sidomos në Pezë. Sidomos më 16 shtator, kur i bie ditëlindja e diktatorit. Atëherë (përherë) zgjohen dhe tensionohen ndjenjat mallëngjyese të nostalgjikëve, kur si hiena, nuhasin dhe ndjellin të kaluarën që akoma ende kundërmon erë gjaku e tmerri… Kjo ndodh sidomos në Pezë, në Pezën e Enverit, sa herë që, këndejpari, kalon gjashtëmbëdhjetë shtatori. Kështu ishte edhe gjatë këtij shtatori, të datës gjashtëmbëdhjetë të tij. A do të jetë kështu, përherë!?! Jo, jo, inshalla!

  

Biçikletat…

 

(Presin startin, në Tiranë!)

 

 

 

 

Fotografia me biçikleta, nuk është e vërtetë. Është e rreme. Është marrë diku tjetër për tjetër dhe, kushedi, në ç’mjedis e në ç’kohë, stinë dimri a vere!

 

Jo, por kjo nuk është vetëm se ilustrim, për një paralajmërim të mirë, se, edhe në Tiranën tonë, bash sikurse në Paris e Amsterdam, bie fjala, do të këtë më shumë biçikleta e më pak polucionqë do të thotë më pak ndotje ajri e ambienti, në përgjithësi. Edhe në Shqipëri, si në shumë vende të Evropës, sidomos, kohët e fundit, po punohet në këtë drejtim. A hyri, a s’hyri në zbatim ligji a marrëveshja: “një ditë pa makina në Tiranë!”.

 

(Ndërkaq, në Prishtinë, pirja e duhanit në pijetore e mjedise të tjera publike, pothuajse është legalizuar plotësisht!).

 

Kuku, për Ty, e kuku për mua!

 

(Dikur e Diku)

 

                                               

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Vjosa Osmani prezanton potencialin ekonomik të Kosovës para përfaqësuesve të bizneseve zvicerane

Zemra plot Shqipëri