Sherif Ramabaja
EU shpesh me qëndrimin e saj kontrovers, pavendosmërinë, pafuqinë etj. ka bërë që nga personalitetet të njohura, të quhet, “Tigri prej Letre”. Këtë nuk e kanë shpikur shqiptarët, po vetëm e kanë cekur si thënie që u përgjigjet rrethanave dhe veprimeve të EU.
Në këtë rast kur ne më së shumti kemi nevojë për përkrahjen e EU në ndihmesën e dialogut Kosovë – Serbi, ne dëgjojmë deklarata jo serioze qofte nga Borrelli, Lajcak, që ende janë apo ishin ndërmjetësues të këtij dialogu, po edhe nga zëdhënësi i EU, zoti Stano.
Ky personalitet, i këtij rangu të EU, mundohet që gjërat për të cilat janë shumë të qarta, siç është Ura e Ibrit, t´i kanalizoi në atë drejtim që plotësisht është një absurditet i radhës nga ana e tij, apo EU të cilën ai e përfaqëson.
Kjo nuk të çuditë aspak, po të shikohen përçarjet, autoriteti i cenuar brenda vetë EU, mos uniteti i saj etj. Si shembull mjafton të shikohen veprimet e Orbanit i cili zhvilloi vizita në Moskë e Pekin, në emër të EU. Pra çfarë t´i shtohet kësaj kur brenda EU mbretëron kjo gjendje kaotike.
Apo çfarë mund të presësh prej saj kur janë në pyetje raporte të ndërlikuara ndërshtetërore, në këtë rast siç është Kosova e Serbia, e cila po ndërmjetëson më shumë se një decenie pa kurrfarë suksesi dhe pa kurrfarë autoriteti. (Serbia sot i thotë se e pranon marrëveshjen, kurse të nesërmen i thotë se e refuzon).
Duke e parë vendnumërimin në këto bisedime, që i ndihmojnë edhe disa faktor të tjerë me konfuzitetin e tyre (kryeministri i Shqipërisë Rama), të ndikuara edhe nga propaganda e Serbisë dhe Rusisë, por edhe nga paaftësia e saj, e kanë penalizuar Kosovën, duke i vënë edhe sanksione, me arsyetimin se ajo është shkaktarja për dështimin e rezultateve.
E tërë bota e din se Vuçiqi qëllimisht i ka zvarritur bisedimet duke prit ditë më të mira për Serbinë. Këtë e ka deklaruar haptas, duke e cekur rastin e Azerbajxhanit, (rast të cilin po e pret Vuçiqi) apo duke e pritur rezultatin e zgjedhjeve brenda EU, që u mbajtën sivjet, apo duke e pritur kthimin e Trumpit, ku EU nuk e thotë një fjalë të vetme për këto.
Kosova të gjitha këto padrejtësi ndaj saj po i përjeton edhe nga shkaku se Serbia po dërgon armatime në Ukrainë, pra po punon në dy anët, kurse tash padrejtësitë pritet t´i shtohen edhe nga shkaku, kur këto ditë nga kancelari Scholz u nënshkrua marrëveshja EU – Serbi, për Litiumin.
Të gjitha këto çështje po ndikojnë që EU t´i mbyll sytë para realitetit, ta ledhatoi Serbinë dhe ta pyes se a është e pajtimit për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, apo jo.
Këto gjëra po ashtu kanë ndikuar që të minimizohet edhe sulmi paraushtarak dhe terrorist i strukturave shtetërore të Serbisë në Veriun e Kosovës, në Banjë.
Në këtë linjë si duket ishte edhe propozimi i ambasadorëve të Quintit, që u bë këto ditë në takimin me kryeministrin Albin Kurti, për mos hapjen e urës pa pëlqimin e Serbisë.
Po ashtu i kësaj natyre si duket ishte edhe sulmi ndaj presidentes së Kosovës zonjës Vjosa Osmani, nga autoritet maqedonase, në aeroportin e Shkupit.
Merreni me mend se si do të reagonte EU ndaj autoriteteve të Kosovës, po mos tia dorëzonte Kosova Serbisë kufomat e paraushtarakëve në Banjë, kurse rasti i Faton Hajrizit, as që ceket nga EU, apo Stano.
Shtrohet pyetja, çfarë e pret Kosovën po erdhe në pushtet Trumpi? Nga kush do të sulmohet më fuqishëm ajo, nga EU apo Trumpi. Cili udhëheqës shtetëror do ta përballonte një presion të tillë, apo do të detyrohet të thotë: Kosova nga këto ndryshime nuk do të humb asgjë, vetëm do të fitoj. (Thënie të vitit 1989, mbi ndryshimet kushtetuese, ku Kosova e humbi autonominë).