Ndryshimi i bindjeve politike për Shqipërinë
Ditët e fundit filloi t’i miratonte sukseset tona në shumë fusha, por gjithmonë me ton zyrtar. Përdorte shpesh fjalët “na befasuat”, “shumë befasime na bëtë!” d.m.th., pamë e mësuam ato që nuk i prisnim.
Më datën 23 nëntor, një ditë para se të largoheshin nga Tirana tha se ishte i sëmurë, qëndroi në shtrat në “Dajti”, nuk u ul të hante mëngjesin. Kur i thamë për vizitë mjekësore, nuk pranoi, duke theksuar se e kishte nga lodhja. Ne dyshojmë se ai u shtir i sëmurë me qëllim që të ndahej nga grupi për të bredhur nëpër dyqane ose për të takuar ndonjë njeri nga të Ambasadës. Në orën 11.30 nuk ka qenë në dhomë. Dhomën e ka lënë rrëmujë të hapur. E takuam jashtë para monumentit të V. I. Leninit. Tha: “Dola pak për ajër”. Të nesërmen u vërtetua se kishte dalë nëpër dyqane. Këtë e tha vetë.
Agimi një ditë, pasi grupi ishte në Ambasadën jugosllave, është takuar për më shumë se një orë me përfaqësuesin e shoqërisë së aviacionit jugosllav JAT. Na tha: “Këmbeva disa dinarë”.
Gjatë udhëtimit për në Hanin e Hotit, Qamil Batalli në prani të Vehbi Kikës tha se kishte biseduar me Agimin për më se dy orë, e kishte lënë të shprehte mendimet e veta për vizitën. Qamili tha se Agimi kishte ndryshuar shumë gjatë vizitës. Të tjera mendime kishte në ditët e para, të tjera më vonë. Dhe, siç deklaroi Qamili, në mos qoftë propagandist i sukseseve të Shqipërisë, kur të kthehet në Kosovë, do të jetë një njeri që nuk do ta gëlltitë propagandën bajate që bëhet kundër jush. U bë mirë që erdhi Agimi në Shqipëri!
Agimi, në fillim i heshtur, mbas ditës së pestë dhe të gjashtë, nisi të hapet. Më rrallë fliste në prani të të tjerëve, më tepër në veçanti, por përsëri përpiqej t’i peshonte mirë fjalët dhe nuk bisedonte gjatë.
Perceptime pozitive për Kongresin e Drejtshkrimit
Dy ditët e fundit ka biseduar më shumë me Vehbiun e Qamilin. Kështu na thanë. Dhe i ka çuditur ata me konsideratat e miratimet për vendin tonë. Këtë e kemi vënë re edhe ne.
Në darkën e lamtumirës, Agimi ka biseduar gjatë me profesor Androkli Kostallarin, që e kishte pranë. Bisedën e nisi me problemet e gjuhës shqipe dhe të albanologjisë dhe kaloi në disa probleme të tjera.
Ai, ashtu si edhe të tjerët, i foli profesor Androkliut për konsideratën e lartë, për sukseset e studimeve shqiptare në fushën e albanologjisë, për rolin e tyre në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare në Kosovë. Ai tregoi se përmbajtja e lartë cilësore e studimeve albanologjike (botimet dhe ligjëratat), mendimi teorik shkencor dhe përpunimi i gjuhës kanë lënë gjurmë në shkollat dhe në inteligjencën e Kosovës. Ai tha: “Kongresi i Drejtshkrimit është vlerësuar shumë dhe ka ushtruar ndikim të madh në Kosovë. Jehona e tij vazhdon edhe sot, jo vetëm në qytetet, por edhe tek arsimtarët e fshatrave, të cilët janë shumë të etshëm për dije. Arsimtarët e fshatit kërkojnë tekste mësimore shqiptare, sidomos për lëndët gjuhë e letërsi”.
Kur Agimit iu dorëzuan librat, dhuruar nga Instituti i Gjuhës dhe letërsisë (vëllimet mbi Kongresin e Manastirit dhe mbi Kongresin e Drejtshkrimit, mbi normat e gjuhë letrare si dhe dy vëllime me përmbledhje studimesh gjuhësore), tha: “Ky është një nder shumë i madh për mua. Këto libra do t’i mbaj në një vend të dukshëm, si librat më të çmuara që kam në shtëpi”.
