in

Sulme të tjera ajrore amerikane dhe britanike në Jemen

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe goditën 36 objektiva të rebelëve huthi në Yemen të shtunën, në valën e dytë të sulmeve ajrore ndaj grupeve të mbështetura nga Irani, të cilat kanë sulmuar vazhdimisht interesat amerikane dhe ndërkombëtare që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas.

Pas sulmeve, Irani paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të mos godasin dy anije mallrash iraniane, të cilat dyshohen prej kohësh se shërbejnë si baza operacionale për komandot iraniane.

Sulmet ajrore u bënë gjatë orëve të natës në gjashtë rajone të Jemenit që kontrollohen nga huthitë, si dhe në kryeqytetin Sanaa. Grupi huthi nuk dha detaje për dëmin e shkaktuar, por Shtetet e Bashkuara njoftuan se u goditën arsenale raketash të mbajtura nëntokë, platformat e nisjes së raketave, si dhe helikopterët që përdoreshin nga rebelët.

Zëdhënësi ushtarak i militantëve huthi, gjeneral brigade Yahya Saree tha se “këto sulme nuk do t’i dekurajojnë forcat jemene nga vazhdimi i mbështetjes për palestinezët” dhe se sulmet “nuk do të mbeten pa përgjigje”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin paralajmëroi militantët huthi pas sulmeve ajrore se “do të vazhdojnë të mbartin pasoja të mëtejshme nëse nuk ndalin sulmet e tyre të paligjshme ndaj transportit ndërkombëtar dhe mjeteve detare”. Ky mesazh u mbështet edhe nga sekretari i Jashtëm britanik David Cameron, i cili tha se “sulmet e huthive duhet të ndalen”.

Pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania bënë sulmet ajrore, Irani paralajmëroi të dielën Shtetet e Bashkuara që të mos sulmojnë dy anije transporti mallrash në Lindjen e Mesme, të cilat prej kohësh dyshohet se shërbejnë si baza operacionale për komandot iraniane.

Deklarata nga Irani për anijet “Behshad” dhe “Saviz” duket se sinjalizon shqetësimin në rritje të Teheranit për sulmet ajrore amerikane të ditëve të fundit në Irak, Siri dhe Jemen ndaj milicive të mbështetura nga Republika Islamike.

Anijet janë të regjistruara si anije tregtare të një kompanie me seli në Teheran, të cilës Departamenti amerikan i Thesarit i ka vendosur sanksione pasi shërben si fasadë për kompaninë shtetërore iraniane të transportit detar.

Në një video të ushtrisë iraniane të qarkulluar të dielën, anijet përshkruhen si “arsenale lundruese” dhe se kanë misionin për t’iu kundërvënë piraterisë në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit”.

Pak përpara fushatës ajrore amerikane, anija Behshad udhëtoi drejt Gjirit të Adenit dhe është ankoruar tashmë në Xhibuti, pranë një baze kineze, raporton Associated Press.

Flota e 5-të amerikane nuk komentoi në lidhje me rrezikshmërinë që përfaqësojnë këto mjete detare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Ministri gjerman i Mbrojtjes sot në Kosovë

Pse dy futbollistë me origjinë shqiptare takojnë afër Zürichut një imam radikal nga Libani?