in

Siluetë prapa mjegullës

 Tregim

Gani Mehmetaj

Ajo e kishte përqendruar shikimin në një pikë, pa e kthyer kokën majtas as djathtas, duke i kryqëzuar me ngathtësi këmbët e gjata nën fustanin e shkurtër sipëri gjurit. Ai shihte gjymtyrët e saj, pa i rrahur qerpikët. Në klasë askush nuk pipëtinte. Herë pas here dëgjohej zukama e ndonjë mize të mbetur brenda, në zagushinë e vapës së padurueshme. Nxënësit tjerë përpiqeshin të kapnin zërin drithërues të arsimtarit të letërsisë, megjithëse i kishte mbërthyer përhumbja e shkalafitja kapitëse.

Tundimi me vajzën e bankës së parë, e cila ëndërronte princin e saj, që do t’i shkonte prapa deri në fund të botës, dhe vapa e padurueshme, e shtynë Djaloshin t’i lëpinte buzët e thara. Ndërkaq, adoleshentët tjerë i ndiqnim me shikim të topitur lëvizjet e buzëve të arsimtarit që i hapte e mbyllte si peshku kur e nxjerrin nga uji.

Dikush fërkonte qafen e djersirë, tjetri e ndiqte fluturimin e  mizës, një i tretë i përhumbur kruante hundën me mendjen larg nga ky ambient. Shoqja pranë këmbëgjatës, shihte për së kithi me bebëza të zmadhuara, e përhumbur në ëndërrime.

KËNGA E MALLIT TË PARË” të Zef Serembes, në këtë kapitje stine, ua përflakte imagjinatën, malli për buzët e zjarrta në netët me zagushi, kalonte në frymëzënie  lektisjeje. 

Dikush ofshau. Asnjëri nuk e kuptoi: e pati nga malli apo nga vapa.

 Arsimtarit të pasionuar pas letërsisë e vuajtjeve të poetit, vapa nuk ia fashiste frymëzimin, shkëlqimi i pazakonshëm ia ndriste fytyrën. Ishte mbërthyer nga  një mall, që e njëjtësonte me mallin e poetit. I shkëputur nga realiteti, nuk i bënin përshtypje psherëtimat e kohë pas kohëshme të nxënësve, nuk e shkëpusnin nga magjia e frymëzimit zërat nëpër korridore, apo shkalafitja e moshës së auditorit që e shihnin turbullt, secili me ëndrrat e lektisjet e veta…  

“Mesha e madhe, ja po bie- e nga kisha ment i shtije;”,  ua përkëdhelte veshët, ndërsa jehuan kambanat e kishës në luginën e Lumbardhit. Ligjërimi me emocione, nisi ta mbyste tingëllimën e kambanave. Të  magjepsurit e klasës imagjinata i shpinte tutje brigjeve të detit, në një kish të vogël katundthi. Një vash e përkorë ecte në grupin e vajzave kokulura. Poeti i sfilitur e shihte me mall e druajtje. E kujtonte me mall zjarrminë e buzëve të saja, një natë më parë. Ajo kthente kokën vrik dhe, po aq shpejt ecte si të kishte mëkatuar.

Nga katundthi i Kalabrisë imagjinata e shpinte Djaloshin në rrugicat e qytetit të tij, një natë të ngrohtë qershori. Fantazonte se si e kishte mbërthyer këmbëgjatën në shtrëngim të zjarrtë. Ajo përpiqej të shkëputej, ai lakmonte ta mbante deri në përjetësi. I dëgjonte i përhumbur pëshpërimat e saja që e përgjëronin. 

Nga largësi kontinentesh vinte rrëfimi për poetin që e ndiqte të dashurën përtej oqeanit, duke kaptuar dy Amerika. Herë i dilte para sysh arbëreshi i ri, herë i bëhej se ishte ai vet, duke e ndjekur të dashurën këmbëgjatë me tren, me avion e me anije deri në fund të  botës.     