Duke folur për futjen e normave të gjuhës letrare, Agimi tha: “Tani bëhet përpjekje që edhe në botimet tona të kultivojmë gjuhën e sotme letrare shqipe. Bile edhe në gazetën e pionierëve përpiqemi të zbatojmë rregullat e sprovuara nga Kongresi i Drejtshkrimit. Në Kosovë tani thuhet: të shkruajmë me gjuhën e gazetave e revistave ‘Drita’, ‘Zëri i Popullit’, ‘Nëntori’ dhe ‘Mësuesi etj. Te shkrimtarët tanë vihet re një përpjekje e dukshme në këtë drejtim. Në qoftë se ndonjë gjë nuk e kemi arritur në shkallën e duhur, kjo nuk ndodh se ne nuk dëshirojmë, por sepse kaq janë fuqitë tona, kaq e njohim gjuhën letrare. Por, ne jemi optimistë për të ardhmen”.
Ekzaltim me përparimin industrial në Shqipëri
Agimi, pasi ngriti lart sukseset në fushën e albanologjisë, profesor Kostallarit i tha se para se të vinte në Shqipëri, kishte dëgjuar fjalë të mira për Shqipërinë, në përgjithësi për zhvillimin e vendit pas çlirimit. Ndërsa, nga tregimet e babait dinte se Shqipëria para çlirimit ka qenë një vend i prapambetur dhe i mjeruar. “Ato që pashë me sytë e mi”, vuri në dukje Agimi, “sidomos veprat e mëdha të pesëvjeçarëve, objektet e reja si Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, uzina e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, zona e naftës, ndërtimet e sistemimet bujqësore, pallatet e kulturës, pallati i pionierëve e shumë objekte të tjera më mahnitën. Ato që pamë i tejkaluan shumë parashikimet tona jo vetëm të miat, që jam i ri, por edhe të shokëve të mi, më të moshuar. Me këto realizime Shqipëria pas 5-7 vjetësh do të bëhet një vend që ka për t’ua kaluar të gjithëve (dhe këtu iu mbushën sytë me lot)”.
Duke folur për babin e vet, Veli Devën, i cili tani është drejtori i Kombinatit të Trepçës (sipas tij këtu ka ardhur me kërkesën e punëtorëve, Veliu është akoma në forumin e lartë udhëheqës në Beograd, por formalisht, deri në zgjedhjet e reja), Agimi vuri në dukje thjeshtësinë dhe karakterin popullor të babait.
Ai deklaroi: “Babai na porosit ne fëmijëve të vet, mos harroni se jeni nga një familje e varfër, se babai i juaj ka vuajtur për bukën e gojës, mos harroni origjinën tuaj, jetoni thjeshtë dhe vetë bën një jetë të tillë. Na këshillon të mos ndjekim modat në veshje, në mënyrën e të sjellurit. Ne kemi në disa qytete bijtë e disa të pasurve me mirëqenie, që ndjekin modat ekstravagante e që nuk mësojnë në shkolla. Në masë rinia kosovare jeton thjeshtë. Fshatarët nuk kanë kohë e mundësi me u marrë me modat. Mësuesit e fshatit, për shembull, edhe japin mësim, edhe punojnë tokën e tyre në fshat.
Ideja për botimin e një antologjie për fëmijë
Babai flet me nostalgji për Shqipërinë, na kujton vitet e fëmijërisë dhe të rinisë, kohën kur i doli bursa në Krumë për të vazhduar gjimnazin e Shkodrës, na tregon vendet ku ka mësuar e luftuar në Shqipëri, për shokët e tij, që tani janë bërë kuadro e thekson ata janë bërë të tillë sepse kanë qenë njerëz të thjeshtë, sepse luftuan me armë në dorë për çështjen e atdheut. Babai më la edhe një porosi, po të më jepej rasti t’i transmetoja të fala shokut të tij të ngushtë të klasës dhe të jetës në konvikt, Demlush Thaçit. Më tha: jepja të falat Demlushit, në qoftë se ai ka pasur qëndrim të mirë deri në fund, jo vetëm gjatë luftës, por edhe më pas, dhe në qoftë se dhe tashti nuk është në pozita armiqësore me partinë. Këtë porosi desha t’ua thosha shoqëruesve, por ndruhesha në fillim. Kur pashë prirjen e ngrohtë që m’u bë, mora guximin dhe po ju them”.
Agimi tha se babai ka nostalgji të vazhdueshme për shokët e shkollës në Shqipëri, dhe po të vinte ndonjëri prej jush (iu drejtua prof. Kostallarit), që keni qenë në një konvikt, do ta pinte me gjithë qejf një kafe me ju.
Agimi dy herë iu afrua profesor Bedri Dedjes t’i shprehë një mendim duke thënë letërsia shqipe për fëmijë ka arritur suksese të mëdha dhe propozoi që të bëhet një antologji e përbashkët e letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe për të cilën ai do të merrte përsipër, nëpërmjet shtëpive botuese jugosllave, ta botonin në gjuhë të huaja. Agimi e përsëriti këtë mendim në takimin e parë dhe në darkën e mirëseardhjes. (Fund)