Një familje kolonësh serbë, me anëtarë të tre brezave, po i drejtohet Kosovës dhe mes tyre djali-narrator, i cili mbledh këto copëza historie dhe ndërton linjën për të vizatuar Kosovën me sytë e ardhacakëve serbë. I ati është ushtarak dhe i angazhuar të mposhtë dhe të vendosë rregull në krahinën e varfër, ku banojnë shqiptarët dhe më pak pakicat e tjera nga e gjitha hapësira sllave. I gjyshi, tashmë një lloj alter ego e frymës së kësaj familjeje apo idesë së vjetër serbe për shqiptarët, lidhet me pjesën e fillim-shekullit të përplasjeve sllave. Në kokë ka ende momentin e kohës së Luftës së Dytë Botërore kur mezi u ka shpëtuar shqiptarëve dhe për këtë bën ende fajtore Ushtrinë e Kralit. “Pushtetin e morën shqiptarët. U shpartallua si tufë lepujsh, grindej me veten, kujton i nipi. Tre gjermanë u grahnin ushtarëve të Kralit, më lehtë se t’u grahnin kafshëve”. Dhe ankthi i pashmangshëm serb që jepet përmes përvojës së tij dhe të gjithë keqësisë ndaj shqiptarëve: ”Do të na vrasin shqiptarët, nuk i njihni ju! Kokat tona do t’i mbajnë në duart e tyre të përgjakura”. Kaq fatale dhe e përsëritur është kjo gjendje, saqë personazhi ynë, nën ndikimin e filmave me indianë, e nis perceptimin e tij të parë duke e parë në përfytyrime skalpin e vet në duar shqiptarësh të Kosovës me sytë e mbushur me gjak!!! E përjeton faktin se: po e dëgjon tmerrin nga gjyshi që e beson dhe i mëson historinë ndryshe sllave pa lavdi, teksa “mbrojtje” ka të ëmën, një agjitatore e cila mban ekuilibrin e familjes me titizmin ekstrem dhe shumë panegjirik. Autori falë përvojës jetësore e ka superuar shumë mirë momentin e ekuilibrave të stereotipit të familjes kolone. Përplasja e brezave dhe e përvojave, përshkruar profesionalisht, sjell një mjedis gati të panjohur nga shqiptarët e këtej kufirit, por edhe nga brezat e sotëm në Kosovë. Kjo është vlerë e shtuar për romanin e tij.
Nga ana tjetër, ritmi i veprës do të mbahet me një element që kinematografia, sidomos ajo moderne, e ka zgjidhur përmes përsëritjes së një detaji. Autori e lidh me historinë, ku gjyshi ka treguar për një kapiten me origjinë polake, i cili dikur në krye të një ekspedite ndëshkuese do të vritet në një dhiare nga malësorët shqiptarë. “Kapiteni ishte trim, neve na mbërtheu frika. Binin xhandarët si molla e krimbur. Befas një krisëm pushke jehoi bjeshkëve, plumbi e kishte goditur në krye kapitenin tonë të xhandarmërisë”…Kjo përsëritet shpesh, duke e bashkuar kohën dhe rritjen e personazhit tonë.