Autori ka ditur që të mos e mbajë në këtë frymë, kurse futja e elementit të dashurisë së shqiptarëve me serbët jep një dimension tjetër human, por që edhe ky nuk e kalon dot provën etnike. Ndërkohë personazhi ynë është rritur dhe kërkon të bëj jetën e vet, larg këtij vendi. Narratori, tashmë inxhinier, nis e mëson më shumë për kohën dhe të gjithë atë që e ka ndjekur fëmijërinë e vet, dhe përmes bisedës me miqtë por edhe mundësisë për të gjykuar, kupton realisht Kosovën e kohës së tij. Gjyshi përbën sërish cakun e një epoke, sepse vdes me makthin që ka të shoqen në dhé shumë larg prej këndej, kurse i biri i damkosi nga makthet prej punës.
Dalëngadalë historia prek kohën tonë, ku në një nga pjesët më të këndshme dhe më të arrira, afrohet komenti i fundit i ish-Jugosllavisë. Të vrarët nga Rumania në kufirin e përbashkët që e kujtojnë si parajsë vendin e tij, paralajmërojnë atë që do ndodhë. Autori është munduar që të japë dhe momentet e reformimit të ish-Jugosllavisë, por ajo është e pakët ndërsa ankthi mbetet te vetë kolonët e pas Luftës së Dytë, sepse ata kanë lyer duart me gjak. Tragjedia shkon deri te personazhet shqiptare, por edhe te vetë ai: në furrat ku punonte janë djegur shqiptarë!!! Dukagjini, miku i tij shqiptar është tragjedia e rëndë e këtij libri. I ka mbijetuar një martese të vështirë me një serbe, ia vrasin pastaj gruan dhe vajzën dhe përfundon keq, ashtu si vetë personazhi ynë që humbet djalin në luftë. Por, vdekja nuk vjen atëherë kur e di. Në monologun postmortor flet realisht: ”I thashë Milanit të mos shkonte në luftë. Nuk është vendi ynë, nuk kishte qenë kurrë, e pushtuam dhe e shpërdoruam për faqe të zezë...”. Ka ardhur fundi, ai vetë tashti do të vdesë, por vdekja e ka harruar dhe kjo përbën paradoksin e kolonëve si ai. Mehmeti e kalon sërish me zgjuarsi duke na përcjellë te epilogu, ku kolonët e rinj në një kohë tjetër i grishin të kthehen në Kosovë me plot strese e trauma, por aty s’është më vendi i dikurshëm. “Zogjtë e qyqes”, si mund të përshkruhen ata, dhe autori duhet përshëndetur edhe për metaforën e titullit, janë të nëmur ashtu si serbët kolonë dhe të gjithë ata që janë në këto fate…Është një krijim i këndshëm, i ndërtuar në formë klasike por me mesazhe të qarta për mbijetesën në hapësirën e Kosovës dhe mbi të gjithë paradokset, fatet dhe hidhësinë e jetës. Pa paragjykuar kandidatët e tjerë, zgjidhja e tij si fitues duket krejtësisht e motivuar. /Gazeta Liberale