Dy monumente shumë të rëndësishme në pjesën veriore të Mitrovicës, që ishin dikur ngjitur me urën kryesore mbi lumin Ibër e që identifikonin shqiptarët, njëri në të majtë e tjetri në të djathtë të saj, më nuk ekzistojnë. Pamja e dikurshme e qytetit është fshirë dhe bashkë me to është fshirë edhe një histori dhe një kulturë që me shekuj ka ekzistuar në atë vend.
Nga Hysni Syla
Buzë cepit verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, në të dyja anët e saj, kanë qenë Mulliri i Vjetër dhe Xhamia e Ibrit, që më nuk ekzistojnë, ndërkohë që serbët kanë ngritur aty afër monumentet e tyre, që s’kanë qenë aty dhe që kanë prapavijë politike.
Në vendin ku është paraparë të rindërtohet Mulliri i Vjetër i qytetit, në anën e majtë të urës (nëse shkohet në veri), që ishte një atraksion dhe kishte një pamje të bukur, serbët kanë ngritur një monument në përkujtim të serbëve të vrarë nga UÇK-ja dhe NATO-ja në luftën e fundit. Zyrtarët lokal të Mitrovicës së Jugut, në pamundësi të veprimit, vetëm verbalisht e kanë kundërshtuar ashpër ngritjen e këtij monumenti për serbët e vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke e quajtur atë si provokim të ashpër për shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare.
UNMIK-u që administronte asaj kohe, e pranoi këtë në heshtje, duke mos ua vënë fare veshin kërkesave të institucioneve lokale dhe përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, si dhe vet qytetarëve të Mitrovicës, që reaguan fuqishëm, por pa sukses.
Halit Barani, punëtor shumëvjeçar i kulturë në Mitrovicë dhe po ashtu drejtues shumëvjeçar i KMDLNJ-së në Mitrovicë, thotë se ngritja e atij monumenti në vendin ku ka qenë Mulliri i Vjetër është provokim për shqiptarët, meqë aty figurojnë emra që kanë vrarë njerëz të pafajshëm. Sipas tij, ka ekzistuar një projekt për rikonstruktimin e Mullirit të Vjetër, mirëpo nuk është realizuar për shkak të rrethanave të ndryshme. Ai thekson se në bazë të projektit, objekti do të ruante pamjen e mullirit të vjetër jashtë dhe brenda, kurse destinimi i tij do të ndërrohej. Thotë se ishte menduar që ai të jetë një restorant, por me një pamje që do të ruante imazhin e vjetër.
“Tash më përfundimisht nga ajo punë nuk do të ketë asgjë. Ata që e kanë rrënuar kanë ardhur në pushtet në Mitrovicën e Veriut dhe më kurrë nuk do të lejojnë rikonstruktimin e Mullirit të Vjetër, në vendin e të cilit tani ka çuar kokën lartë monumenti serb, ku ka edhe emra të atyre që kanë bërë krime ndaj shqiptarëve”, thotë Barani.
Ndërkaq në anën tjetër të urës, pra në të djathtë të saj, ku ka qenë Xhamia e Ibrit, tash nuk gjenden as themelet e saj. Bashkësia Islame dhe banorët shqiptarë të besimit islam prej përfundimit të luftës kanë bërë shumë kërkesa për rindërtimin e saj, por nuk është lejuar nga UNMIK-u, me arsyetimin se nuk ka siguri.
Adem Mripa, përfaqësues i banorëve të “Lagjes së Boshnjakëve”, thotë se vazhdimisht kanë kërkuar rindërtimin e xhamisë, e cila ka qenë aty deri në kohën e luftës, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Fatkeqësisht, xhamia nuk është lejuar të ndërtohet as pas shkuarjes së UNMIK-ut, sepse serbët nuk lejonin, ndërkohë që ndërkombëtarët e lejonin dhe po e eljojnë këtë. “Nëpër takimet e ndryshme që kemi pasur jemi takuar me zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, e kemi shtruar këtë çështje, por deri tani kjo nuk është realizuar”, thotë ai. Po ashtu shumë herë për këtë çështje kishte reaguar edhe Bashkësia Islame në Mitrovicë, duke shprehur pakënaqësi për veprimet e njëanshme të UNMIK-ut (ende ka disa kompetenca në veri) që nuk kishte lejuar rindërtimin e Xhamisë së Ibrit.
Në anën tjetër, serbët kanë ngritur një kishë të madhe në Kodrën e Minatorëve, lagje ku banojnë edhe shqiptarët, boshnjakët, turqit etj, prej ku shihet e tërë Mitrovica dhe ku asnjëherë nuk ka pasur kishë. Madje kjo kishë është ngritur në mesin e shtëpive shqiptare, që sërish ishte një provokim i radhës. Për ndërtimin e kishës kishte ndihmuar shumë një administratore komunale e UNMIK-ut, që vinte nga Finlanda.
Përderisa në veri serbët kanë ngritur objekte të ndryshme, të gjitha me karakter politik, siç është shtatorja gjigante e Car LLazarit në udhëkryqin e spitalit në veri, shqiptarët që jetojnë në atë pjesë të qytetit, të vetmin monument që kanë ngritur pas lufte matanë Ibrit, është pllaka përkujtimore për dëshmorin Avni Haradinaj, i cili kishte rënë në mbrojtje të popullatës shqiptare nga grupet kriminale që kishin sulmuar popullatën shqiptare pas përfundimit të luftës. Pllaka përkujtimore këtij dëshmori gjendet në Lagjen e Boshnjakëve dhe disa herë ishte atakuar madje kishin djegur edhe kurorat përreth lapidarit.
Po ashtu në lagjen e banuar me shumicë shqiptare, që akoma vazhdon të quhet “Lagja e Boshnjakëve, në pronën e një shqiptari që e ka lëshuar falas pronën (edhe djali i tij është masakruar në shtëpinë e tij që gjendej aty), është ngritur një pllakë përkujtimore për të vrarit shqiptar nga ana e serbëve gjatë luftës.
Për të qenë edhe më keq, serbët me ndihmën e Beogradit, kanë krijuar dhunshëm realitet të ri në të gjitha lagjet veriore të banuara me shqiptarë, duke ndërtuar ndërtesa shumë katëshe dhe duke e shtuar numrin e banorëve serbë to, madje duke u bërë ata shumicë. Kësaj politike serbe antishqiptare, institucionet e Kosovës e as ato të ndërkombëtare nuk iu kundërvuan ashtu si duhet, andaj edhe realiteti i ri, i krijuar dhunshëm nga ana e serbëve, nuk ishte vështirë të realizohet.
Legjenda:Xhamia në foto është bërë rrafsh me tokë.