Nga shtëpia përtej rrugës shpërndahej melodia e këngës “Love Story”, e përhapur ata muaj në qytetin e tyre së bashku me filmin që s’mbeti kush pa e shikuar. Rajan O” Nil e Ali Mek Grou u bënë yjet frymëzues. Askujt në klasë nuk i dukej e pazakontë ligjërimi gati më ngashërim i arsimtarit. Derisa ai fliste, fyti i ngushtohej, kur deklamonte vargje, zëri i dridhej. Melodia që e pushtoi klasën i bëri edhe më të shkriftë.

Adoleshenti i përmalluar, i fiksuar pas vajzës në rreshtin e parë, e frenonte psherëtimën, kur përfundonte ciklin e fantazive që lidheshin me netët me vapë, ndërsa ndiqte me bisht të syrit lojën e fustanit të shkurtër që rrëshqiste a tërhiqej lartë. Por, e digjte në hope xhelozia me të hetuar se edhe ndonjë shok i tij, i hidhte vjedhurazi shikime përmallimi fustanit të shkurtër. Ajo sikur luante me ta, duke e cytur fantazinë deri në dhimbje.

Pa dashje arsimtarit i ra libri nga dora. Përplasja në qetësinë e tillë i tronditi të gjithë, shkëputja nga ëndrra qe me dhimbje, kthimi në realitet i hutoi dëshpërueshëm.

Vajza u mblodh kruspull, fustani iu rrudh. Shoqja pranë saj mbylli sytë, gati për të qarë. Djaloshit që fërkonte qafën i ra dora në prehër si të qe gjymtyrë e pa jetë, kruajtësi i hundës mbeti i hutuar me gishtin tregues pezull, ndërsa miza u humbi nga sytë.

Bota u ngushtua në një klasë disa dhjetëra metra katror, ndërsa pak më parë shtrihej e paanë, në disa kontinente.  Për herë të parë u kujtuan për vapën. Sekush e hapi një qershizë të dritares. Puhiza e lehtë u fut brenda.

Emri i Zef Serembes, dashnorit të pasionuar, që i këndonte Beatriqes së vet, sërish e mbushi hapësirën e klasës, arsimtari pasi u kërrus e mori librin, vazhdoi si të mos kishte ndodhur asgjë. Prapë i krodhi në rrëfimin për dashurinë e parealizuar e mallin e pashuar…

*

Kur ra zilja, një herë u bëhej se vinte nga fundi i botës apo nga thellësia e detit, një tingëllimë këmbëngulëse që ua cingëriste nervat. Donin ta shqisnin nga veshët me duar sikur mizën bezdisëse, kur u fiksohet pas gjymtyrëve, por zilja vazhdonte të binte, duke ua prishur magjinë. Ngritën kokën hutueshëm, panë njëri-tjetrin më habi, vetëm sa nuk pyesnim: Ç’pati kjo zile që s’pushonte?

Asnjëri nuk lëvizte nga pozicioni në të cilin i kapi fundi i orës së cilës për herë të parë nuk i gëzoheshin. Askush s’bënte ballë të ngrihej në këmbë, frikësoheshin se do të shkëputeshin nga magjia. Zilja i dridhi si korrenti, ua ngushtoi botën. Arsimtari pa më pikëllim tej dritares, thua se pikaste dike prapa qelqeve që përthyenin rrezet e arta të pasdites së qershorit. Një siluetë ende i përftonte para syve të mjegulluar nga lëngu që ia digjte sytë.  Ajo ia bënte më dorë nga largësia e kontinentit, ndërsa i farfuriste fustani i njëjtë i asaj dite, kur mu si e dashura e poetit e kaptoi oqeanin. Ngashërimi po e mbyste. Ktheu kokën shpejt në anën e kundërt, mori ditarin ndër duar dhe doli më rrëmbim si ta ndiqte siluetën së cilës dikur nuk i shkoi prapa. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Tropojanët kërkojnë referendum për t’u bashkuar me Kosovën

Në njëvjetorin e vdekjes së kritikut të shquar shqiptar, Ramadan Musliut